18 Prill 2024

Plotësimi i standardeve mjedisore të BE-së deri në vitin 2017

Prishtinë, 27 prill - Zyra e BE-së përshëndet synimet e Korporatës Energjetike të Kosovës për të adresuar shqetësimet mjedisore dhe për të ndërmarrë veprime në zvogëlimin e ndotjes së shkaktuar nga termocentralet, veçanërisht Kosova A.

Çdo investim që zvogëlon nivelet e ndotjes së shkaktuar nga Kosova A konsiderohet përfitim jo vetëm për mjedisin, të dëmtuar nga termocentralet me djegie të thëngjillit-linjitit, mirëpo edhe për të përmirësuar problemet shëndetësore me të cilat ballafaqohet popullata që jeton në afërsi të termocentraleve për çdo ditë.

Përkundër mirëpritjes së këtyre investimeve, ekspertiza e pavarur konfirmon se veprimet nuk janë të mjaftueshme për plotësimin e standardeve të BE-së, të cilat rrjedhin nga obligimet e Kosovës ndaj Traktatit për Komunitetin e Energjisë, dhe në këtë mënyrë ato do të jenë të aplikueshme për Kosovën që nga viti 2017 e tutje.

Edhe me investimet e parapara, Kosova A do të vazhdojë të krijojë nivele të ndotësve, dukshëm përtej atyre të pjesës tjetër të Evropës, dhe qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të marrin frymë në ajrin i cili është shumë më i ndotur se sa ai i homologëve të tyre.  

Duke pasur këtë parasysh, Zyra e BE-së sjell ndërmend zotimin e Kosovës për mbylljen e termocentralit Kosova A deri në vitin 2017. PSBE/Shefi i Zyrës së BE-së për Kosovë, Samuel Zhbogar, ka theksuar rëndësinë e përmbushjes së këtij zotimi deri në afatin përfundimtar mbi të cilin është rënë dakord edhe në takimin e fundit me Kreun e Korporatës Energjetike të Kosovës dhe me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik.

Investimet mjedisore aktuale, edhepse një hap përpara, mund të merren në konsiderim vetëm si masa të përkohshme dhe jo si argument i mjaftueshëm për zgjatjen e këtij afati. Kjo vlen edhe për riaktivizimin e njësisë A2.

Nga pikëpamja e mbylljes së Kosovës A deri në vitin 2017 dhe nevojat e tërë sektorit energjetik në Kosovë – nga burimet e ripërtërishme deri te efikasiteti energjetik – Komisioni Evropian në bashkëpunim me Bankën Botërore do të organizojnë një forum për energji në vjeshtë të vitit 2012, i cili do të përpiqet që të rrisë mbështetjen në sektorin energjetik në Kosovë.

Angazhimet dhe mbështetja financiare për sektorin energjetik do të varen shumë nga përmbushja e standardeve të BE-së për energji nga ana e Kosovës.

BE-ja ka qenë dhe vazhdon të jetë një mbështetëse e fuqishme e zhvillimit të qëndrueshëm të energjisë në Kosovë.

Që nga viti 1999, ajo ka investuar më shumë se 400 milion euro në një numër projektesh të ndërlidhura me energji, të cilat radhiten prej importit emergjent të energjisë elektrike deri te masat efikase për energji dhe përmirësimet teknike në kapacitetet e gjenerimit, transmisionit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)