23 Janar 2019

Kosova e hapur për investimet kanadeze në fushën e minierave

Prishtinë, 4 maj - “Kosova është falënderuese për rolin e Kanadasë në periudhat më të vështira dhe prezencës së saj ushtarake dhe humanitare në vend. Tani kjo ndihmë duhet të konkretizohet me projekte ekonomike për të cilat vendi ka nevojë dhe ka se çka ofron”, kështu tha Kryeministri Ramush Haradinaj, pasi priti në takim delegacionin nga Kanada, të kryesuar nga  ambasadori jo-rezident në Kosovë, Daniel Maksymiuk dhe Komisioneri shtetëror i gjuhëve të Kanadasë, Raymond Théberge.

Zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, dinamikat qeverisëse si dhe për procesi i integrimeve euro-atlantike për Kosovën ishin disa nga temat e diskutimit në këtë takim.

“Duke e vlerësuar mbështetjen e Kanadasë për Kosovën, në proceset e shtetndërtimit dhe konsolidimit tonë të vazhdueshëm ndërkombëtar shpreha gatishmërinë edhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe investimeve, me theks të veçantë, investimeve në sektorin e minierave, të cilat në këtë shtet radhiten si një nga industritë primare”, tha Kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj falënderoi komisionerin Théberge për ndihmën e dhënë në sensibilizimin e rëndësisë për përdorimin e dygjuhësisë në institucionet e vendit, përmes Zyrës së Komisionerit për Gjuhët, derisa nga ambasadori Maksymiuk dhe delegacioni kanadez kërkoi thellimin e bashkëpunimit ekonomik, duke i ftuar investitorët kanadez, veçmas nga fusha e minierave që të investojnë në Kosovë.

“Kanadaja është adresa e duhur për ne, për partneritet në fushën e minierave”, tha Kryeministri Haradinaj.

Nga ana tjetër, ambasador jo-rezident në Kosovë, Daniel Maksymiuk tha se Kanadaja e konsideron Kosovën si vend mik dhe me të cilin do ta vazhdojë bashkëpunimin edhe në të ardhmen.

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 janar 2019  - Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil – faza 2”, i cili po mbështetë Ministrinë e Drejtësisë organizon ngjarjen “Rruga drejt një Kodi Civil modern të Kosovës,”. (Amfiteatri i Madh në ndërtesën e re të Qeverisë, ora 9:30)

- Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova do të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Kodit të ri Civil për Kosovën në Ministrinë e Drejtësisë. (Amfiteatri i Madh në ndërtesën e re të Qeverisë, ora 10:00)

- Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria e Kosovës organizojnë aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut për nevojat e Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut. (Komanda e  Forcave Tokësore të FSK-së, kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë, ora 10:00)

- Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj pret në takim kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me të cilin do të nënshkruaj marrëveshje bashkëpunimi. (Kabineti i ministrit te Infrastrukturës dhe Transportit, ora 10:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! shënon 100 vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit me homazhe tek shtatorja në Prishtinë. (Prishtinë, ora 10:30)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të diskutohet lidhur me kërkesën e Rektorëve të Universiteteve Publike rreth programeve të pa akredituara. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Me rastin e 90 vjetorit të lindjes së regjisores së mirënjohur të kinemasë shqiptare Xhanfise Keko, nën patronatin e Ministrisë së Kulturës dhe Ambasadës së Shqipërisë, do të shfaqet premierë filmi dokumentar "Koha e pelikulës" i regjisorit Mevlan Shanaj, dedikuar artistes që ia kushtoi krijimtarinë, botës së madhe të fëmijëve të vegjël. (Kino ABC, ora 11:00)
 
- Kryeministri Ramush Haradinaj vizitë pune në ndërmarrjen “Fox Marble”. (Fshati Poturovc në Lipjan, ora 12:30)

- Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, do të mbajë mbledhjen e radhës, në të cilën do te shqyrtohet draft-Planit të punës së Komisionit për vitin 2019. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N-302, ora 13:00)

- Mbahet takimi i përbashkët i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Objekti i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rr. “Luan Haradinaj”, ora 14:30)

- Jepet shfaqja “I vetëm në banesë” i autorit gjilanas Avni Shkodra, me regji të Natyra Kallabës, kurse do të luajnë aktorët e Tetarit të Gjilanit. (Teatri i qyteti te Gjilanit, ora 19:00)