27 Prill 2024

Moratoriumi ndërkombëtar, sfida më e rëndë për Trepçën

Prishtinë, 10 qershor - Anëtarët e  Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës, kanë  vizituar kombinatin metalurgjik ” Trepça”.

Ata u pritën nga stafi menaxhues i ndërmarrjes në krye me Ferat Shalën, drejtor i kombinatit dhe drejtori i Bordit të KPMM-së, Ahmet Tmava.

Vizita në kombinatin “Trepça” është bërë në vazhdën e aktiviteteve të Komisionit, me qëllim të informimit më të drejtpërdrejtë lidhur me sfidat dhe të arriturat e kombinatit.

Gjatë këtij takimi, anëtarët e Komisionit u interesuan për rolin që duhet luajtë Komisioni dhe Kuvendi i Kosovës, në mënyrë që kombinatit t’i krijohen mundësi më të mëdha të zhvillimit.

Fillimisht, drejtori Shala para anëtarëve të Komisionit paraqiti një historik të shkurtër të kombinatit. Lidhur me këtë  ai tha:” Hulumtimet e para gjeologjike  kanë filluar në vitin 1924 nga gjeologët anglezë”.

Ai më pas vijoi me historikun e këtij kombinati duke thënë se dy vite më vonë, në Londër formohet një shoqëri aksionare e njohur me emrin “Trepça Mines Limited”, e cila merr në koncesion shfrytëzimin e  këtij vendburimi minerarë për 50 vjet.

Ndërkaq, në vitin 1930, përkujtoi drejtori Shala, fillon prodhimi provues i minirealizimeve të sulfurit dhe plumbit.

Duke folur për ecuritë e prodhimit të kombinatit “Trepça”, Shala pasqyroi me shifra gjithë të arriturat e kombinatit që nga themelimi i tij deri në ditët e sotme. 

Duke folur për gjendjen në të cilën aktualisht është kombinati, drejtori i kombinatit vuri në pah një varg pengesash.

Me këtë rast ai u bëri apel anëtarëve të Komisionit dhe Kuvendit të Kosovës që të ndërmarrin masa për kapërcimin e tyre.

Ndër sfidat më të rënda me të cilat ballafaqohen ata, ai vuri në dukje faktin që:” kombinati “Trepça” gjendet nën memorandumin ndërkombëtar me vendim të Gjykatës së Posaçme”.

Sipas këtij memorandumi, vijoi Shala, kombinati nuk mund të realizojë kontrata me as një palë tjetër, dhe e keqja më e madhe tha ai, është se me këtë memorandum nuk është i definuar pronari i kombinatit.

Duke folur për gjendjen në miniera, Shala tha se ato janë të dëmtuara shumë, me pajisje të korozuara dhe jashtë sistemit të prodhimit. Në gjendje jo të mirë tha ai, është edhe industria përpunuese e metaleve.

Për këto shkaqe këmbënguli Shala, Kuvendi i Kosovës duhet miratuar sa më shpejtë  Strategjinë minerare të Republikës së Kosovës,  të propozuar nga stafi menaxhues i kombinatit “Trepça” dhe KPMM-ja, e cila parasheh ristrukturimin e “Trepçës” dhe përgatitjen e tij për tërheqje të investitorëve.

Duke folur për mungesën e infrastrukturës ligjore lidhur me kombinatin, ai po ashtu foli për rëndësinë që ka miratimi i Ligjit për “Trepçën”.

Ky ligj, sqaroi ai, do duhej që kombinatin “Trepça”, ta heqë nga administrimi  i AKP-së, dhe të hapen shtigje për zhvillimin ekonomik të tij.

Lidhur me infrastrukturën ligjore, drejtori i kombinatit, pati vërejtje edhe për disa ligje tashmë të miratuara në Kuvend.

”Ligji i punës,  lë të parregulluara shumë fusha që kanë të bëjnë me të drejtat e minatorëve”, tha ai dhe vazhdoi:” Minatorët, përshkruajnë thellësinë mbi 800 m. të nëntokës, dhe 13 horizontet e minierës me mbi 200 km galeri nëntokësore, andaj pensionimi dhe pushimet vjetore të minatorëve nuk duhet të jenë në relevantë me shërbyesit civilë”, tha Shala.

Në ekspozenë e tij Shala foli edhe për të arriturat e viteve të fundit në kombinatin “Trepça”. “Vitin e kaluar, për herë të parë që nga pas lufta, kombinati ka shënuar trend pozitivë të zhvillimit”, tha ai.

Pas kësaj, anëtarët e Komisionit bënë vizitë në ndërmarrjet e kombinatit.
Me këtë rast ata vizituan Fabrikën e Akumulatorëve, Repartin e Baterive Industriale, minierën e “Stari Tërgut”, Muzeun e Mineraleve të “Trepçës”, Sistemin e Hidrombushjes dhe Flotacionin e minierës.

Pas kësaj, anëtarët e Komisionit siguruan stafin udhëheqës të kombinatit “Trepça”, se do të mbështesin përpjekjet e tyre për zhvillimin e kombinatit, në të gjitha format në kuadër të mundësive që posedon Komisioni.  
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)