19 Janar 2022

Kosto e ndërtimit në Kosovë shënon rritje për 3.3 për qind

Prishtinë, 8 dhjetor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon Indeksin e Kostos së Ndërtimit (IKN) për tremujorin e tretë (TM3) 2021.

Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë (IKN) pati rritje për 3.3 për qind në TM3 2021, krahasuar me tremujorin e dytë (TM2) 2021.

Rritje më të madhe kishte te: energjia (13.4 për qind); transporti (6.7 për qind); materialet (3.6 për qind); kostot e tjera (1.6 për qind); makineritë( 0.9 për qind); dhe pagat (0.8 për qind).

Ndërkaq, krahasuar TM3 2021 me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM3 2020) Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati rritje për 15.2 për qind.

Ngritja e indeksit, kryesisht u vërejt te kategoritë: materiale (20.5 për qind); energji (17.0 për qind); kostot e tjera (4.3 për qind); makineri (3.4  për qind); dhe paga (2.3 për qind).

Ngritja e çmimeve u neutralizua kryesisht me uljen e çmimeve te transporti (-2.8 për qind).

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 janar 2022

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e Drejta Banesore, shqyrton raportin e grupit punues në lidhje me zbatimin e mbikëqyrjes së Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit dhe NED-it mban konferencë për media në të cilën do të prezantohet analiza me titull “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: problemet juridike të Projektligjit aktual”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton draft raportin e monitorimit të Ligjit për Shëndetin Mendor dhe diskuton për punën e Këshillit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. . (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike inicon procedurat lidhur me auditimin e raporteve vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës, së subjekteve politike, për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)
 
- Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- The British School of Kosova organizon shfaqjen edukativo - arsimore për fëmije  "Mushkonjat dhe Princi". (Teatri "Faruk Begolli" në Kolegjin AAB, ora 11:00)

- Administrata Tatimore e Kosovës mban ceremoninë e themelimit të 22 vjetorit të saj në të cilën do të marrin pjesë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe drejtues nga odata ekonomike, përfaqësues nga institucionet ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues nga organizatat e kontabilitetit. (Qendra e Shërbimit për Tatimpagues, ish-ndërtesa e Gërmisë, sheshi Skënderbeu, ora 14:00)

- Në kuadër të manifiestimit 'Flaka e Janarit' hapet ekspozitë memoaresh e kujtimesh "Dhoma e Kadriut, Jusufit dhe Bardhoshit". (Muzeu Etnologjik i qyteti të Gjilanit, ora 16:00)

- Partia Socialdemokrate do të mbaj tubim me qytetarë ku do të shpaloset Manifesti - dokumenti i parë i partisë. (Hotel Grand, ora 17:00)