29 Mars 2024

Vihet gurthemeli i linjës energjetike Kosovë-Shqipëri

Prishtinë, 4 maj - Sot, në një ceremoni solemne në Nënstacionin 400/220 kV Kosova B në Kastriot, Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi dhe Ministri për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim i Republikës Federale të Gjermanisë, Dirk Niebel vunë gurthemelin në pikënisjen e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri.  

Projekti për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri është projekti i dytë kapital në Sistemin e Transmisionit të Republikës së Kosovës, i cili financohet nga Qeveria Gjermane përmes Bankës për Zhvillim-KfW, pas Paket Projektit Peja 3 i cili u bashkëfinancua nga Qeveria Gjermane dhe Qeveria e Kosovës.

Financimi i projektit të Autostradës Energjetike Kosovë-Shqipëri për pjesën e Kosovës do të bëhet nga Qeveria Gjermane bazuar në Marrëveshjen e Financimit që është nënshkruar në mes të KfW, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (Qeveria e Kosovës) dhe KOSTT për hua dhe kontribut financiar në vlerën e përgjithshme prej 33.5 milion Euro, nga e cila  16.5 milion euro grant + 17 milion euro kredi.

Ngjashëm, qeveria Gjermane nëpërmjet KfW gjithashtu do të financojë pjesën e linjës në anën e Republikës së Shqipërisë. Si shtesë e financimit gjerman, KOSTT dhe OST Shqipëri do të kontribuojnë me mjete vetanake.

Në ceremoninë zyrtare të vënies së gurthemelit në pikënisjen e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT Fadil Ismajli theksoi “Kontributi i qeverisë Gjermane nëpërmjet KfW, partneri ynë i vjetër dhe i besueshëm në zhvillimin e sistemit të transmisionit të Kosovës, është shumë i rëndësishëm, me këtë ne kemi kaluar në një formë të re të financimit të projekteve kapitale, ky është projekti i parë i cili bashkë-financohet nga burimet vetanake të KOSTT, dhe është kredia e parë zhvillimore për Republikën e Kosovës. “

Ndërtimi i linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri do të ndikojë në ngritjen e  kapaciteteve transmetuese ndërmjet dy vendeve dhe rajonit, ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, optimizmin e punës së dy sistemeve duke shfrytëzuar burimet energjetike më efiçiente, do të mundësojë zhvillimin e tregut të dy vendeve si dhe tregut rajonal të energjisë elektrike.

Për më tepër ndërtimi i kësaj linje jep mundësinë e bashkimit të dy tregjeve të energjisë elektrike dhe krijon kushte për efiçiencë më të lartë të operimit të tregut të përbashkët që është në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian.

Me implementimin e projektit të Autostradës Energjetike Kosovë-Shqipëri, do të mundësohet shkëmbimi më i madhë i energjisë në mes të dy vendeve dhe eliminimin e kufizimeve në rrjetin transmetues interkonektiv rajonal. Derisa Kosova dhe Shqipëria aktualisht janë të lidhura me një linjë interkonektive 220 kV, kapaciteti i transferit të interkoneksionit me Shqipëri nga aktualisht rreth 200MW, me vënjen në operim të këtij projekti së bashku me linjën 400kV Tirana –Podgoricë do të ngritet në rreth 900MW.

Operatori i Sistemit, Transmisonit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, është i përkushtuar për planifikimin adekuat dhe zhvillimin e Sistemit të Transmisionit si shtyllë kryesore e zhvillimit të Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës që njëkohësisht paraqesin parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit tonë.
Informata themelore për projektin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri

Vlera e tërësishme e parashikuar e projektit rreth: € 75.5 mil
Pjesa e Kosovës e parashikuar: € 33.5 mil
Pjesa e Shqipërisë e parashikuar: € 42 mil
Gjatësia e linjës: 241.5 km
Gjatësia e pjesës Kosovare: 90 km
Gjatësia e pjesës së Shqipërisë: 151.5 km
71.5 km nga kufiri me Kosovën deri në Vau i Dejes
80 km vendoset përçuesi në linjën e dyfishtë Tiranë -Podgoricë
2. Fushat 400 kV në Kosovë B dhe në NS Tirana 2
3. Projekti i Rregullimit Frekuncë – Fuqi dhe Shunt Reaktorit në NS Tirana 2
Koha e parashikuar e implementimit: 24 muaj nga data e kontraktimit të ndërtimit

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)