19 Prill 2024

Trajtimi i ujit mbetet akoma sfidë për Kosovën

Gjakovë, 8 tetor - “Ndoshta nuk është e tepërt të them se në këtë vend luftërat nuk do të ndodhin për naftë, por mendoj që lufta për jetën cilësore do të jetë lufta për ujin. Ata popuj, vende që dinë ta respektojnë ujin, ta trajtojnë si duhet, ta ruajnë dhe të sigurohen që të kenë gjithmonë ujë, janë popujt më të mençur. Ne në Kosovë kemi bërë shumë edhe mundemi të  mburremi se po e fitojmë luftën për rrugë të mira, por beteja mbetet trajtimi i ujit”, theksoi kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj pasi mori pjesë në inaugurimin e fazës së II- të të Impiantit të Ujit për Pije, në Komunën e Gjakovës.

Me këtë rast Kryeministri Haradinaj tha se ndihet krenar për punën që është realizuar e që është një arritje e të gjithëve.

Duke falënderuar qeverinë gjermane dhe atë zvicerane për kujdesin e madh  dhe përkrahjen që kanë bërë për këtë investim në ujë të pijshëm, kryeministri Haradinaj tha se është me rëndësi për vendin që të krijojë alternativa të tjera të ujëmbledhësve në vend, pasi që Kosova është burim i ujit.

Kryeministri Haradinaj, më tutje theksoi se në Kosovë ka ujëmbledhës të shumtë, siç janë, Ujmani, Batllava, Badovci, por mund ta kemi edhe Lepencin dhe ujëmbledhës të tjerë më të vegjël.

“Këto janë investimet më strategjike që duhet t’i bëjmë  dhe të krijojmë rezerva të ujit dhe me qenë bankë e vetvetes që të mos varemi nga askush për ujin e pijes.  Por jo vetëm kaq, uji është i nevojshëm edhe për të gjitha segmentet e ekonomisë”, deklaroi Kryeministri Haradinaj, duke i inkurajuar të gjithë, që ta fitojnë betejën për ujin e pijes dhe duke kërkuar ndihmën e miqve gjermanë dhe zviceranë që përmes granteve apo huasë, të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit për trajtimin e ujërave të zeza e po ashtu edhe trajtimin e shtretërve të lumenjve.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha se “KRU”, përveç që është një kompani profitabile, ajo ofron edhe shërbime të mira.

Kryetari Gjini falënderoi për përkrahjen e parezervë që po i jep Qeveria e Kosovës dhe tha se nga këto investime po përfiton shumë Komuna e Gjakovës por edhe Kosova.

Ismet Ahmeti, kryeshef ekzekutiv i “KRU Gjakova”, theksoi se me ndërtimin e kësaj fabrike do të rritet kapaciteti nga 500 litra në 1000 litra në sekondë dhe kjo ëndërr po bëhet realitet falë Qeverisë së Republikës së Kosovës, Komunës së Gjakovës, Rahovecit dhe Prizrenit, si dhe konsumatorëve tanë.

Një fjalë para të pranishmëve e mbajti edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë i Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, i cili tha se sfida e ujit është sfida më e madhe që kanë shoqëritë tona.

“Ne jemi vende të pasura me ujë, por kemi vuajtur nga investimet dhe menaxhimi”, tha ministri Gjiknuri, duke shtuar se sfidat ekzistojnë, por nga kjo që shihet sot, nga gjërat e bëra mirë, mësohet shumë dhe përfitojnë të gjithë.

 
 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)