28 Shtator 2022

Zbatimi i prioriteteve për investime në KOSTT nuk është bërë në mënyrë efektive

Prishtinë, 30 korrik - Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Projektet kapitale të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (2015-2021)”.

Ky auditim kishte për qellim të vlerësojë nëse menaxhmenti i ndërmarrjes publike KOSTT ishte siguruar se projektet kapitale për vitet 2015-2021 janë prioritizuar dhe planifikuar në mënyrë të duhur.

Po ashtu, është vlerësuar nëse menaxhimi i proceseve të prokurimit është bërë konform legjislacionit në fuqi dhe nëse janë arritur rezultatet e synuara.  Auditimi ka përfshirë aktivitetet e prokurimit që nga prioritizimi i tyre e deri tek rezultatet.

Rezultatet e  auditimit tregojnë se, edhe pse kishte proces të duhur të vendosjes së prioriteteve për investime, zbatimi i tyre nuk është bërë në mënyrë efektive.

Aktivitetet e prokurimit për këto investime nuk kishin qenë mjaftueshëm efektive dhe efikase, e në disa raste as ekonomike.

Megjithatë, projektet e realizuara kishin mundësuar operim stabil të sistemit të transmisionit të energjisë.

Pavarësisht se  KOSTT-i kishte vendosur procese për prioritizim të projekteve që janë në përputhje me praktikat ndërkombëtare, janë evidentuar mangësi në zbatimin e prioriteteve.

Kjo për shkak se disa projekte që ka vlerësuar se kanë prioritet të lartë, nuk janë zbatuar edhe pas pesë viteve që janë identifikuar, ndërsa ka realizuar projekte të cilat për nga prioriteti qëndrojnë më ulët.

Për pasojë mund të ketë jostabilitet në furnizim me energji, në disa rajone të vendit, në kohën kur konsumi i energjisë është i lartë.

Poashtu KOSTT-i nuk ka arritur të menaxhojë disa nga proceset e prokurimit në mënyrën e duhur për shkak se nuk kishte bërë hulumtim të mirë të tregut para përpilimit të specifikave teknike, ndarje jo të mirë të detyrave dhe menaxhim jo i mirë i kontratave publike, faktorë këta që kanë kontribuar në mosrealizim të objektivave të prokurimit.

Sipas gjetjeve të auditimit, realizueshmëria e kontratave sipas raportimeve të bëra nga KOSTT ka arritur që të reduktoj humbjet në energji dhe energjinë e pa dërguar te qytetarët.

Mirëpo mungesa e inspektimit të pajisjeve dhe stabilimenteve elektroenergjetike të nënstacioneve elektrike nga Inspektorati i Energjisë në Ministrinë e Ekonomisë mund të rezultojë në pasiguri tek qytetarët dhe të sistemit elektroenergjetik.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me këtë auditim ka thënë  se është e rëndësishme që KOSTT-i të organizojë në mënyrë më efikase resurset e veta për zbatim të projekteve sipas prioriteteve, si dhe për menaxhim më të mirë të proceseve të prokurimit me qëllim të arritjes së objektivave të synuara të projekteve.

Me qëllim të përmirësimit të proceseve të prioritizimit të projekteve kapitale, të aktiviteteve të prokurimit përfshirë menaxhimin e kontratave, Zyra Kombëtare të Auditimit ka dhënë 15 rekomandime për Bordin e Drejtorëve dhe Kryeshefin Ekzekutiv të KOSTT-it.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 28 shtator 2022

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim udhëheqësin e Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Vassilis Maragos. (Kabineti i kryetarit, ora 9:50 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)

- Koalicioni 27, grupi i organizatave të shoqërisë civile që punojnë në fushën e mjedisit bën publikimin e raportit “Shkatërrimi ekologjik - Koha të veprojmë” i cili paraqet gjendjen e mjedisit në Kosovë, në raport me kërkesat e Bashkimit Evropian në kapitullin 27 “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton raportin e shpenzimeve të Kuvendit, të Bankës Qendrore, Fondit të Kursimeve Pensionale, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- OJQ EC Ma Ndryshe mban konferencën “Zhvillimi i turizmit rural dhe trashëgimisë shpirtërore - Një e ardhme e domosdoshme?”. (Kino Lumbardhi në Prizren, ora 10:00)

-  Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale takohet me kryesuesen e Bordit të Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës znj.Aida Rexhepi dhe me u.d. Drejtoreshën e Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës znj. Pranvera Zejnullahu- Raçi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Shehu Academy në bashkëpunim me projektin e USAID organizon ngjarjen “Ndërlidhja e ofertës me kërkesën në tregun e punës” me moton “Aftësim, Punësim, Zhvillim”. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Aleanca e të Rinjve të Kosovës zhvillon një aksion simbolik para Ministrisë së Arsimit, në mbështetje të kërkesave minimale të mësimdhënësve. (Para Ministrisë së Arsimit, ora 10:00)

- Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë organizon konferencën rajonale “Promovimi i Investimeve Rajonale”. (Hotel International Prishtina në Veternik, ora 11:00)

 - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim Ambasadorin e Luksemburgut, Eric Dietz. (Kabineti i kryetarit, ora 11:30 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)​

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton në parim Projektligjin për Institutin e krimeve të kyera gjatë luftës në Kosovë, dhe raportet e komisioneve kryesore për Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 13:00)

- Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Kastriot mban konferencë për media. (Pallati i Drejtësisë, ora 13:00)

- Komisioni Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore në Kosovë shqyrton Planin e punës së Komisionit, kërkesen për buxhetin e Komisionit dhe shqyrton termat e referencës për Grupin Këshillëdhënës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 14:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike bën zgjedhjen e eksperteve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)