01 Dhjetor 2021

Shqipëria dhe Kosova nënshkruan marrëveshjen për tregjet e energjisë elektrike

Tiranë, 22 tetor - Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), Enti Rregullator i Energjisë së Shqipërisë (ERE), dhe operatorët e sistemeve të transmetimit të Shqipërisë  dhe Kosovës (OST dhe KOSTT), të mbështetur nga USAID, kanë nënshkruar Marrëveshjen Kornizë të bashkëpunimit të tregjeve të energjisë elektrike.

Kjo Marrëveshje përcakton të drejtat, detyrimet dhe hapat e nevojshëm që palët nënshkruese duhet të ndërmarrin për të bashkëpunuar në lidhje me organizimin e tregjeve të bashkuara të energjisë elektrike të një ditë më herët dhe brenda ditës, për sa i përket roleve dhe përgjegjësive në lidhje me operimet, administrimin dhe vendimmarrjen, përmes organizimit të alokimit të kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit në kufijtë e tyre të përbashkët një ditë më herët dhe brenda ditës.

Bashkimi i tregjeve të energjisë elektrike do të kontribuojë në zgjerimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe rritjen e konkurrencës në tregjet e energjisë elektrike si dhe në ruajtjen dhe zgjerimin e një tregu me çmime të drejta.

Ky bashkëpunim do të përforcojë shfrytëzimin më efikas të interkoneksioneve të përbashkëta ndërkufitare përmes metodave objektive, të bazuara në treg jo-diskriminuese dhe transparente.

Po ashtu përmes këtij bashkëpunimi do të ofrohet hyrja korrekte dhe jo-diskriminuese në tregun e ditës në avancë dhe brenda ditës duke nxitur efiçencë të përfitimeve në të dy tregjet e energjisë elektrike.

Ky bashkëpunim, si i pari në rajon në një treg të përbashkët, do të shërbejë si nxitje për zgjerimin e bashkimit të më shumë tregjeve në rajon e me gjerë.       

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 dhjetor 2021 - Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe OJQ Të Drejtat e Grave organizojnë diskutimin për manipulimin mendor dhe keqtrajtimin psikologjik si elemente të dhunës në familje. (Hoteli Emerald, ora 9:45)
    
- Bëhet betimi i kryetarit të komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe nënshkruhen deklaratat  solemne për marrjen e detyrës nga anëtarët e Kuvendit të komunës. (Salla e Kuvendit të komunës në Deçan, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja inauguruese e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Jugut. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja inauguruese e Kuvendit të Komunës së Malishevës, ku do të bëjnë betimin anëtarët e Kuvendit dhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Malishevës, ora 10:00)
    
- Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës mban konferencë të jashtëzakonshme për shkak të mos aprovimit të kërkesave për lirim të masave. (Te ish-Rilindja, kompleksi III nr. 42, ora 12:00)
    
- Grupi Parlamentar i AAK-së, në Kuvendin e Kosovës mban tryezën me temën: Ngritja enorme e çmimeve dhe jostabiliteti ekononomik. (Salla N – 506, ora 13:00)
    
- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime (SIT), bën lansimin e platformës: Ofrimi i shërbimeve online dhe fizikisht për kryerësit e veprave të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore. (Hotel “Prishtina”, Prishtinë, ora 14:00)

- Galeria 17 me mbështetjen nga Swiss Cooperation Office në Kosovë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës organizojnë ngjarjen Dinner party/ Make me coffee make me a sandwich, në kuadër të ekspozitës së kuruar nga Natalija Vujošević. (Galeria 17 rruga Henrik Bariç, nr.10, ora 18:00)

- Mbahet hapja zyrtare e edicionit të dytë të Festivalit “Art Without Limit International Film Festival”. (Kino Armata, ora 18:00)

- Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës organizojnë hapjen e ekspozitës vjetore të anëtarëve të Asociacionit të artistëve vizual të Kosovës. (Galeria e Artëve të Kosovës, ora 19:00)