29 Mars 2024

ZRRE diskuton daljen e konsumatorëve në treg të lirë të energjisë elektrike

Prishtinë, 12 janar - Përfaqësues të Rregullatorit për Energji, sot kanë mbajtur një takim informues me përfaqësuesit e Kompanive Rajonale të Ujësjellësve (KRU), Shoqatës së Kompanive të Ujësjellësit dhe Kanalizimit të Kosovës (SHUKOS),  Këshillit Ndërministror për Ujëra pranë Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit si dhe përfaqësues të  Autoritetit Rregullator për Ujëra (ARRU).

Qëllimi i takimit ishte shkëmbimi i informatave në lidhje me veprimet konkrete që nevojitet të ndërmerren në kuadër të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike dhe afatin e përcaktuara nga Rregullatori i energjisë.

Në këtë takim përfaqësues të Rregullatorit kanë potencuar edhe njëherë veprimet që janë ndërmarr për harmonizimin e legjislacionit sekondar me ligjet e reja primare, duke nxjerrë “Udhëzuesin për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në Kosovë”.

Udhëzuesi përcakton mënyrën, kushtet dhe kohën e fillimit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë, në nivelin e prodhimit dhe furnizimit me energji elektrike.

Sipas legjislacionit në fuqi, të drejtën e furnizimit me shërbim universal, ku edhe për një kohë do të jenë tarifat e rregulluara, e gëzojnë të gjithë konsumatorët familjar dhe jo-familjar që kanë qarkullim vjetor jo më shumë së dhjetë (10) milion euro, ose që kanë më pak se pesëdhjetë (50) punonjës.

Ndërsa konsumatorët jo shtëpiak të kyçur në nivelin e tensionit 35 kV dhe nivelin e tensionit 10 kV, të cilët nuk i plotësojnë kriteret e lartpërmendura do t’i nënshtrohen kushteve dhe çmimeve të tregut për furnizim me energji elektrike më së largu deri më 31 mars 2021.

Përfaqësuesit e Rregullatorit kanë njoftuar se sipas Ligjit për Energjinë Elektrike, në rast se konsumatori dështon të gjejë furnizues me çmime të parregulluara brenda afatit të përcaktuar më lartë, konsumatorit për një kohë, jo më të gjatë se gjashtëdhjetë (60) ditë, do t’i sigurohet Furnizimi i garantuar.

Rregullatori ka siguruar të pranishmit se roli i tij do të mbetet i njëjtë në përkujdesin ndaj konsumatorëve dhe se do vazhdojë edhe në të ardhmen të monitorojë të gjithë operatorët për të siguruar se po respektohen rregullat e tregut dhe konsumatorëve po ju ofrohen shërbime të duhura pa diskriminim.

ZRRE ka njoftuar se tashmë janë licencuar 8 kompani për furnizim me energji elektrike dhe ka inkurajuar që konsumatorët të fillojnë procedurat për të gjetur furnizuesit, që ofrojnë çmimet e derregulluara dhe që janë të përfshirë në Regjistrin e publikuar nga Rregullatori  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)