19 Prill 2024

SHBA mohon ndryshimet klimatike dhe promovon energjinë minerare

Varshavë, 12 dhjetor - Gjatë një takimi të OKB-së për klimën të zhvilluar në Poloni, një zyrtar amerikan i energjetikës thotë se “asnjë vend nuk duhet të detyrohet të sakrifikojë begatinë ekonomike apo sigurinë energjetike në përmbushje të qëndrueshmërisë mjedisore”.

Zv.Ndihmës Sekretari i Energjisë foli gjatë një aktiviteti të mbështetur nga qeveria amerikane, duke iu përgjigjur kritikave ndaj politikës së administratës amerikane në favor të industrisë së lëndëve djegëse fosile.

Një aktivitetet i mbështetur nga qeveria amerikane në kuadrin e bisedimeve të OKB-së për ndryshimet klimatike u ndërpre nga protestues që i bënin thirrje administratës Trump të lërë mineralet nën tokë. Disa protestues ishin amerikanë.

“E kam paditur në gjykatë qeverinë time, pasi po nxit krizën globale klimatike”, deklaroi Vic Barret, një protestuese 19-vjeçare nga Amerika.

Përfaqësuesi i Presidentit amerikan tha se ekonomia e Shteteve të Bashkuara po lulëzon, për shkak edhe të heqjes së kufizimeve ndaj industrisë së qymyrgurit.

“Besojmë me forcë se asnjë vend nuk duhet të sakrifikojë begatinë ekonomike apo sigurinë energjitike në përmbushje të qëndrueshmërisë mjedisore”, deklaroi Preston Wells Griffith, i Departamentit të Energjisë.

Studimet shkencore, ndër to edhe një studim i fundit i qeverisë amerikane, kanë konkluduar se gazrat karbonikë dhe aktiviteti njerëzor kanë kontribuar në ngrohjen globale. Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se nuk i beson këto studime dhe se përpjekjet për uljen e gazrave ndotës dëmtojnë ekonominë e Shteteve të Bashkuara.

“Shpesh, gjatë takimeve si ky këtu, alarmimi zë vendin e zgjidhjeve pragmatiste për trajtimin e shqetësimeve të energjisë dhe mjedisit”, tha zoti Griffith.

Politika e Shteteve të Bashkuara për rigjallërimin e industrisë së qymyrgurit ka shumë kritikë në vend dhe jashtë tij.

“Po rritet sërish në SHBA çlirimi i gazrave ndotës. Në indeksin botëror kjo ka peshë të madhe pasi është vendi i dytë. Ia kalon vetëm Arabia Saudite”, thotë Jan Burck, i organizatës mjedisore “Germanwatch”.

Por, shumë biznese amerikane dhe qeveri të tjera po ndërmarrin hapa kundër ndryshimeve klimatike. Gjatë takimeve me homologët e tyre, përfaqësues nga disa kompani amerikane denoncuan favorizimin e burimeve të ngurta energjitike nga qeveria amerikane.

“Këta janë njerëz të Shtëpisë së Bardhë Trump që kërkojnë të bien në sy të shefit ndërsa vazhdojnë të flasin për axhendën e tij në forume të tilla. Thjesht do të irritojnë njerëzit dhe do të dëshmojnë sërish se Shtetet e Bashkuara janë të izoluara nga komuniteti global për këtë çështje tepër të rëndësishme”, thotë Andrew Light, nga Instituti i Burimeve Botërore.

Shkencëtarët po bëjnë thirrje për një zhvendosje të menjëhershme drejt burimeve energjitike të rinovueshme, për të shmangur rritjen katastrofike të ngrohjes globale deri në fund të këtij shekulli.

Vendet më të mëdha në prodhimin e burimeve të ngurta energjitike, si Shtetet e Bashkuara, Rusia, Arabia Saudite dhe Australia, po u rezistojnë këtyre thirrjeve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)