17 Tetor 2018

Çmimi nën kosto të prodhimit rrezikon bizneset dhe ulë kualitetin në treg

Prishtinë, 21 shtator - Adresimi i problemeve të identifikuara nga  bizneset anëtare dhe gjetja e zgjidhjeve më të përshtatshme për të gjitha palët e interesit janë ndër arsyet kryesore për të cilat Oda e Afarizmit të Kosovës(OAK) po realizon takime me përfaqësues të institucioneve të ndryshme vendore, e ndër të cilat është edhe drejtori i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK) Valon Prestreshi.

Ndër problemet të cilat po i shqetësojnë bizneset anëtare e që kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës Skënder Krasniqi theksoi në këtë takim ishte ofrimi i produkteve në treg me çmim nën kosto të prodhimit, e që pjesa dërmuese e bizneseve e konsideruan si shumë problematike.

Sipas drejtorit Prestreshi, Kosova në bazë të kushtetutes bazohet në ekonomin e tregut dhe hezitimi i bizneseve për adresim të problemeve po ju vështirëson punën, andaj është mëse i nevojshëm bashkëpunimi me biznese të sektorëve të ndryshme.

Prestreshi ndër të tjera shtoi që përgjegjësi e Autoritetit të Konkurrencës janë kartelet, abuzimi me pozitë dominuese dhe përqëndrimi dhe se është i hapur për çdo bashkëpunim me bizneset në këto fusha.

Sekretari i OAK-së Diamant Elshani shtoi që bizneset po e shohin Odën si të vetmin opsion për adresim të problemeve, sepse vetëm kështu kërkesat e tyre po arrijnë deri tek institucionet kompetente edhe në mënyrë anonime, gjë e cila po i lehtëson dhe po ju shton sigurinë.

Gjatë javës së ardhshme pritet të realizohet një takim në mes të OAK-së, AKK-së dhe bizneseve.

OAK dhe AKK kanë memorandum bashkëpunimi për përfaqësimin dhe zgjidhjen e problemeve të të bërit biznes.

Në këtë takim Oda e Afarizmit të Kosovës u përfaqësua nga: kryetari i bordit Skënder Krasniqi, sekretati i bordit Diamant Elshani, koordinatorja Donika Gashi dhe zyrtarja Mirjeta Shala.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 tetor 2018

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Mbahet ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Ministrisë se Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, për financimin e projektit “Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP". (Rektorati i UP-së, ora 10:00)

- Mbahet tryeza e kampanjës informuese “Kodi Civil ndikon në statusin ligjor të qytetarëve”, organizuar nga  projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil – faza 2”. (Hotel Happy në Gjakovë, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, të cilin do ta nderojë me medaljen e Gjergj Kastritot - Skenderbeu. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00)

- Pesë profesorë  nga Budapesti do të vizitojnë  Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, ku edhe promovohet libri “Distribution atlas of vascular plants in Albania” botuar nga botanisti prof. dr. Zoltán Barina dhe mbahet një ligjëratë nga prof. dr. Antal Molnár. (Amfiteatrin e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit, ora 10:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi  do të nënshkruajë Udhëzimin Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore. (Kabineti i Ministrit Matoshi, kati 17, ish objekti “Rilindja”, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa në të cilën do të shqyrtohet plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Automjete, për Efiçiencë të energjisë, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përuron objektin e Qendrës Rinore në Vushtrri. (Vushtrri, ora 11:00)

- Drejtori i Mbrojtjes dhe Shpetimit, Sami Spahiu nga Komuna e Gjilanit mban konferencë për media. (Zyra e krytarit të komunës, ora 11:00)

- Let’s Do It Kosova do të organizoj aksionin e pastrimit në Lipjan. (Oborri i Komunës së Lipjanit, ora 12:00)

- Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike do të mbajë mbledhjen e radhës në të cilën do të shqyrtoj vlerësimet e sindikatës së MPJ-së lidhur me shkeljet në shërbimin e jashtëm. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N-303, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 225, ora 13:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media. (Zyrat e Vetëvendosjes, ora 15:00)

-  Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, merr pjesë në takim me struktura drejtuese të Nismës në Vushtrri dhe Mitrovicë. (Restaurant Holiday në Vushtrri, ora 17:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, merr pjesë në hapjen e “Java e bizneseve nga diaspora”, e cila organizohet nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare. (Hotel Emerald, ora 19:00)