18 Tetor 2019

Udhëheqja e dy korporatave nga i njëjti person konflikt interesi

Prishtinë, 20 shkurt - Drejtori menaxhues i Korporates Energjetike të Kosoves (KEK), Arben Gjukaj përvec KEK-ut udhëheq edhe korporatën e re të rrjetit dhe furnizimit, e krijuar pas procesit të shthurjes së KEK-ut.

 

Kryetarja e komisionit të energjetikës, Myzejene Selmani, thotë se udhëheqja e dy korporatave nga i njëjti person paraqet konflikt interesi. Por zyrtarët e KEK-ut e mohojnë një gjë të tillë, me arsyetimin se korporata ende është pasive. Ndërkohë, përfaqësuesit e sindikatës së KEK-ut shfaqin shqetësimin për shkurtimin vendeve të punës.

Autoritetet vendore kanë marrë vendim për shthurjen e KEK-ut, dhe në bazë të ligjit të ndërmarrjeve publike, është krijuar korporata e re e furnizimit dhe distribucionit që duhet të shkojë drejt privatizimit. Në krye të kësaj korporate si drejtor i përkohshëm gjendet drejtori aktual i KEK-ut, Arben Gjukaj. Kryetarja e komisionit të energjetikës në Kuvendin e Kosovës, Myzejene Selmani, thotë se kjo paraqet shkelje ligjore, pasi i njëjti person nuk mund të udhëheq njëkohësisht dy korporata.

“Drejtori momental i KEK-ut është ushtrues detyre i drejtorit të Korporatës së Distribucionit dhe Furnizimit, dhe ai nuk mund të jetë edhe drejtor i KEK-ut edhe i korporatës për distribucion dhe furnizim, kur kjo e fundit nuk e ka bordin e vet, dhe bordi kur caktohet t’i bëjë politikat, sepse distribucioni dhe furnizimi duhet të shkojnë në privatizim, është marrë vendimi për këtë vitin e kaluar, ndërsa korporata e distribucionit dhe furnizimit funksionon me ushtrues detyre, që bie ndesh direkt me ligjin, sepse duhet të ketë drejtor të posaçëm dhe duhet të ketë bord të drejtorëve”, thotë Selmani.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, pohon se korporata e re është regjistruar, por vazhdon të jetë pasive, pra nuk është funksionalizuar ende. Prandaj, sipas tij, drejtori aktual i KEK-ut, me automatizëm bëhet edhe drejtor i kësaj korporate, derisa të merret një vendim tjetër nga qeveria, si autoritet përgjegjës.

“Është drejtori menaxhues i KEK-ut ai që po i kryen funksionet e menaxhimit edhe të distribucionit ky hyjnë divizioni i furnizimit dhe i shpërndarjes. Do të thotë drejtori i divizionit të furnizimit dhe shpërndarjes, vazhdojnë t’i japin përgjegjësi drejtorit menaxhues të KEK-ut, prandaj kjo shkon me automatizëm , sepse nuk mund të krijohen dy struktura menaxheriale”, thekson Buzhala.

Qeveria, si aksionare kryesore e KEK-ut, ka vendosur që ta çojë këtë kompani drejt privatizimit. Edhe Buzhala pranon se pas aktivizimit të korporatës së distribucionit dhe furnizimit, Gjukaj nuk do të mund të ushtrojë të dy funksionet.

“Nuk do të kishte kuptim, sepse do të ishte rol i dyfishtë dhe konflikt interesi. Tash nuk është konflikt interesi, përkundrazi, do të ishte konflikt interesi sikur kompania pasive të kishte drejtor, sepse drejtori i furnizimit dhe drejtori i rrjetit kujt do t’i jepte llogari?”

Edhe udhëheqësi i Sindikatës së KEK-ut, Izet Mustafa, thotë se kompania e re nuk është aktive ende, prandaj ajo vazhdon të menaxhohet nga struktura e njëjtë. Por ai shfaq shqetësimin për mungesë transparence gjatë procesit dhe shkurtimin e vendeve të punës, pasi dy divizionet bashkohen në një kompani.

Ristrukturimi i KEK-ut bëhet në përputhje me traktatin e Komitetit të energjisë për Evropën Juglindore që nënkupton edhe struktura të reja organizative. Drejtuesit e qeverisë kohë më parë patën deklaruar se shitja e distribucionit dhe furnizimit do t’i sjellë përfitime të mëdha Kosovës, pasi buxheti i Kosovës do të lirohet nga obligimi që e ka bartur deri tash, pagesën e granteve në KEK për importimin energjisë elektrike.

/RTK/

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 tetor 2019

- Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj pret në takim një delegacion të nivelit të lartë nga MCC, kryesuar nga znj. Caroline T. Nguyen, Drejtoreshë Menaxhuese e MCC për Evropë, Azi, Pacifik dhe Amerikë Latine, me këtë rast, do të nënshkruaj amandamentimin e Marrëveshjes CDF. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00)

- Me rastin e shënimit të Ditës së Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit me Njerëz dhe njëkohësisht hapjes së fushatës Kundër Trafikimit me Njerëz, Ministria e Punëve të Brendshme organizon konferencë për media. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit mban mbledhjen e dhjetë te rregullt e Komiteti për Politik dhe Financa. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)

- Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur organiozn aktivitetin e shënimit të themelimit të qendrës për karrierë në SHMLT ,,11 Marsi” në Prizren. (Objekti i SHMLT ,,11 Marsi” në Prizren, ora 10:30)

- Komisioni i Pavarur i Mediave do të mbajë konferencë për media në lidhje me prezantimin e  “Raportit të monitorimit të  Ofrueseve të Shërbimeve Mediale Audio-vizuele  gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme 2019”.  (Zyra e KPM-së, qyteza Pejton, ora 12:00)

- Galeria Qahili organizon hapjen e ekspozitës "20" të Mentor Avdilit. (Galeria Qahili, ora 20:20)