20 Prill 2024

Prezantohet Studimi mbi Sigurinë e Furnizimit me Energji Elektrike

Prishtinë, 26 mars - Sot Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës-KOSTT sh.a organizoi Tryezë Pune ku u prezantua Studimi mbi Sigurinë e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë (SFEE).

Objektivë e Studimit ishte analizimi i disa skenareve për të parashikuar zhvillimin e kërkesës për energji elektrike në vend, adekuacinë e gjenerimit të energjisë elektrike, funksionimin e tregut të energjisë elektrike si dhe shfrytëzimin e burimeve të ripërtëritshme, të gjitha këto elemente që ndikojnë në sigurimin e furnizimit me energji elektrike në Kosovë deri në vitin 2030.

Studimi në fjalë, gjithashtu përmbanë edhe komponentën e operimit të përbashkët me Republikën e Shqipërisë si mundësi e sigurimit të furnizimit me energji elektrike, dhe e cila është treguar se ka tendenca të ndikimit në rënien e çmimeve të energjisë elektrike.

Gjithashtu, është konstatuar se operimi i përbashkët i sistemit elektroenergjetik Kosovë-Shqipëri, sjell përparësi sidomos duke pasur parasysh se operimi i sistemit të Kosovës si i vetëm është më i varur nga importi dhe më pak i aftë për eksport, se sa operimi i sistemit të përbashkët elektroenergjetik.

Optimizimi i dy sistemeve elektrike të diversifikuara për sa i përket resurseve, i Kosovës linjiti ndërsa i Shqipërisë potencialet ujore u sjellin benefite të dy vendeve.

Gjeneratorët termik në Kosovë do të operonin me ngarkesë të pandryshuar e që si rezultat ka rendimentin e shtuar, ndërsa gjeneratorët hidrik do të punonin në kohën e ngarkesave maksimale kur edhe çmimet do jenë më të larta. Studimi provon që ky model i operimit sjell mirëqenje më të larta për të dy vendet.

Për më tepër, në këtë studim gjithashtu arsyetohet edhe krijimi i një tregu të përbashkët të energjisë Kosovë-Shqipëri, për ta zgjeruar edhe mëtutje në tërë Evropën Juglindore.

Sa i përket shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë(BRE), siç janë energjia nga era dhe energjia solare, përkundër kostos më të lartë të gjenerimit krahasuar me gjenerimin e energjisë elektrike nga burimet termo, shfrytëzimi i BRE është strategji klimatike në tërë Evropën dhe kjo përbën një kusht që duhet plotësuar, edhe Kosova.

Me Studimin mbi Sigurinë e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë, përfundimisht konkludohet se shtimi i sigurisë së furnizmit do të rezultojë me:


-Rritjen e theksuar të Bruto Produktit Vendor në Kosovë
-Rritjen e numrit të të punësuarve
-Do të dërgojë sinjale pozitive për tërheqjen e investimeve në Kosovë


Studimi mbi Sigurinë e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë, mund të shërbejë si bazë për orientimin e strategjisë së zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit të energjisë elektrike në 30 vitet e ardhshme.

Duke folur mbi rëndësinë e Studimit dhe planifikimit afatgjatë, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Fadil Ismajli, theksoi “ është tejet e rëndësishme që planifikimi i zhvillimit të sistemit elektroenergjetik dhe transmisionit të jetë koherent me planet zhvillimore të shtetit dhe të shtroj vizionin për shfrytëzimin optimal të burimeve energjetike të vendit, gjithnjë duke pasur parasysh karakteristikat e vendit tonë dhe pozitën gjeografike në rajon.”

Ndërkaq Ministri i Zhvillimit Ekonomik z.Besim Beqaj ndër të tjera theksoi “një studim i tillë është i mirëseardhur sepse na tregon qasjen se në çfarë forme në mund t’i rrekemi kësaj problematike për të siguruar një miks sa më të mirë dhe sa më të  qëndrueshëm të prodhimit të energjisë elektrike në vend.”

Studimi në fjalë është financuar nga Qeveria Gjermane përmes Bankës për Zhvillim-KfW dhe është realizuar nga kompania konsulente Vattenfall/Germany.

Në Tryezën e Punës ku u prezantua për Studimi mbi Sigurinë e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë, ishin prezent të gjitha palët e interesit vendorë dhe ndërkombëtarë të sektorit të energjisë në Kosovë përfshirë dhe shoqërinë civile si dhe përfaqësuesit e institucioneve të sektorit të energjisë të Shqipërisë.

Rekomandimet eventuale të palëve të interesit do të përfshihen në versionin përfundimtar të Studimit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)