08 Korrik 2020

ZRRE nënshkruan marrëveshje me Komisionin Rregullativ të Energjisë të Maqedonisë

Prishtinë, 19 nëntor - Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) e Republikës së Kosovës dhe Komisioni Rregullativ për Energji dhe Ujë (KRRE) i Republikës së Maqedonisë Veriore kanë nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi.

Nënshkrimi i kësaj Marrëveshje shpreh interesin e përbashkët të të dy institucioneve për të bashkëpunuar në përmbushjen e obligimeve të tyre për rregullimin e sektorëve të energjisë të të dyja vendeve.

Përmes nënshkrimit të kësaj marrëveshje, të dy autoritetet rregullative janë pajtuar që të shkëmbejnë informata mbi praktikat e aplikuara, gjatë përmbushjes së obligimeve që janë në interes të përbashkët publik të të dyja vendeve.

Shkëmbimi i përvojave do të aplikohet në fushën e Politikave rregullative në sektorin e energjisë, përvojave në monitorimin e aktiviteteve të licencuara, metodologjitë e aplikuara në përcaktimin e tarifave për aktivitetet energjetike, ndërtimin e gjeneratorëve të rinj të BRE-ve dhe mënyrat e mbështetjes së projekteve nga BRE-të, si dhe praktika të tjera të aplikuara që do të ndihmojnë në ngritjen e kapaciteteve profesionale të të dy institucioneve.

Me këtë rast, ushtruesi i detyrës së Kryesuesit të Bordit të ZRRE, Z. Arsim Janova, ka potencuar se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje po konkretizohet bashkëpunimi në mes të dy rregullatorëve.

Ky bashkëpunim, siç ka theksuar ai, nuk ka munguar edhe në të kaluarën, posaçërisht në grupet e ndryshme punuese të Komunitetit të Energjisë ku të dy institucionet janë anëtare. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në aspektin e transpozimit të direktivave të Bashkimit Evropian në kornizën rregullative të të dy vendeve.

Kryetari i Komisionit të KRRE, Marko Bislimoski, duke falënderuar përfaqësuesit e ZRRE për mikpritjen, ka theksuar se me nënshkrimin e marrëveshjes po zyrtarizohet bashkëpunimi në mes dy rregullatorëve, veçanërisht të aktiviteteve në kuadër të Komunitetit të Energjisë, ku të dy rregullatorët kanë interesat e përbashkëta pasi që po ashtu si dy vende fqinje kanë edhe problemet e njëjta.

Përfaqësuesit e të dy rregullatorëve janë pajtuar që organizimet e ardhshme në kuadër të bashkëpunimit të jenë në nivelin teknik të ekspertëve, ku do të shkëmbehen përvojat dhe ekspertizat e aplikuara në trajtimin e çështjeve të ndryshme të rregullimit të sektorit të energjisë në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Maqedonisë Veriore.   

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 Korrik 2020

- Komisioni për Buxhet dhe Transfere shqyrton në parim Projektligjin  për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020. (Ndërtesa e Kuvendi, salla C301, ora 10:00)

- Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Drejtësisë, Rrjetit të Grave të Kosovës, Shoqatës “Rrjeti i Shitësve me Pakicë”, i cili qëllim kryesor ka krijimin e lehtësirave në punësim, të personave të strehuar në strehimoret e dhunës në familje dhe të mbijetuarat/it e dhunës seksuale gjatë luftës. (Hapësirat e Ministrisë së Drejtësisë, kati i 9-të, salla 914, ora 11:00)

- Komuna mban dëgjim publik me banorët të fshatrave Çifllak, Polluzhë dhe Dobidol për përgatitjen e buxhetit për vitin 2021 dhe kornizës afatmesme 2021-2023. (Objekti i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët ”Rilindja”në fshatin Çifllak, ora 19:00)

- Komuna mban dëgjim publik me banorët të fshatrave Kramovik, Guri i Kuq dhe Mrasor për përgatitjen e buxhetit për vitin 2021 dhe kornizës afatmesme 2021-2023. (Objekti i Shkollës  Fillore të Mesme të Ulët “Mustafë Ibishi” në fshatin Kramovik, ora 20:00)