16 Prill 2024

Protestuesit kërkojnë nga Kuvendi hetimin e KEK-ut

Prishtinë, 13 shkurt - Grupi Organizativ i Qytetarëve protestues, kanë dorëzuar një propozim - kërkesë në Parlamentin e Kosovës, duke kërkuar nga kryetari, kryesia e Kuvendit si dhe nga deputetët që të formojnë një komision, me qëllim të hetimit të aktiviteteve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), lidhur me faturimin e energjisë elektrike.

Yll Rugova, përfaqësues i Grupit organizativ ka thënë se sado që i besojnë ZRRE-së, Prokurorisë dhe Policisë, ata e shohin të arsyeshëm dhe një hetim tjetër, në të cilin dhe opozita është drejtpërdrejtë e kyçur.

Kjo, sipas tij, do ta forconte dhe më tutje iniciativën qytetare. Ai, po ashtu, ka theksuar se një hetim i tillë, do ta ndalonte çfarëdo ndikimi prej kujtdo, pasi që ata nuk mund të paragjykojnë se kush është i implikuar në këto raste.

“Reagimet e fundit të institucioneve ndaj kërkesave të protestuesve po tregojnë se kërkesat kanë qenë shumë të drejta dhe për këtë ne po duam që të vazhdojmë me njëfarë presioni ndaj këtyre institucioneve që këto veprime mos me u ndal. Sot e kemi dorëzuar dhe një kërkesë dhe në Parlament, për një hetim parlamentar sepse e kemi një përshtypje që duhen dhe hetime tjera të ketë, për këtë punë. Sado që i besojmë institucioneve ZRRE-së, policisë dhe prokurorisë dhe një hetim parlamentar e forcon iniciativën e qytetarëve”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, Rugova ka thënë se kanë anuluar protestën për të premten, e cila ishte paraparë të paralajmërohet sot, pasi që ata po presin reagimet tjera në lidhje me këtë çështje.

“Ne kemi dal sot për të paralajmëruar protestë për të premten. Por për shkak të reagimeve të fundit nga ZRRE-ja, ku aty po duket se krejt kërkesat tona, që i kemi pasur gjatë protestës janë plotësuar. E kemi ndërpre përkohësisht protestën, deri me një datë tjetër, pasi t’i shohim të gjitha reagimet dhe të përfundojnë të gjitha hetimet dhe krejt këto iniciativa që janë nisur institucionalisht”, ka theksuar ai, raporton Kosovapress.

Ndryshe, grupi organizativ i qytetarëve protestues, bëri të ditur se gjatë kësaj jave nuk do të ketë protestë, për të kundërshtuar faturat e fryra të KEK-ut.

Po ashtu, ky grup bënë të ditur se kërkesat e qytetarëve janë që protestat të zgjerohen dhe në qytetet tjera, e të cilat do të jenë në kundërshtim të çmimeve të energjisë elektrike.

Qytetarët po ashtu paralajmërojnë se do të kërkojnë që të bëhet presion, për ndryshimin e tarifave të KEK dhe që të hiqen tarifat e shtrenjta të cilat janë mbi 600 KW, pasi që në vendet e rajonit tarifat e larta të cilat në Kosovë aplikohen për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 KW aplikohen për shpenzimet mbi 1200 KW.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)