20 Prill 2024

Beqaj: Qeveria po krijon bazën për zhvillimin e Trepçës

Prishtinë, 4 korrik - Ndërmarrja Trepça është një burim i jashtëzakonshëm natyror, një pasuri e cila Kosovën e ka bërë të njihet ndërkombëtarisht, e cila në të ardhmen me përkushtimin institucional dhe menaxhmentit do të jetë një nga minierat më të fuqishme në nivel të rajonit, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

Këto komente Beqaj i bëri sot gjatë vizitës në horizontin e 10 të minierës së Trepçës, ku shoqërohej nga kryetari i KK të Mitrovicës, Avni Kastrati dhe drejtori menaxhues i Trepçës, Ferat Shala dhe stafi i minierës.

Me këtë rast, ministri Beqaj tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të krijoj strategji të qartë minerare dhe normalisht të kemi legjislacion i cili mundëson zhvillimin e Trepçës si një kompleks jashtëzakonisht i rëndësishëm.

“Ajo çka ne pamë këtu dhe që u njoftuam edhe nga menaxhmenti, për herë të parë pas luftës Trepça ka afarizëm pozitiv, ka punësuar të rinj të cilët do të bartin barrën e zhvillimit të këtij kompleksi”, tha Beqaj duke shtuar se tashmë kjo ndërmarrje nuk është një mit por një realitet.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka për qëllim të krijojë ambient ligjor dhe hapësirë të mirëfilltë për punë, që kjo ndërmarrje të kthehet nën menaxhimin e institucioneve të Kosovës dhe ky është një hap i madh dhe i rëndësishëm për ekonominë e vendit.

Beqaj është shprehur i sigurt për perspektivën e këtij kompleksi bazuar në përkushtimin e stafit të saj, të cilët me forca vetanake kanë rinovuar teknologjinë dhe po hapin horizonte të reja, që tregon se vendi ka një zhvillim të aktivitetit ekonomik në këtë lëmi që ka zgjuar edhe interesimin ndërkombëtar.

Ai ka thënë se si ministër që mbulon sferën e minierave ka marrë obligim që sa më shpejtë të rregullojë bazën legjislative, në mënyrë që Kompleksi Trepça të zhvillohet ashtu siç e parashohin punëtorët dhe menaxhmenti i saj.

Nga ana e tij, drejtori menaxhues i Trepçës, Ferat Shala ka theksuar punën që është duke u bërë në këtë ndërmarrje për të siguruar funksionimin e saj me afarizëm pozitiv, ndërsa ka falënderuar institucionet për mbështetjen që i kanë dhënë.

Ndërkaq, kryetari i KK të Mitrovicës Avni Kastrati tha se Kompleksi Trepça ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit duke pranuar edhe punëtorë të rinj me çka po ndikon direkt në ekonominë e kësaj komune, duke shprehur tërë mbështetjen e qeverisë lokale.

Ndryshe, në kuadër të vizitës në Mitrovicë, ministri Beqaj ka zhvilluar një takim edhe me kryetarin e komunës, Avni Kastrati nga i cili është njoftuar lidhur me zhvillimet e fundit në këtë rajon dhe hapat e ndërmarra për tejkalimin e saj.

Ministri Beqaj më pas ka vizituar Muzeun e Kristaleve në ndërtim e sipër dhe atë ekzistues, Ujësjellësin Regjional në Mitrovicë dhe ndërmarrjen private për prodhimin e shtyllave të betonit TehnoBurimi, ku është njoftuar me punën e tyre dhe sfidat me të cilat ballafaqohen, me ç’rast ka siguruar ata se mbështetja institucionale nuk do të mungojë. 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)