19 Prill 2024

Testohen 65 kandidatë për certifikim si auditorë të energjisë në Kosovë

Prishtinë, 8 nëntor - 65 kandidatë janë testuar për certifikim si auditorë të energjisë në Kosovë në testin përfundimtar të organizuar nga Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri (QEQ) e Universitetit të Prishtinës.

Ky është hapi i fundit i themelimit dhe funksionalizimit të sistemit për trajnim dhe certifikim të ofruesve të shërbimeve energjetike si auditorë të energjisë, vlerësues dhe ekspertë të pavarur.

Rektori i Universitet të Prishtinës, Prof. Dr. Naser Sahiti, tregoi për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe zhvillimin e qëndrueshëm me krijimin e kësaj skeme.

“Sot po përmbyllet me sukses një punë e gjatë e planifikimit për ndërtimin e skemës së certifikimit të auditorëve të energjisë. Kjo është arritur falë bashkëpunimit me Ministrinë e Ekonomisë dhe GIZ Kosova, që dallohet për mbështetjen e dhënë ne fushën e efiçiences së energjisë.

Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri - që funksionon në kuadër të Universitetit të Prishtinës - është njësia organizative qe ka barrën për organizimin dhe realizimin e këtyre trajnime më tutje. Prandaj në cilësinë e rektorit dhe si shef i parë i qendrës për energji, ndjehem i lumtur që UP përveç nevojave akademike dhe kërkimore, po ofron shërbime edhe për komunitete, institucione publike dhe ato private për palët e treta, pra ish-studentët tanë.”

Avni Sfishta nga projekti Kosovar-Gjerman për Energji, zbatuar nga GIZ Kosova, tregoi se bashkëpunimi me Ministrinë e Ekonomisë për ndërtimin e programit për trajnim për auditorë te energjisë ka filluar ne vitin 2017.

“Pas analizave për gjendjen aktuale në vend, bashkërisht me Ministrinë e Ekonomisë është vendosur mbi modelin më të përshtatshëm - atë të delegimit të kompetencave."

"Ministra e Ekonomisë është mbështetur me njohuri teknike në përgatitjen e bazës ligjore, ndjekur nga trajnimi i trajnerëve të parë Kosovë ku 26 sosh janë certifikuar për ndërtesa ndërsa tetë për ndriçim publik dhe industri. Këta trajnerë, profesorë nga Universiteti i Prishtinës dhe UBT, kanë trajnuar tanimë grupe, ky është grupi i dytë prej 65 kandidatëve për auditorë të energjisë në ndërtesa dhe ndriçim publik që sot ju nënshtruan testit përfundimtar. Po në këtë fazë po bëhet delegimi i plotë i skemës së trajnimeve të mbështetur nga Qeveria Gjermanie, nëpërmjet GIZ Kosova, tek QEQ, UP.”

Në lidhje me autorizimin e Qendrës për Energji dhe Qëndrueshmëri si institucion trajnues për pesë vitet e ardhshme, Mirlinda Bajrami nga Agjencia për Efiçience të Energjisë u shpreh se janë të kënaqur me formimin e një institucioni që do të kujdeset për mbarëvajtjen e trajnimit të auditorëve  në formë qëndrueshme duke falënderuar palët që kanë kontribuar.

“GIZ ka mbështetur trajnimet e para, ndërkaq tanimë QEQ po merr përsipër trajnimet e mëtutjeshme që do të ofrohen rregullisht për të interesuarit.”

Servet Spahiu, drejtor i departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim në kuadër të Ministrisë se Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës shpjegoi se Ministria e Mjedisit është njëra ndër institucionet përfituese të këtij projekti.

“Ne jemi ne fazën fillestare të krijimit të institucioneve për trajnim për Efiçiencë të energjisë, mirëpo si Ministri kemi avancuar me legjislacionin, përfshirë rregullat teknike dhe kërkesat minimale. Me këtë proces po mbyllet një cikël i certifikimit të auditorëve. Shpresojmë që këta ekspertë të fillojnë me punën në terren në vitin e ardhshëm dhe të plotësohen nevojat aktuale për auditorë të energjisë në Kosovë.”

Ndërkaq, dekanja e Fakultetit të Arkitekturës njëkohësisht trajnere në këtë program, Prof. Dr. Violeta Nushi vlerësoi procesin si të qëlluar, duke shtuar “Me këtë konsum energjetik dhe potencialin që posedon Kosova është e nevojshme që kandidatë të mjaftueshëm të trajnohen dhe të bëjnë auditimin e ndërtesave, duke shpresuar që konsumi energjetik të jetë i kontrolluar dhe që konsumatorët dhe shteti të kenë dobi nga ky proces."

"Trajnimi ka zgjatur dy muaj, përbërë nga ligjërata, raste studimore, ndërtimi i raportit për rastin studimor, pranimi dhe prezantimi i rasteve studimore dhe në fund testi si përmbyllje.”

Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri pritet të vazhdoj punën me trajnime të mëtutjeshme, duke ngritur kapacitetet e saj dhe prezantimin e programe të reja në fushën e energjisë dhe mjedisit.

Të interesuarit mund të ndjekin përditësimet në këtë web-faqe: https://qeq.uni-pr.edu/

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)