22 Tetor 2020

Qeveria duhet të trajtojë me kujdes humbjet e industrisë së rëndë nga pandemia

Prishtinë, 2 tetor - Ndikimi i COVID-19 në ekonominë e vendit po vazhdon të krijojë sfida të paprecedenta, sidomos për industritë që varen nga punët që nuk mund të bëhen nga distanca, siç është ajo e industrisë së rëndë, derisa ndërmarrjet që operojnë në këtë industri kanë nevojë të theksuar për përkrahje nga Qeveria.

Këto u thanë mes tjerash në një forum virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbi ndikimin e pandemisë në industrinë e rëndë.

Genci Beribashi, koordinator i projektit në NewCo Ferronikeli, potencoi faktin se gjatë kohës së pandemisë mbijetesa e kompanive të industrisë së rëndë, përkatësisht metalurgjisë dhe sektorit minerar varen jo vetëm nga masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës por edhe nga tregjet ndërkombëtare që kanë ndikim direkt në përfitimet nga eksporti.

Ai potencoi se veprimtaritë e Ferronikelit sjellin një vlerë të shtuar në ekonominë e Kosovës, marrë parasysh faktin se kjo kompani shënon 40% të eksporteve të vendit.

Sipas tij, nga mosvazhdimi i veprimtarisë së Ferronikelit ekonomia e Kosovës ka humbur 8 deri në 9 milionë euro në muaj, ndërsa masat konkrete që mund të ndërmerren nga Qeveria e Kosovës për të ndihmuar kompanitë e këtij sektori janë reduktimi i taksave lidhur me rentat minerare dhe reduktimi i tarifave për energjinë elektrike, si dhe garantimi i kredive të buta.

Valbone Dushi, udhëheqëse e Departamentit të Industrisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, duke iu referuar disa statistikave të nxjerra nga raportet e kësaj ministrie theksoi se gjatë periudhës së pandemisë COVID-19 është vërejtur një trend pozitiv i rritjes së pjesëmarrjes së industrisë prodhuese në Bruto Produktin Vendor, derisa gjithashtu cilësoi si aspekt pozitiv rënien e importeve në Kosovë.

Sipas saj, disa nga problematikat me të cilat është përballur kjo industri kanë qenë ndalja e investimeve kapitale dhe atyre të huaja.

Dushi gjithashtu tha se gjatë krijimit të masave kundër efekteve të pandemisë janë marrë parasysh rekomandimet nga akterët si odat ekonomike dhe komuniteti i bizneseve, gjersa shtoi se me miratimin e programit për rimëkëmbje ekonomike kjo ministri do të ofrojë më shumë përkrahje për industrinë përpunuese si dhe për sektorët e tjerë të afektuar negativisht nga pandemia.

Hysen Vrajolli, udhëheqës i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në Trepça, përmendi faktin se ndërmarrja që ai përfaqëson është goditur mjaft rëndë, marrë parasysh faktin se është minierë nëntokësore prandaj shumica e masave mbrojtëse kundër virusit siç është mbajtja e distancës nuk kanë qenë të aplikueshme për punëtorët e Trepçës.

Vrajolli gjithashtu potencoi se rënia drastike e çmimeve në bursa ndërkombëtare, çrregullimet në zinxhirët furnizues dhe bllokimi i mineraleve në platforma transportuese kanë shkaktuar vonesa në përmbushjen e detyrimeve të përfshira në kontratat që Trepça ka lidhur me palë, duke krijuar kështu sfida në vete për kompaninë.

Tutje, ai theksoi se Trepça është mbështetur nga Qeveria e Kosovës përmes subvencioneve në vlerë prej 3.5 milionë eurove gjatë muajve të parë të pandemisë, duke theksuar se subvencionimi i stoqeve do të ishte njëra nga masat më efikase për të siguruar vijimësinë e veprimtarive të ndërmarrjeve që i përkasin industrisë së rëndë.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 Tetor 2020  - Kryeministri Avdullah Hoti viziton Ministrinë e Shëndetësisë. (Ministria e Shëndetësisë, ora 9:30)

- Lëvizja Vetëvendosje organizon tryezën virtuale më temë 'Sa do të ndikojë moratorimumi një vjeçar për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës?' (Online, ora 10:00)  

 - Admovere organizon promovimin e publikimit 'Të Damkosurit e Ballkanit - Shqiptarët dhe Kosova në tekstet alternative gjithëballkanike të historisë'. (Hapësirat e KultPlus Caffe Gallery te Fontana në Ulpianë, ora 10:00)  

- Kryeministri Avdullah Hoti pret në takim deputetët e komunitetit joshumicë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora ‪10:30 - vetëm pamje)

- Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i njofton mediat se nesër do të lansohet data-baza per tregtinë në shërbime. (Ndërtesa e MTI-së, ora 11:00)

- Ministrja e Financave znj.Hykmete Bajrami dhe Auditori i Pergjithshëm i ZKA-së, Besnik Osmani raportojn para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin Vjetor i Auditimit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 11:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione takohet me përfaqësues të kompanisë “Kërveshi Partneres” dhe përfaqësuesi te OJQ, “Ngritja e Zërit”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Meliza Haradinaj - Stublla raporton para Komisionit për Integrim Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë në përurimin e adaptimit të rrugës për Komunitetin RAE në rrugën “Rexhep Karaqi”. (Prizren, ora 12:00)

- Fondi për të Drejtën Humanitare dhe KOMRA Rrjeti i Pajtimit organizon debatin mbi Politikat e Kujtesës dhe Praktikat e Përkujtimit në Evropën Juglindore. (Debati do të transmetohet direkt në Facebook dhe Youtube kanalin e KOMRA Rrjeti për Pajtim, ora 17:00)

- Komisioni Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-I9 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës dëgjon dëshmitë e Hidajete Pireva, Mjeke, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare-QKMF, Fushë Kosovë, Vlora Maholli, Mjeke, QKMF, Fushë Kosovë dhe Hajrie Hoti, Mjeke, QKMF, Prishtinë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)

- Lëvizja Vetëvendosje!, mban konferencë për media në lidhje me skandalin e vjedhjes së më shumë se 2 milion euro nga Thesari i Shtetit. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 15:00)