19 Prill 2024

Makinat elektrike, alternativë praktike ndaj benzinës

Detroid, 21 mars - Ekspertët e automjeteve thonë se makinat elektrike që punojnë me bateri janë alternativë praktike krahasuar me makinat me benzinë, të paktën për disa njerëz.

Por problemi më i madh për industrinë automobilistike është zgjerimi i infrastrukturës për rimbushjen e baterive të makinave.

Disa thonë se dita e makinave elektrike ka ardhur. Chevy Volt elektrike ka një bateri që rimbushet, dhe për një kohë të shkurtër, mund të punojë me motor me benzinë për të mbushur baterinë.

Ndërsa Nissan Leaf është makinë tërësisht elektrike e projektuar për rrugë të shkurtra.

Makinat elektrike përbënin dikur një pjesë të madhe të tregut.

Makina elektrike u prodhua në Los Anxhelos nga një nxënës i shkollës së mesme, Ërl Antoni, në vitin 1897. Në fillim të viteve ‘20, në rrugët e Amerikës kishte shumë makina elektrike.

Por makinat me benzinë, meqenëse bënin rrugë më të gjata, filluan të dominonin autostradat.

Në vitin 1996, General Motors nxori makinën EV-1. Lesli Kendall punon në Muzeun e Automjeteve Petersen dhe thotë se njerëzit e pëlqyen atë makinë.

“Nuk ka dyshim që dukej bukur. Ajo u testua në tregjet kryesore amerikane dhe reagimet ishin pozitive. Dhe punonte shumë mirë.”

Por ishte e shtrenjtë për t’u prodhuar dhe nuk bënte dot rrugë të gjata. Prodhimi u ndërpre pas 1999-ës.

Modelet e sotme elektrike i kanë zgjidhur disa nga këto probleme. Megjithatë, stacionet e mbushjes nuk gjenden lehtë jashtë qyteteve të mëdha, thotë Eduard Ker i kompanisë së shërbimeve elektrike Southern California Edison.

“Ne duhet të përqendrohemi tek niveli i shpërndarjes, dhe kjo është faza e fundit e zgjidhjes së problemit, sepse këto automjete do të shtohen në shumë zona.”

Stacione mbushjeje po instalohen në shtëpi dhe biznese kryesisht nga kompania AeroVironment. Kristen Helsel, e cila punon për këtë kompani, thotë se teknologjia po përhapet.

“Kudo, që nga Australia në Evropë, Kanada, Brazil përgjatë Paqësorit, nuk ka vend ku nuk po punojmë, madje edhe në Indi. Të gjitha këto vende kanë shumë interes për makina elektrike.”

Makinat hibride me naftë dhe elektrike, duke përfshirë Toyota Prius, janë përhapur mjaft tek njerëzit që duan të kujdesen për mjedisin dhe që shqetësohen për rritjen e çmimit të naftës. Megjithatë, ato ende përbëjnë një pjesë të vogël të tregut, thotë Karl Bauer i faqes studimore të automjeteve Edmunds.com.

“Motorat tradicionalë me naftë, janë ende kryesorët dhe pjesa më e madhe e kërkimeve përqendrohet tek ata. Tregu i hibrideve ka mbetur diku mes dy dhe tre për qind, gjatë pesë vjetëve të fundit. Pra është ende i vogël. Dhe sigurisht, që tregu i makinave vetëm elektrike është ende më i vogël.”

Zoti Bauer thotë se njerëzit që ngasin këto makina kanë frikë se mund t’u harxhohet energjia. Por ai thotë se po të planifikohet, kjo nuk ka pse ndodh dhe bateritë po bëhen gjithnjë e më të mira. Ai thotë se po shihet mundësia për të rritur distancën e udhëtimit të këtyre makinave.

“Një zgjidhje për të cilën është folur është ndryshimi i baterisë në vend që të presësh për orë të tëra që ajo të mbushet.”

Teknologji të tjera, si qeliza karburanti jondotëse të hidrogjenit, po testohen nga prodhuesit kryesorë të automjeteve për motorët e makinave elektrike.

Këto makina, thotë Lesli Kendall, mund të përmbushin nevojat e konsumatorëve që përballen me rritjen e çmimit të naftës.

Me zgjerimin e infrastrukturës, makinat elektrike do të bëhen gjithnjë e më tërheqëse për njerëzit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)