05 Korrik 2020

Kryeparlamentarja premton përmirësimin e kushteve të punës për minatorët

Prishtinë, 20 shkurt - Kryeparlamentarja, dr.Vjosa Osmani ka marrë pjesë në aktivitetin e shënimit të 31-vjetorit të grevës së Stan Tërgut.

Grevën e minatorëve, zonja Osmani e ka cilësuar rezistencë të dyfishtë.

“Në kontekstin historik, greva e minatorëve të Trepçës mund të trajtohet në dy rrafshe, si rezistencë aktive paqësore për të mbrojtur ekzistencën e popullit shqiptar në periudhën e okupimit klasik nga Serbia dhe, së dyti, si rezistencë  ndaj suprimimit arbitrar të autonomisë së Kosovës”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, greva shërbeu për sensibilizim qytetar dhe me angazhimin e tyre vetëmohues, minatorët i lëkundën themelet e Jugosllavisë së atëhershme. 

“Marshi i organizuar nga minatorët nga Mitrovica në Prishtinë, ishte dëshmi e qartë se si minatorët arritën ta krijonin solidaritetin dhe aktivizmin qytetar në Kosovë", ka theksuar Osmani.

Kryetarja e Kuvendit ka thënë se minatorët e Trepçës e donin Republikën, prandaj e ngritën fuqishëm zërin ndaj okupuesit dhe kundër ndryshimeve kushtetuese te asaj kohe.  

“Ngjashëm edhe sot, minatorët dëshirojnë mbrojtjen e pavarësisë se Kosovës, integritetin territorial, sovranitetin e vendit dhe dinjitetin qytetar. Falë kësaj sakrifice dhe vlerave të cilat na udhëhoqën e që përkrah nesh i rreshtuan shtetet demokratike të botës, kjo ëndërr është realizuar dhe pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Trepça është e paprekshme”, ka thënë Osmani.

Në këtë kontekst, Osmani ka thënë se ky aset strategjik i Kosovës, përballet me sfidën e zhvillimit, ndaj ka premtuar angazhimin institucional për përmirësimin e kushteve të punës për minatorët. 

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 Korrik 2020

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi Inspekton investimet në fushën e futbollit në fshatin Novosellë të Pejës. (Fshati Novosellë, ora 13:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti pret në takim drejtuesit e institucioneve shëndetësore. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton shpellën “Bukuroshja e Fjetun”, promovim i turizmit kulturor. (Pejë, ora 13:30)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Garën ndërkombëtare e automobilizimit “Kulla 2020”. (Pejë, ora 15:30)