26 Tetor 2020

Kryeministri Hoti kërkon profesionalizëm në menaxhimin e kompanive të ujërave

Prishtinë, 23 shtator - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në takimin e Këshillit Ndërministror për Ujërat, në të cilin ishin të pranishëm edhe ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, si dhe ambasadori i Zvicrës, Thomas Kolly dhe zëvendësambasadori i Gjermanisë, Jan-Axel Voss.

Kryeministri Hoti, me këtë rast, falënderoi vendet donatore, veçmas Zvicrën dhe Gjermaninë, që e kanë ndihmuar zhvillimin e sektorit të ujërave në vendin tonë.

Në këtë takim, kryeministri Hoti kërkoi profesionalizëm më të lartë nga bordet e menaxhimit të kompanive publike të ujërave në vend, duke theksuar se në disa kompani gjendja nuk është aspak e mirë sa u përket inkasimeve, ashtu edhe investimeve.

Në këtë kontekst, ai kërkoi që të bëhet një analizë e detajuar e investimeve të deritanishme në sektorin e ujërave, të shihet performanca e ndërmarrjeve publike në sektorin e ujërave, të shqyrtohet mundësia e krijimit të një trupi të përbashkët koordinues i kompanive të ujit, si dhe të rishikohet Rregullorja e Punës e Këshillit Ndërministror, pas zgjerimit të tij edhe me ministrin e Shëndetësisë dhe me atë të Bujqësisë.

Në kuadër të bashkërendimit të punës me institucionet e vendeve donatore, kryeministri Hoti ka pohuar se është e domosdoshme që komunat e Kosovës, konkretisht Komuna e Gjakovës dhe ajo e Prizrenit, t’i kryejnë obligimet e tyre financiare ndaj projekteve ekzistuese.

Ndërsa, ambasadori i Zvicrës Thomas Kolly dhe zëvendësambasadori i Gjermanisë Jan-Axel Voss, theksuan përkushtimin e vendeve të tyre për ta ndihmuar zhvillimin e sektorit të ujërave në Kosovë, porse kërkuan që krahas avancimit teknologjik, të ketë edhe shtim të profesionalizmit në menaxhimin e kompanive të ujërave.

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Tetor 2020  - Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë interviston ish-Zëvendës Drejtorin Menaxhues në AKM, Ahmet Shala. (Ndërtesa e Kuvendit, N204, ora 10:00)

- Ministria e Punëve të Brendshme, respektivisht Agjencia e Regjistrimit Civil, organizon ceremonin e lëshimit te vulës apostile dhe verifikuese edhe në Komunën e Pejës në të cilën do të jetë edhe ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agim Veliu. (Qendra për Pajisje me Dokumente në  Komunën e Pejës, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-I9 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës njoftohet me dëshmitë e dëshmitarëve të ekipesë vullnetare në Qendrën Karantinë në Prishtinë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 11:00)

- Vazhdon seanca gjyqësore me shpalljen e aktgjykimit, lidhur me rastin e T.L. i akuzuar për veprën penale Vrasje e rëndë dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll  ose posedim të paautorizuar të armëve. (Gjykata Themelore në Ferizaj, kati I-rë, salla nr.2, ora 11:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, viziton nesër Komunën e Gjilanit. (Teatri i Gjilanit, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë interviston ish- nëtarin e Bordit të AKM-së, përfaqësues i sindikatave të punëtorëve. (Ndërtesa e Kuvendit, N204, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C-301, ora 14:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-I9 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës njoftohet me dëshmitë e dëshmitarëve Vlora Hasimja, Mjeke nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare dhe Lume Sopjani, Infermiere, QKMF. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 12:30)