21 Gusht 2019

Gjilani ka vështirësi me furnizim me ujin

Gjilan, 19 korrik - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka mbajtur takimin me task-forcën për menaxhimin e thatësisë, ku është vlerësuar se gjendja me furnizim me ujë të pijes është e vështirë për shkak të konsumit të shtuar të ujit, mirëpo ka konfirmuar se në bashkëpunim me Kompania Regjionale të Ujit “Hidromorava” dhe me institucionet që e monitorojnë shpenzimin, qytetarët e Gjilanit nuk do të mbeten pa ujë të pijes edhe nëse është i nevojshëm furnizimi alternative.

“Kishim takimin e përbashkët ndërinstitucional për të vlerësuar gjendjen me furnizim me ujë, ku është konstatuar se reshjet e fundit e kanë ndihmuar gjendjen e vështirë që kishim, por ende të pamjaftueshme për furnizim pa reduktime. Edhe më tutje apelojmë që shfrytëzimi i ujit të mos ndodh jashtë kritereve dhe kërkesave. Jemi në monitorim të vazhdueshëm me inspektorët komunal, zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe punëtorët e ndërmarrjes, dhe deri më tani nuk kemi shqiptuar dënime për këqpërdorim të ujit, përpos vërejtjeve që kemi dhënë në disa raste”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka potencuar se në kuadër të furnizimit me ujë të pijes, ka filluar të shënohet rritja e konsumit dhe kjo është normale për shkak të ardhjes së bashkëatdhetarëve tanë, por i sigurojmë qytetarët se projektet e Komunës në rrjetin e ujësjellësit do të vazhdojnë sikur në lagjen “Skifter Arifi”, pastaj përfundimin e rrjetit në lagjen “Porodin”, do të vazhdohet me programin e rregullimit të rrjetit të kanalizimit në rrugën e Prishtinës tek aeroporti bujqësor dhe në lagjet e tjera.

“Uji është jetë dhe duhet ta ruajmë të gjithë bashkërisht deri në stabilizimin e gjendjes. Një lajm i mirë është se tashmë projekti për furnizim nga burimet alternative është dorëzuar në qeverinë e Kosovës duke marrë mbështetjen e ministrit të Financave Bedri Hamza, atij të ambientit Fatmir Matoshi dhe ministrit të zhvillimit ekonomik Valdrin Lluka dhe presim që shumë shpejt të aktivizohet fondi emergjent për Gjilanin”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri.

Ndërsa në fjalën e tyre drejtori i KRU “Hidromorava”, Muhamet Suliqi dhe komandanti i Stacionit të Policisë në Gjilan, Alban Ramushi, kanë potencuar angazhimin maksimal për furnizim me ujë, me reduktime dhe gjendje gatishmërie edhe për furnizim alternative, sikur që kanë njoftuar për masat shtrënguese për ata që bëjnë keqopërdorimin e tij, duke shprehur falënderimin për mirëkuptimin qytetarë që po ndodh në këtë kohë të vështirë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 gusht 2019 - Vazhdon greva e punëtoreve të Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “ Adem Jashari”. (Aeroporti i Prishtinës, ora 8:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka dhe drejtori i Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale Fejzë Kabashi do të vizitojnë disa shtëpi të cilat po ndërtohen në kuadër të projektit “Ndërtimi i shtëpive për familjet skamnore”. (Lagjja “Bajram Curri” e më pas do të vizitohen edhe disa shtëpi në fshatin Zhur. (Nisja do të bëhet nga Shtëpia e Bardhë, ora 9:45)

- Në kuadër të Etnofestit mbahet punëtoria kreative dhe instalacione me atelje te pikëtorëve dhe skulptorëve. (Ambientet e Etnofestit në fshatin Kukaj, ora 10:00)

- Ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala dhe kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, do të nënshkruajnë memorandum të bashkëpunimit për rregullimin e objektit Mulitifunksional Inovativ në Shtime. (Objekti i Ministrisë së Punëve të Jashtme kati i 3-të, ora 10:00)

- Mbahet mbledhjen e rregullt të Komitetit për Politikë dhe Financa e Komunës së Mitrovicës. (Salla e mediave të Komunës së Mitrovicës, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala miraton draft raportin e punës së Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, pret në vizitë  Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi. (Zyra e Kryetarit të Komunës së Deçanit, ora 11:00)

- Fillojnë punimet në rrugën Budisalc-Zllakuqan i Klinës. (Pranë përmendores së Kolë Mirditës në Zllakuqan, ora 11:00)

- Komuna e Vushtrrisë mban mbledhje komemorative për veteranin e arsimit dhe UÇK-së, si dhe ish drejtorin e arsimit në Komunën e Vushtrrisë, Behxhet Jashari. (Salla e Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë, ora 11:30)

-  Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe Nënkryetari Muhedin Nushi do të mbajnë konferencë për media. (Objekti i vjetër të Komunës, ora 11:30)

- Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi vëjn gurethemelin e shkollës fillore “Heronjtë e Dukagjinit” në Gllogjan. (Gllogjan, ora 11:30)

- Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi inspektojn punimet në objektin përcjellës të Shkollës Fillore “Isa Boletini” në Isniq. (Isniq, ora 12:00)

- Agjencia Kosovare e Privatizimit mban ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve përmes Likuidimit nr.49. në të cilën janë 132 asete. (Hoteli Grand, ora 12:30)

- Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj pret në takim një delegacion prej 60 studentësh të programit Akademia Verore, nga shtete të ndryshme të botës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 12:30)

- Në kuadër të Etnofestit mbahet zona e debatit për shtëpin tradicionale dhe familjen e madhe shqiptare. (Shtëpia e vjetër në Fshatin Kukaj, ora 17:00)

- Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me me banorët e e rajonit të Zhupës dhe Podgorës me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shtëpia e Kulturës në Reçanë, ora 19:00)