24 Nëntor 2020

Po zbatohet me sukses projekti ‘Ruje, mos e gjuj’

Prishtinë, 22 maj - Ende është duke vazhduar me sukses implementimi i projektit ‘Ruje, mos e gjuj’, i lansuar në mars të këtij viti, e që ka për qëllim kryesor krijimin e një sistemi të duhur të menaxhimit të mbeturinave përmes stimulimit të riciklimit përmes ndarjes në burim, në mënyrë që të kemi mjedis të pastër në të ardhmen.

Kësisoj, edhe vendi ynë po shkon drejt hapave të një shoqërie që praktikon ndarjen e mbeturinave të riciklueshme.

Organizata ‘Green Art Center’ sikurse edhe më herët, falë përkrahjes së partnerëve ndërkombëtar, po arrin me sukses të shtrijë dalëngadalë kulturën për riciklim, e rëndësishme për vetëdijesimin e secilit për një mjedis të pastër jetese.

Kësisoj iniciativave për riciklim i është bashkangjitur dhe ‘Coca Cola HBC’ në kuadër të kampanjës "Ruje mos e Gjuj" që do të zgjas rreth 9 muaj, dhe në kuadër të këtij projekti është duke u bërë ndarja e mbeturinave në burim në 500 amvisëri në komunën e Vushtrrisë dhe janë duke u shpërndarë shporta për mbeturina të riciklueshme në subjekte gjeneruese të mbeturinave të ambalazhimit në komunën e Prishtinës.

Në kuadër të këtij projekti, komuna e Vushtrrisë në bashkëpunim me Kompaninë Publike Uniteti (KRM) dhe ‘Green Art Center (GAC)’ po vazhdojnë projektin për ndarjen e mbeturinave në burim. Pas rritjes së kapaciteteve për grumbullim të mbeturinave të riciklueshme të amvisërive, është shtuar intensiteti i punës së kompanisë për transportim deri në qendrën për paketim dhe ambalazhim, vend në të cilin ka filluar edhe seleksionimi i materialeve te riciklueshme si: plastikë, kanaqe etj. si dhe paketimi i tyre në formë të presuar me qellim shitjen e tyre. Sasia që grumbullohet falë gatishmërisë qytetare për të zbatuar ndarjen në burim do të ndihmoj në funksionalizimin e kësaj qendre dhe gjenerimin e vendeve të punës në këtë sektor. Në një periudhe 1 mujore janë grumbulluar rreth 6 ton mbeturine të riciklueshme vetëm në amvisëri në Komunën e Vushtrrisë.

Kjo kampanjë i bashkëngjitet të gjitha aktiviteteve të GAC-it në fushën e menaxhimit të mbeturinave dhe që do të ndihmoj në ngritjen e vetëdijes qytetare për ndarjen e mbeturinave të riciklueshme në burim.

Projekti 'Ruje, mos e gjuj', përkrahur prej ‘Coca Cola HBC’ do te zbatohet në këto lokacione: Qendra e Studentëve në Prishtinë, Kolegji AAB, Kolegji RIT dhe 500 familje në komunën e Vushtrrisë.

Disa komuna në Kosovë ku GAC vepron tashmë janë duke zbatuar me sukses praktikën e ndarjes në burim për Riciklim dhe ku rezultatet tregojnë gatishmëri qytetare dhe institucionale për të përkrahur këtë proces.

Kësisoj, krijuesit e mbeturinave të riciklueshme prej ambalazhimit duhet të kenë parasysh përgjegjësinë për krijimin e kushteve për trajtim adekuat të mbeturinave të riciklueshme me qëllim zvogëlimin e sasisë së mbetjeve që shkojnë ne deponi.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 Nëntor 2020

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton të gjeturat e raportit për vendin të Komisionit Evropian për vitin 2020 në fushën e sigurisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e katërt e Komitetit për Komunitete në komunën e Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)

- Mbahet takimi i 190-të i Këshillit Prokurorial. (Nëpërmjet video konferencës, ora 10:00)  

- Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me organizatën jo qeveritare “Ta Pastrojmë Kosovën”, do të lansojnë “T’i japim vendit ngjyra”.  (Këndi Olimpik, në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ora 10:30)


- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton raportonin e auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të vitit 2019, për Kompaninë Regjionale të Ujitjes Drini i Bardhë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, nënshkruajnë Memorandum të Bashkëpunimit për Atashetë Kulturorë. (Objekti i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ora 11:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, shqyrton Ligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjareve të tyre. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)    

- Komiteti Olimpik i Kosovës organizon pritje për ekspeditën e xhudos, pas suksesit të arritur në kampionatin evropian të xhudos, të mbajtur javën e kaluar në Pragë të Republikës së Çekisë, ku Distria Krasniqi dhe Loriana Kuka u stolisën me medalje të bronztë. (Zyret e KOK-ut, ora 11:45)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pret në takim ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj. (Zyra e Kryetarit, ora 12:45 )

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për medie. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 13:00)

- Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, shqyrton Raportin e Panelit për zgjedhjen e “Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, shqyrton rekomandimet nga BE-ja të planit për mbikëqyrjen e procesit integrues 2020-2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ors  13:00)

 - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj vizitojnë  Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan. (Gjilan, ora 13:45)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Platforma ZOOM 5.0, ora 14:00)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj mbajn Konferencë për media. (Qendra Rajonale e Shëndetit Publik në Gjilan, ora 14:30)

 

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Kazaz Limani, do bëjnë lansimin e projektit “Ndriçimi i Urës së Gurit”. (Pranë Urës së Gurit në Prizren, ora 18:00)