25 Prill 2024

Qytetarët e Obiliqit të rrezikuar nga projektet energjetike

Prishtinë, 8 maj - Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) mbajti të mërkurën një debat publik në Obiliq ku u diskutuan problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Obiliqit.

Debati kishte për qëllim shtjellimin e shqetësimeve të banorëve të Obiliqit në lidhje me gjendjen aktuale mjedisore, krijimin e vendeve të punës në sektorin energjetik si dhe problemin e zhvendosjes.

Qytetarët e Obiliqit janë më të rrezikuarit nga zhvillimet e projekteve energjetike. “Pasojat shëndetësore të djegies së qymyrit nuk janë të trajtuara në mënyrë të duhur nga organet shtetërore,” potencoi Sejdi Halimi nga organizata lokale Iniciativa Qytetare për Mbrojtjen e Mjedisit.

Ndërsa Burim Gërguri, Këshilltar Komunal në Obiliq propozoi që të krijohet një fond për trajtimin e rasteve me sëmundje kancerogjene dhe respiratore nga ndikimi direkt i thëngjillit.

Gjatë këtij debati çështja e zhvendosjes ishte problemi më i zëshëm, për të cilin qytetarët shprehën pakënaqësitë e tyre.

“Që procesi i zhvendosjes të jetë i suksesshëm nuk nevojitet vetëm kompensimi me para por duhet bërë identifikimi i të gjitha rreziqeve të varfërisë, restaurimi i të ardhurave të humbura dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut,” ka thënë Rinora Gojani nga INDEP.

Qytetarët kanë shprehur shqetësime serioze rreth procesit të deritanishëm të zhvendosjes në fshatin Hade, proces i cili është tej zgjatur dhe është bërë jashtë çdo norme të pranueshme.

Një problem tjetër i identifikuar nga të pranishmit ishte edhe numri i të punësuarve në Komunën e Obiliqit. Me këtë trend dhe me projektet e deritashme energjetike, me privatizimin e distribucionit dhe minierave, deri në dy të tretat e punonjësve të tanishëm do të mund të largohen nga puna.

Të pranishmit u pajtuan që shqetësimet e qytetarëve dhe komunës së Obiliqit për sa i përket ndikimit të projekteve të energjisë në jetët e tyre nuk janë marrë mjaftueshëm në konsiderim.

Ata gjithashtu u pajtuan që këta qytetarë duhet të jenë të përfshirë në planifikimet rreth projekteve energjetike në komunën e tyre, pasi këto të fundit ndikojnë netët e tyre në mënyrë drastike.

Diskutimi është organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe është mbështetur nga Ambasada Holandeze në Kosovë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)