17 Tetor 2018

USAID shënon përmbylljen e grupit të 4-të të praktikantëve të energjetikës

Prishtinë, 9 tetor - Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) shënon përmbylljen e grupit të 4-të të praktikantëve të energjetikës në kuadër të tri institucioneve energjetike të Kosovës.   

Në dritën e nevojave aktuale dhe atyre të ardhshme të sektorit energjetik në Kosovë për personel të kualifikuar dhe të aftësuar, aktiviteti i USAID-it REPOWER-Kosovo në partneritet me Universitetin e Prishtinës dhe Institutin e Teknologjisë të Roçesterit si dhe me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) dhe Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), ka zhvilluar dhe koordinuar një program me pagesë të praktikës profesionale të nivelit Master për të vendosur studentët në cilësinë e Ekspertëve të Rinj të Energjetikës në tri institucione përfituese të projektit. 

Studentët që vijojnë programe Master të cilat janë relevante për fushën e energjetikës  janë përzgjedhur përmes një procesi transparent dhe konkurrues për angazhim në institucione relevante të energjetikës për një periudhë 6-mujore. 

Pjesmarrësit e grupit të 5-të tashmë kanë filluar praktikën e tyre profesionale në institucionet përkatëse.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 tetor 2018

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Mbahet ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Ministrisë se Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, për financimin e projektit “Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP". (Rektorati i UP-së, ora 10:00)

- Mbahet tryeza e kampanjës informuese “Kodi Civil ndikon në statusin ligjor të qytetarëve”, organizuar nga  projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil – faza 2”. (Hotel Happy në Gjakovë, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, të cilin do ta nderojë me medaljen e Gjergj Kastritot - Skenderbeu. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00)

- Pesë profesorë  nga Budapesti do të vizitojnë  Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, ku edhe promovohet libri “Distribution atlas of vascular plants in Albania” botuar nga botanisti prof. dr. Zoltán Barina dhe mbahet një ligjëratë nga prof. dr. Antal Molnár. (Amfiteatrin e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit, ora 10:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi  do të nënshkruajë Udhëzimin Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore. (Kabineti i Ministrit Matoshi, kati 17, ish objekti “Rilindja”, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa në të cilën do të shqyrtohet plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Automjete, për Efiçiencë të energjisë, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përuron objektin e Qendrës Rinore në Vushtrri. (Vushtrri, ora 11:00)

- Drejtori i Mbrojtjes dhe Shpetimit, Sami Spahiu nga Komuna e Gjilanit mban konferencë për media. (Zyra e krytarit të komunës, ora 11:00)

- Let’s Do It Kosova do të organizoj aksionin e pastrimit në Lipjan. (Oborri i Komunës së Lipjanit, ora 12:00)

- Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike do të mbajë mbledhjen e radhës në të cilën do të shqyrtoj vlerësimet e sindikatës së MPJ-së lidhur me shkeljet në shërbimin e jashtëm. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N-303, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 225, ora 13:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media. (Zyrat e Vetëvendosjes, ora 15:00)

-  Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, merr pjesë në takim me struktura drejtuese të Nismës në Vushtrri dhe Mitrovicë. (Restaurant Holiday në Vushtrri, ora 17:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, merr pjesë në hapjen e “Java e bizneseve nga diaspora”, e cila organizohet nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare. (Hotel Emerald, ora 19:00)