18 Janar 2020

Beqaj zotohet se prodhuesit vendorë do të përkrahen edhe në aspektin ligjor

Prishtinë, 18 janar - Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, në kuadër të aktiviteteve për njohjen e ndërmarrjeve që synojnë rritjen e efektshmërisë së prodhimit përmes inovacionit, ka vizituar sot fabrikën për prodhimin e qeseve plastike “Scampa”.

Pas vizitës në hapësirat prodhuese të kësaj fabrike, ministri Beqaj ka theksuar rëndësinë e përkrahjes se prodhuesve kosovarë në rritjen e prodhimit dhe ngritjen e nivelit të eksporteve.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që të përkrahim prodhimin vendor dhe prodhimin që shkon drejt eksportit. Unë e sigurova prodhuesin “Scampa” se përkrahja institucionale nuk do të mungojë qoftë në bazën ligjore edhe në aspekte të tjera”, tha ministri Beqaj.

Ministri Beqaj inkurajoi pronarin e fabrikës “Scampa” me rastin e fillimit të bashkëpunimit me kompani belge për prodhimin, që përfshinë inovacion të tërësishëm për kryerjen e shërbimeve.

“Ajo që më bëri përshtypje është se të gjitha mbetjet riciklohen dhe kthehen në prodhim. Për mua janë shumë me rëndësi ambiciet e kompanisë “Scampa”, shtoi ministri Beqaj.

Pronari i fabrikës “Scampa”, Kujtim Gjevori, theksoi se themelimi i kësaj fabrike ka bërë që të ndalet importi i qeseve plastike dhe që tashmë kjo fabrikë synon eksportin edhe në vendet jashtë Kosovës.

Fabrika e prodhimit të qeseve plastike “Scampa” veprimtarinë e saj prodhuese e zhvillon në Parkun e Biznesit në Drenas.

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 janar 2020 - Federata e Futbollit e Kosovës do të fillojë projektit zhvillimor “Elite Youth Development Programme U15”, i cili do të realizohet në të gjitha regjionet. (Fusha e mbuluar “Prince” në lagjen Arbëri në Prishtinë, ora 9:00)

- Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj merr pjesë në Akademinë Solemne “Faleminderit Shqipëri”. (Qendra “BogdaniPolis”, Katedralja “Shën Nënë Tereza”, ora 10:00)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të marrë pjesë në Akademinë Solemne “Faleminderit Shqipëri”.  (Qendra “Bogdanpolis” në Prishtinë, ora 10:00)

- Teatri i Qytetit të Prishtinës 'Dodona' shfaq premierën për fëmijë “Fjalët magjike” nga Alba Loxha e në regji të Shkurtë Aliut e cila trajton nevojën e përdorimit të fjalëve magjike: “më fal”, “të lutem”, “faleminderit” etj., nga fëmijët. (Teatri Dodona, ora 12:00)