28 Tetor 2020

Prodhuesit kërkojnë garantim të veçantë kreditor për sektorin e tyre

Prishtinë, 17 shtator - Kompanitë prodhuese luajnë rol kyç në zhvillimin e ekonomisë së vendit, ndërsa koha e pandemisë ka krijuar mundësi të reja për depërtim të produkteve vendore në tregje ndërkombëtare, e megjithatë përkrahja nga ana e Qeverisë ndaj këtij sektori mbetet shumë e nevojshme.

Këto u thanë mes të tjerash në një forum virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku bashkë me prodhuesit vendas u diskutua mbi gjendjen e sektorit të prodhimit.

Sami Dida, kryeshef ekzekutiv në kompaninë e prodhimit të kabllove Proton Cable, tha se situata e krijuar me pandeminë ka ndikuar shumë në aktivitetin e kësaj ndërmarrjeje, derisa përmendi se në mënyrë zingjirore janë afektuar pothuajse të gjitha industritë.

Sipas tij, njëri nga problemet më madhore me të cilin janë ballafaquar ka qenë rritja e çmimit të lëndës së parë në një kohë kur shitjet janë në rënie.

Dida theksoi se Qeveria e Kosovës gjithsesi ka një rol për të luajtur në ndihmë ndaj kompanive prodhuese, ku tha se me disa pika shumë të thjeshta siç është përgjysmimi i TVSH-së mund të ndikojë pozitivisht në sektorin e prodhimit duke mundësuar avantazhe konkuruese në krahasim me vendet e tjera.

Tutje, ai u shpreh se megjithëse është mirë që Qeveria është fokusuar në ndihmë ndaj sektorit të bujqësisë dhe teknologjisë informative, pjesët e tjera të industrisë janë lënë mënjanë dhe kjo mund të shkaktojë disbalancime në ekonomi.

Ai gjithashtu foli edhe mbi nevojën për kontrollim të mallrave që hyjnë në Kosovë, ku tha se ekzistojnë mallra jashtë standardit që shiten në tregun tonë dhe konkurojnë në çmim, andaj është e rëndësishme që kjo çështje të adresohet sa më parë.  

Kreshnik Jakupaj, përfaqësues nga kompania e prodhimit të letrës higjienike Medruplast theksoi se kjo kompani e ka përballuar pak më lehtë ndikimin e pandemisë meqë kërkesa e madhe për produkte të së njëjtës i ka mundësuar kësaj ndërmarrjeje që të rrisë eksportet.

Megjithatë, sipas tij, mungesa e theksuar e diasporës si dhe sjellja e ndryshuar e konsumatorit për shkak të nevojës së minimizimit të shpenzimeve, dukshëm ka krijuar vështirësi edhe për këtë kompani.

Jakupaj theksoi se shpreson që sa më parë të aprovohet Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike, në mënyrë që të ndihmohet ekonomia e vendit. Tutje, ai përmendi edhe nevojën për prioritizim të produkteve vendore sidomos në tenderët shtetërorë.

Kujtim Gjevori, kryeshef ekzekutiv në kompaninë e prodhimit të qeseve Scampa, si dhe njëherit kryesues i Komitetit të Prodhimit të Odës Amerikane foli mbi mundësitë e sektorit të prodhimit për zgjerim jashtë kufinjve, sepse sipas tij kjo periudhë ka krijuar nevojën për rritje të diversifikimit të riskut nga kompanitë e huaja, duke hapur rrugë për krijimin e partneriteteve të mundshme me kompanitë kosovare.

Ai gjithashtu theksoi nevojën për adresim sa më të shpejtë të çështjes së pagesës së TVSH-së për lëndën e parë të blerë brenda vendit, si dhe mungesën e një rregullatori për kontrollimin e vonesave në pagesa.

Gjevori rëndësi të veçantë i dha çështjes së garancionit kreditor tek kompanitë prodhuese, ku theksoi se duhet të parashihet deri në 80% garantim i kredive i dedikuar për prodhues, marrë parasysh kontributin e tyre në ekonominë e vendit.

Ai gjithashtu përmendi mundësitë e krijuar nga marrëveshja për normalizimin e raporteve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë, derisa tha se është e domosdoshme që aprovimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike të bëhet sa më parë.
 
-- 

Kalendari

Ngjarjet e datës 28 Tetor 2020 - Qendra e parë shoqërore në Prishtinë “Termokiss” nisë programin pesë ditor “Krejt Ka Pak V - Me Zemër Ngat” me aktivitete të ndryshme. (Hapësira e Termokissit, ora 9:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione takohet me përfaqësuesit e Divizionit të Skemave për Kategoritë e Luftës në Departamentin e Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe përfaqësues të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të  Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Me rastin e shënimit të  “Muajit të mundësive të barabarta për personat me aftësi të kufizuara”, që është muaji tetor, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtori i Drejtorisë së Administratës Osman Hajdari, do të vizitojnë personat me aftësi të kufizuara që janë të angazhuar në Administratën Komunale të Komunës së Prizrenit. (Objekti i Administratës Komunale në Qendrën për Shërbime të Integruara-One Stop Shop, ora 10:00)

- Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq raporton para Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim lidhur me raportin e punës së ministrisë, për vitin 2020. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti së bashku me Zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj mbajnë tryezë konsultative me Organizata të Shoqërisë Civile për prioritetet e Agjendës së Reformave Evropiane. (Objekti i Qeverisë, ora 11:00)

- Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi do të mbajë një konferencë për media. (Ministria e Drejtësisë, ish-objekti i Rilindjes, kati IX, salla 914, ora 11:00)

- Ministri i Tregtisë dhe industrisë, Vesel Krasniqi raporton para Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike lidhur me problemet që është duke u ballafaquar ministria në përgjithësi, në veçanti për prodhuesit dhe transportuesit vendor për CEFTA si dhe për subvencionet e ndara për biznese gjatë pandemisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti viziton Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik. (Objekti i KRPP-së, ora 14:00)

- Ministrja e Financave Hykmete Bajrami raporton para Komisionit për Buxhet dhe Transfere lidhur me zhvillimet e fundit në Sistemin e Menaxhimit të Financave Publike në Kosovë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 14:00)

- Forumi për Lidership dhe Diplomaci përmbyllë Projektin “Akademia për Lidership”. (Swiss Diamond Hotel, ora 14:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, sot mban tryezë me përfaqësues të institucioneve të vendit, organizatave që merren me përkrahjen e grave me kancer të gjirit, si dhe gra të mbijetuara nga kanceri i gjirit. (Holli i Kuvendit, ora 15:00)

- Ambasada e Gjermanisë bashkë me Asociacioni për Evropën Juglindore dhe Instituti Aspen Gjermani organzojnë konferencën digjitale “Të rinjtë, migrimi dhe sfida demografike në Ballkanin Perëndimor”. (Onlne, ora 16:00)