26 Prill 2024

TC “Kosova e Re” të ritenderohet

Prishtinë, 8 prill - Termocentrali “Kosova e Re” duhet të nisë për të dytën herë nga pika zero, pas heqjes nga pakoja tenderuese të termocentralit “Kosova B” dhe zvogëlimit të kapaciteteve gjeneruese.

Kështu thotë ish-ministrja e Energjetikës, Justina Shiroka-Pula, duke shtuar se projektin më të madh energjetik në vend e kanë përcjellë ndryshime të shumta, të cilat flasin për një joseriozet të Qeverisë karshi investitorëve të huaj.

Termocentrali i ri “Kosova C” fillimisht ishte planifikuar të ndërtohej me një kapacitet prej 2000 megavatëve dhe më pas kapacitetet gjeneruese janë zvogëluar në 600, përkatësisht 300+300.

Qeveria e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi në vitin 2008 është kujdesur që fillimisht t’ia ndryshojë emrin termocentralit nga “Kosova C” në “Kosova e Re” dhe nga vonesat e shumta në projekt shumë kompani të mëdha ndërkombëtare të energjetikës janë detyruar të largohen nga Kosova.

Për ish-ministren e Energjetikës pas këtyre ndryshimeve, ku në pakon për ndërtimin e “Kosovës Re” nuk është më “Kosova B”, Qeveria e Kosovës duhet ta ndryshojë qasjen, duke e themeluar kështu korporatën e thëngjillit, e cila do të mbetet në pronë të shtetit, ndërsa investitorit t’i mbetet vetëm ndërtimi i termocentralit.

“Tash nevojitet një koncept tjetër për termocentralin. Miniera e linjitit duhet të jetë në pronësi të shtetit, për shkak të investimeve të mëdha nga buxheti që janë bërë. Kjo e fundit duhet t’i shes linjit termocentralit të ri që do të ndërtohet dhe dy termocentraleve ekzistuese”, ka potencuar ajo.

Sipas saj, ndryshimet e shpeshta në projektin e termocentralit kanë të bëjnë me mungesë e strategjisë vendore për energjetikë dhe me zhvillim ekonomik.
E pyetur se nëse rrezikojmë t’i humbin investitorët potencialë, nëse projekti nis për të dytën herë nga pika zero, Shiroka-Pula thotë se Qeveria duhet ta ketë edhe opsionin e ndërtimit të termocentralit nëpërmjet kredive afatgjate.

“Tash jemi pjesë e institucioneve monetare ndërkombëtare, kështu që nëpërmjet kredive afatgjate mund të realizohet ky projekt. Ky nuk është koncept i djathtë, mirëpo është për zhvillim ekonomik të vendit”, nënvizon ajo.

Sipas një njoftimi të lëshuar ditë më parë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Komiteti Drejtues i Projektit “TC Kosova e Re” ka aprovuar dokumentet e tenderit për Ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, i cili do të realizohet me partneritet privat - publik.

Bashkë me publikimin e Kërkesës për Propozime, ofertuesve të parakualifikuar, sipas MZHE-së, do t’u dorëzohen edhe Draft-Marrëveshjet e Projektit, siç janë: Marrëveshja e Implementimit (Kompania e Gjenerimit); Marrëveshja e Implementimit (Kompania e Minierave); Marrëveshja për Blerje të Energjisë (TCKR); Marrëveshja për Furnizim me Linjit (Kosova A); Marrëveshja për Furnizim me Linjit (Kosova B); Marrëveshje për Furnizim me Linjit (TCKR); Marrëveshje Shumëpalëshe për furnizim me Linjit; Marrëveshja për Furnizim me Ujë; Marrëveshje për Shërbimet Ndihmëse (TCKR), etj.

Në njoftim të tej thuhet se punëtorët ekzistues nga divizioni i qymyrit dhe nga shërbimet e përbashkëta që i shërbejnë divizionit të qymyrit do të transferohen me kushte të njëjta që tani i gëzojnë, në përputhje me Ligjin e Punës tek investitori i ardhshëm, dhe të njëjtit do të kenë garanci për 3 vite pune.

Komiteti u informua se nga kompanitë e parakualifikuara më parë në garë për investitor në “Kosovën e Re” kanë mbetur PPC dhe “Sithe Global”, “Park Holding Ciner Group” dhe “Cantour Global”.

Komiteti planifikon që dorëzimi i ofertave nga investitorët të ndodhë në nëntor 2013. Zgjedhja e investitorit të preferuar parashihet të publikohet në janar 2014, ndërsa përmbyllja komerciale pritet të ndodhë në shtator 2014.

Përmbyllja financiare dhe data e transferit parashihet të jetë dhjetori 2014, kur pritet të fillojë edhe ndërtimi i kapaciteteve të reja.
Planifikohet që njësia e parë të hyjë në operim jo më vonë se në dhjetor 2018 dhe gjashtë muaj më vonë edhe njësia e dytë.

Hamenden investitorët

Ibrahim Rexhepi nga organizata joqeveritare “Stras” ka thënë për “Zërin” se termocentrali “Kosova e Re” është vonuar për hiç më pak se 7 vjet, ndonëse mungesa e energjisë është problem akut.

Sipas tij, ndryshime të shumta e kanë përcjellë këtë projekt, të cilat, siç thotë ai, ndikojnë në ndryshimin e pozicionit të investitorëve në raport me këtë projekt.

“Sigurisht se investitorët do të hamenden se si t’i qasen këtij tenderi. Qeveria duhet të dalë me një pozicion të ri në lidhje me këtë projekt”, shprehet Rexhepi.

Ai ka shtuar se ndryshimet e shumta në këtë projekt flasin për një qasje joserioze të Qeveria, e cila nuk garanton se edhe pas një viti mund të ketë ndryshime tjera.

“Kjo është një qasje joserioze, mungesë e vizionit qeveritar për zhvillimin e sektorit të energjetikës dhe ekonomisë”, ka përfunduar Rexhepi.

/Zëri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)