18 Prill 2024

Mini Cooper Coupe, ditë e re, aventurë e re

Frankfurt, 15 korrik - Jo shumë larg nga botimi i setit të parë të fotografive të modelit të maskuar Cooper Coupe dhe specifikave jo të plota, Mini në tërësi e ka zbuluar modelin e ri, i cili njëherit është edhe modeli i parë i kësaj marke me dy ulëse.

Mini ka shpikur modelin e ri sportiv Cooper Coupe, i cili vjen në shitje me katër nivele të ndryshme të forcës dhe dy motorë, duke përfshirë edhe versionin më të fuqishëm JCW Coupe. Cooper Coupe është modeli i parë i kësaj marke britanike që vjen me vetëm dy ulëse.

Përndryshe, “BMW” nuk ka planifikuar një model të tillë të Minit, por prapë i është dorëzuar interesimit të fansave dhe udhëheqësit nga Munihu e kanë dhënë dritën jeshile për prodhimin e tij.

Mini Cooper Coupe ka karroceri e cila ka dimensione prej 3728 mm gjatësi, 1683 mm gjerësi dhe 1378 mm lartësi. Dimensionet janë rritur shumë pak në krahasim me konceptin, mirëpo dizajni i përgjithshëm i modelit serik është shumë i përafërt me konceptin dhe shumë pak dallon nga modelet tjera të këtij brendi britanik.

Pamja e tij e brendshme ende nuk është zbuluar në tërësi, por gjithsesi se do të përfshijë teknologjitë më të fundit që përdoren në enterier, ndërsa falë versionit me dy ulëse, ky model ofron hapësirë të mjaftueshme për dy pasagjerët, por edhe për bagazhin.

Mini Cooper Coupe do të jetë në ofertë me dy motorë dhe katër nivele të forcës. Modelin bazë e lëviz motori me katër cilindra 1.6 benzinë me punë të ventileve me ndryshim i bazuar në teknologjinë e BMW-së Valvetronic, i cili siguron 122 kuaj fuqi dhe moment rrotullimi prej 160 Nm.

Me këtë motor Cooper Coupe shpejtësinë nga 0 deri në 100 km/h e arrin për 9 sekonda dhe arrin shpejtësinë maksimale prej 204 km/h.

Harxhimi mesatar i deklaruar i karburantit, është 5.4 L/100 km, ndërsa emetimi i gazrave CO2 është 127 g/km. Cooper S Coupe më të fuqishëm, e lëviz i njëjti motor i pajisur me teknologjinë shtesë Twin-Turbo dhe injektim direkt të karburantit, i cili ofron 184 kuaj fuqi (135 kW) dhe moment rrotullimi prej 240 Nm. Cooper S Coupe shpejtësinë nga 0 në 100 km/h e arrin për vetëm 6.9 sekonda dhe arrin shpejtësinë maksimale prej 230 km/h, me harxhim mesatar prej 5.3 L/100 km dhe emetim të gazrave CO2 prej 136 g/km.

Majën e ofertës e përbën John Cooper Works Coupe, i pajisur me motorin e njëjtë 1.6 turbo benzinë por me forcë prej 211 kuaj fuqi (155 kW) dhe moment rrotullimi prej 280 Nm, i cili veturës i siguron një sprint deri në 100 km/h, për vetëm 6.4 sekonda dhe shpejtësi maksimale prej 240 km/h. Harxhimi mesatar i këtij modeli është deklaruar në 7.1 L/100 km me emetim të gazrave CO2 prej 165 g/km. Përkrah këtij modeli, në mënyrë standarde vijnë fellnet 17 inç JCW Cross Spoke.

Për adhuruesit e motorëve me naftë, në dispozicion është motori me katër cilindra 2.0-litërsh turbo me injektimin e karburantit Common-rail, i cili ofron 143 kuaj fuqi (105 kW) dhe moment rrotullimi prej 305 Nm. Cooper SD Coupe shpejtësinë nga 0 në 100 km/h, e arrin për 7.9 sekonda dhe arrin shpejtësinë maksimale prej 216 km/h, ndërsa harxhimet mesatare janë 4.3 L/100 km me emetim të gazrave CO2 prej 114 g/km. Të gjithë motorët në mënyrë standarde vijnë në kombinim me transmision manual të shpejtësive me 6 nivele.

Mini thotë se përzgjedhja e motorëve, përshtatja e distancës së boshteve, shpërndarja e masës dhe tiparet aerodinamike të Cooper Coupe, janë kombinim i shkëlqyeshëm i performancave optimale dhe aftësive vozitëse të kësaj veture. Shitja e tij është paraparë për fundin e vitit, ndërsa së shpejti fillon fushata “Another day. Another adveture!” (një ditë e re, një aventurë e re).
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)