19 Prill 2024

Punëtorët e KEDS-it në rrezik shkaku i moszbatimit të kontratës kolektive

Prishtinë, 12 shtator - Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se greva dhe protesta e djeshme e punëtorëve të KEDS/KESCO ka qenë e suksesshme sepse asaj iu përgjigjën në masë punëtorët e sektorit elektro-energjitik të Kosovës.

Kjo protestë erdhi si pasojë e faktit që gjendja e punëtorëve të KEDS/KESCO ka ardhur duke u përkeqësuar vit pas viti që prej privatizimit në vitin 2013.

Sot sipas Vetëvendosjes punëtorët janë edhe më në rrezik për shkak të moszbatimit të kontratës kolektive dhe ligjit. Gati 20% e punëtorëve janë larguar nga puna që prej privatizimit të kësaj ndërmarrjeje që u shit vetëm për 26 milionë euro, me gjithë asetet, afarizmin dhe katër hidrocentrale.

Përmes vendimeve të fundit por edhe raporteve vjetore po mbulohen pazaret në përfitim të pronarëve privatë të KEDS/KESCO me terma si“efikasisteti”, “performanca”, etj.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë,(ZRRE) është prej 5 vitesh në pozicionin e avokatit të Limak-Çalikut, njëjtë si Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Ata po ia lehtësojnë konsorciumit privat largimin e padrejtë nga puna edhe të 60 punëtorëve të tjerë për çdo vit në katër vitet e ardhshme.

Ndërkohë, fitimi i lejuar nga ZRRE për privatizuesit legal e jo legal është rritur për çdo vit, në kontrast të thellë jo vetëm me 26 milionët e paguar për blerjen e KEDS-it por edhe me investimet e premtuara e të parealizuara që do të kryheshin në rrjet.

Aktualisht KEDS/KESCO, si kompania që e privatizoi KEDS-in. nuk ka përmirësuar as furnizimin e pandërprerë me energji elektrike në të gjithë Kosovën, as nuk i ka kryer investimet, dhe as nuk i është përmbajtur asnjëherë marrëveshjes për pozicionet e punës dhe garancinë e dhënë 5 vite më parë se askush nuk do të largohet nga puna.

Asnjë, pra, nga arsyet me të cilat u justifikua shitja nuk janë më valide. Ndaj dhe ky privatizim duhet të kthehet mbrapsht.

Për të diskutuar mbi të gjitha këto probleme, deputeti Liburn Aliu dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi, janë takuar sot me Kryetarin, Hysni Gashi, dhe Kryesinë e Federatës Sindikale të Pavarur “Elektrokosova” (FSPE).

 Lëvizja Vetëvendosje! i përsëriti sindikatës përkrahjen për të gjitha kërkesat e punëtorëve të KEDS/KESCO, që lidhen me respektimin e ligjit dhe kontratës kolektive.

Njëherësh, përfaqësuesit e Lëvizjes e përgëzuan sindikatën për mobilizimin e punëtorëve për protesta, tashmë që kompania, ZRRE-ja dhe Qeveria i kishin mbyllur sytë dhe veshët ndaj kërkesave të drejta të punëtorëve.

Lëvizja Vetëvendosje! do të jetë përherë në mbështetje të punëtorëve të Kosovës, duke luftuar krah për krah me ta për të drejtat e tyre.

"Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mjetet insitucionale në dorën tonë për të ushtruar presion mbi autoritetet për respektimin e të drejtave dhe kërkesave të punëtorëve të KEDS/KESCO, si dhe do jemi me punëtorët në çdo protestë", thekson VV.

Çështja e punëtorëve, dhe e KEDS/KESCO në veçanti, e prek gjithë Kosovën, prandaj na takon të gjithëve të angazhohemi për ta mbrojtur këtë sektor jetik dhe për t’i mbështetur punëtorët që e zhvillojnë atë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)