23 Janar 2022

Punimet G-20 përfundojnë pa marrëveshje për eleminimin e qymyrit

Romë, 3 nëntor - Takimi i vendeve të G-20 u dha fund punimeve dy-ditore në Romë ndërsa udhëheqësit u pajtuan për të punuar së bashku për të arritur nevelin zero të emetimeve deri nga mesi i shekullit si dhe u zotuan që t’i japin fund financimeve për qymyin në vendet e tjera.

Por udhëheqësit nuk arritën të bien dakord për eleminimin e përdorimit të qymyrit në vendet e tyre. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakusware sjell më shumë hollësi nga Roma.

Udhëheqësit e G-20 hedhin monedha në shatervanin Trevi, një traditë e vjetër në Romë, që thuhet se sjell fat. Ata kanë nevojë për fat, për të trajtuar problemet globale, përfshirë kërcënimin për njerëzimin nga ndryshimet klimatike. Mario Draghi është Kryeministër i Italisë.

“Përballemi me një zgjedhje të thjeshtë, të veprojmë tani, ose të pendohemi më vonë”.

Grupimi prej 19 shtetesh, plus Bashkimin Evropian, është përgjegjës për tre të katërtat e emetimeve të gazeve, që shkaktojnë efektin serë. Udhëheqësit e G-20 u pajtuan për veprime “domethënëse dhe efektive” për të kufizuar ngrohjen globale me 1.5 gradë Celsius. Ata u zotuan t’i japin fund financimeve për centralet me qymyr jashtë vendit, por dështuan të arrijnë marrëveshje për eliminimin e përdorimit të qymyrit brenda vendeve të tyre. Një zhgënjim para konferencës së Kombeve të Bashkuara për klimën që po zhvillohet në Skoci.

Politikani britanik Alok Sharma është president i Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.

“Të gjithë udhëheqësit botërorë ndër vite kanë dështuar t’ia arrijnë qëllimit. Është bërë përparim, po e ulim kurbën drejt 2 gradëve Celsius, por duhet të ecim më shpejt”.

Që të arrihet objektivi me 1.5 gradë Celsius, duhet të përgjysmohen emetimet globale deri në vitin 2030 dhe të arrihet ndotje zero nga karboni deri në vitin 2050. Por vendet më ndotëse të botës nuk ofruan premtime të reja, duke nxitur kritika nga Presidenti Joe Biden.

“Jo vetëm Rusia, por Kina në thelb nuk mori ndonjë angazhim për të trajtuar ndryshimet klimatike. Ka një arsye pse njerëzit duhet të jenë të zhgënjyer nga kjo.”

Aktivistët e klimës thonë se janë skeptikë. Giacomo Oxori është aktiviste e lëvizjes “Extinction Rebellion”.

“Nuk kam asnjë shpresë për punën që po bëjnë udhëheqësit e G-20. Thjesht, shumë zhurmë për asgjë.”

Ndërkohë, Presidenti Biden zhvilloi një takim për të trajtuar krizën globale të zinxhirit të furnizimeve. Në sy ra mungesa e Kinës. Duke përmendur varësinë nga mallrat kineze Presidenti Biden bëri thirrje për zgjerim të zinxhirit të furnizimit.

“Që të mos jemi të varur nga një burim i vetëm që mund të shkaktojë një dështim”.

Presidenti Biden dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ranë dakord për t'i dhënë fund një mosmarrëveshjeje mbi tarifat e çelikut dhe aluminit.

“Kjo është një tjetër nismë e rendësishme për axhendën tonë të ripërtërirë, transatlantike me Shtetet e Bashkuara”, tha zonja der Leyen.

Mes tensioneve të thelluara, Presidenti Biden u takua me homologun turk Recep Tayyip Edogan, cili kërkon të blejë avionë luftarakë F-16 pasi Uashingtoni e përjashtoi Ankaranë nga programi i blerjës së avionëve F-35. Turqia bleu sisteme ruse të mbrojtjes ajrore. Uashingtoni po tregohet i kujdesshëm ndërsa Kongresi thotë se Ankaraja po vepron si kundershtare dhe jo si aleate e NATO-s.

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 janar 2022

- Në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit” do të mbahet Festivali i dramës origjinale shqipe “Talia 2022”. (Teatri qytetit të Gjilanit, ora 18:00)