15 Prill 2021

Tenderi për ndërtimin e TC “Kosova e re” shpallet në mars

Prishtinë, 24 shkurt - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka deklaruar se gjatë muajit të ardhshëm pritet të shpallet tenderi për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e re”, që bazohet në shfrytëzimin e thëngjillit. 

Ai njofton se projekt-dokumentin e miratuar nga Komiteti drejtues tashmë ua kanë dërguar palëve të përfshira në proces për komente, e më pas pritet të bëhet shpallja e interesit. Ministri Beqaj thotë se nëse gjithçka shkon sipas agjendës së qeverisë, deri në fund të vitit mund të shpallet fituesi i tenderit.

Projekti për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike vazhdon të jetë prioritet për qeverinë e Republikës së Kosovës.

Udhëheqësi i Komitetit Drejtues të Projektit Termocentrali “Kosova e Re”, ministri i zhvillimit ekonomik Besim Beqaj, thotë se Komiteti Drejtues i Projektit ka miratuar në fillim të shkurtit projekt-dokumentet e projektit dhe ka marrë vendim për hapjen e periudhës katër javore për komente nga palët e përfshira në proces, me qëllim të pasurimit të këtyre dokumenteve.

Ai thekson se tenderi mund të shpallet gjatë muajit të ardhshëm.

“Besojmë që shumë shpejt, është çështje javësh pasi t’i marrim komentet, komentet përfundojnë me datën 28 shkurt, pastaj pas trajtimit të këtyre komenteve, harmonizimit të dokumentacionit edhe me Bankën Botërore, që është akter shumë i rëndësishëm edhe me institucionet tjera ndërkombëtare, besojmë se shumë shpejt, brenda marsit do ta shpallim tenderin”, tha Beqaj për Radio Kosovën.

Ministri Beqaj thotë se pavarësisht zvarritjes së këtij projekti, kanë arritur të ruajnë interesimin e investitorëve të huaj për të marrë pjesë në këtë proces.

“Ajo që është shumë me rëndësi se tani kemi investitorë të cilët e kishin humbur besimin më herët në këtë proces, tani janë rikthyer, kemi dy kompani që janë rikthyer në mënyrë të plotë, është kompania PPC bashkë me Global nga Amerika, kemi Parkun dhe gjatë këtyre ditëve kemi komunikim të intensifikuar me Contourin që gjithashtu janë të interesuar për të vazhduar procesin, por mbetet që në një periudhë të ardhshme ta konfirmojnë edhe këta me shkrim”, theksoi ai.

Ndonëse kundërshtimet nga shoqëria civile vazhdojnë, ai thekson se ndërtimi i Termocentralit të ri është i domosdoshëm për mbylljen e termocentralit Kosova A, siç është planifikuar deri në vitin 2017.

“Unë besoj se edhe shoqëria civile, edhe të gjithë kanë interes që sa më shpejt ta ndërtojmë termoelektranën e cila është e përcaktuar të respektojë standardet më të larta të ambientit, dhe kjo do të na mundësonte që të mbyllim Kosovën A. Pra është me interes të të gjithë qytetarëve që ta mbyllim Kosovën A sa më shpejt dhe rruga për mbylljen e Kosovës A është krijimi i kapaciteteve të reja, të cilat do të mundësonin Kosovës jetë normale me energji elektrike”, tha Beqaj.

Me këtë projekt parashihet zhvillimi i minierës së linjitit në Sibovc dhe ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re që fillimisht do të ketë 300 megavat.

/rtk/

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 Prill 2021 - Handikos dhe The Balkan Forum tashmë kanë nisur kampanjën ‘Thuaj Jo Qeseve të Plastikës’  përmes një aktiviteti simbolik zyrtarisht do të prezantojmë strajcat e ri-përdorshme të punuara tash e disa muaj nga personat me aftësi të kufizuara. (Sheshi ‘Skënderbeu’ dhe ‘Nënë Tereza’, ora 10:00)

- Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhes. (Platforma Zoom, ora 10:00)

- Mbahet seanca gjyqësore kundër të pandehurit Agim Hamdija për vepren penale 'Organizimi i skemave piramidale'. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 10:00)

- Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim nis shpërndarjen e pakove ushqimore dhe higjienike për familjet në nevojë, me rastin e muajit të Ramazanit. (Qendra për Promovimin e Drejtave të Grave në Drenas, ora 10:30)

- Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapsinor dhe Infrastrukturës  Hysen Durmishi do të mbajë konferencë per media. (Objekti i MMPHI-së, salla B201, oa ora 10:30,

- Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë dhe Ambientit, Artane Rizvanolli, vizitojnë ekipin e kampanjës 'Thuaj jo Qeseve të Plastikës'. (sheshi ‘Skënderbeu’ , ora 12:00)

- Pronarët e sallave të dasmave mbajnë takim lidhur me masat anti-Covid. (Golden Imperial në Veternik, ora 14:00)

- Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim nis shpërndarjen e pakove ushqimore dhe higjienike për familjet në nevojë, me rastin e muajit të Ramazanit. (Palestra Sportive “Tota” në Vushtrri, ora 14:30)