13 Nëntor 2019

Mitrovicë, Luksemburgu ndihmon në përmirësimin e ujësjellësit

Mitrovicë, 19 mars - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka pritur të premten në takim shefin e Zyrë së Luksemburgut në Kosovë, Pierre Weber, me të cilin ka biseduar për mbështetjen që shteti i Luksemburgut i ka ofruar Mitrovicës për përmirësimin e kapaciteteve të ujësjellësit.

Shefi i Zyrë së Luksemburgut, Pierre Weber, i cili ishte edhe para disa kohësh në Mitrovicë për të biseduar për gatishmërinë e shtetit të tij për të ofruar ndihmë për rrjetin e ujësjellësit e njoftoi kryetarin Kastrati, se tashmë ky projekt është miratuar. Ai sqaroi se tash do të fillojnë procedurat për realizimin e këtij projekti, për të cilin Qeveria e Luksemburgut do të investoj 4.5 milionë euro. 

Ai theksoi se pas disa muajsh në Mitrovicë do të vijnë një grup ekspertësh nga Luksemburgu, të cilët do të njihen me gjendjen ekzistuese të rrjetit të ujësjellësit, në mënyrë që më pas të nis realizimi i tij. Weber tha ky projekt  fillimisht do të nis në pjesët ku rrjeti është më i dëmtuar dhe fillimisht ideja është që të intervenohet në pjesët urbane.

Në anën tjetër, kryetari Kastrati, ka falënderuar shefin e Zyrës së Luksemburgut, Pierre Weber, për mbështetjen që shtetit i tij i ka dhënë këtij projekti, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishme për qytetarët e Mitrovicës. Ai tha se rrjeti ekzistues është shumë i vjetruar dhe me teknologji të tejkaluar, andaj rregullimi i rrjetit do të përmirësoj shumë edhe cilësinë e ujit.

Ai theksoi se problemet me të mëdha ujësjellësi rajonal, veçanërisht  në Mitrovicë i ka pasur pikërisht me rrjetin, duke pasur parasysh humbjet e mëdha të ujit. Ndërsa tani, shtoi ai, pas realizimit të këtij projekti gjendja pritet të ndryshoj pozitivisht në të gjitha segmentet.  

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 nëntor 2019

- Save the Children në bashkëpunim me Minstrinë e Arsimit dhe Institutin Pedagogjik organizojnë konferencën ndërkombëtare ‘Fuqizimi i Kujdesit, Zhvillimit dhe Edukimit në Fëmijërinë e Hershme’ që ka për qëllim të ofrojë mundësi për hartuesit e politikave, ofruesit e shërbimeve, përfaqësuesit nga akademia dhe akterë të tjerë, për t’u informuar dhe ndarë praktikat më të mira mbi rëndësinë e investimeve në kujdesin dhe zhvillimin e fëmijërisë së hershme. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit lidhur me dy projekte të mëdha të Ministrisë së Infrastrukturës siç janë, rehabilitimi i rrugës Prishtinë - Pejë dhe Prishtinë - Mitrovicë ku edhe do të bëhet edhe publikimi i hulumtimit mbi arsyet e vonesave në punime në këto dy rrugë, i titulluar “Rrugë pa fund”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Organizata "Voice of Roma, Ashkali and Egyptians" VoRAE organizon Festivalin Multikulturorë i pari i këtij lloji në Kosovë. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon tryezën e diskutimit me temë “Roli i vendimeve të Gjykatës Supreme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit: Një thirrje për disiplinim të gjyqtarëve që marrin vendime të kundërligjshme”. (Qendra e konferencave Orion, ora 10:30)

- Në kuadër të fushatës “Jo drogë tek të rinjtë”, Task Forca Anti Drogë tek të rinjtë dhe siguri në Shkolla do të organizoj pritje për student, ku do të shfaqin prezantimet me njohurit e tyre lidhur me narkotikët, si dhe do të bashkëbisedojnë me Shefin e Task Forcës Anti Drogë. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 11:00) 

- Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prizrenti, Visar Shehu, do të mbajë konferencë për shtyp për ta njoftuar opinionin publik me më të rejat nga fusha e shëndetësisë. (Zyret e Shërbimit Urgjent, rruga Tirana në Prizren, ora 11:00)

- Ambasada e Francës në Kosovë mban konferencë për media në të cilën do të prezantojë edicionin e 19 - të Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë i cili organizohet në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike të Zvicrës, Belgjikës dhe Luksemburgut, Aleancën Franceze, Ministrinë e Punëve të Jashtme, si dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës. (Salla e konferencave në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ora 12:00)

- Teatri i Qytetit te Mitrovicës "Muharrem Qena" shfaq premierën teatrore “Kur treni vonohet”, me autor Osman Goranci dhe me regji të Artan Tmavës. (Qendra e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, ora 19:00)