13 Nëntor 2019

Përurohet stacioni për monitorimin e Ajrit

Prishtinë - Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Mjedisit, sot në oborrin e Ndërtesës së Re të Qeverisë (ish Pallati i Mediave), Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Yagcilar, përuroi Stacionin për Monitorimin e Ajrit dhe Projektin për Grumbullimin e Mbeturinave të Letrës dhe Plastikës.

Ministri Yagcilar tha se ky projekt është i rëndësishëm për faktin se qytetarët mund të shohin drejtpërsëdrejti shkallën e ndotjes në ambientin ku jetojnë dhe se në këtë mënyrë do të ngritet vetëdija e qytetarëve, por edhe e institucioneve përkatëse - qendrore dhe lokale, për rëndësinë e ruajtjes së ambientit dhe preventivave që duhen marrë në zvogëlimin e ndotjes.

Nga dita e sotme qytetarët do të kenë mundësi që në ekranin e Stacionit t’i lexojnë të dhënat për shkallën e ndotjes së ajrit PM, 2.5 dhe PM.10., kushtet e motit, matjen e metaleve të rënda si dhe parametra të tjerë meteorologjik.

Stacioni është vendosur në një pikë të kryeqytetit e cila është mjaft e frekuentuar nga automjetet.

Për të shënuar Ditën Botërore të Mjedisit dhe përurimin e këtyre dy projekteve të përfunduara, të pranishëm ishin mysafir të shumtë nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Manifestimin e shënimit të Ditës Botërore të Mjedisit, në Amfiteatrin e Ndërtesës së Re të Qeverisë, me një fjalë rasti e hapi ministri i Mjedisit, Mahir Yagcilar.

Në fjalën e tij, Ministri Yagcilar tha: “Këtë ditë sot po e shënojmë edhe në institucionet e nivelit qendrorë por edhe ato të nivelit lokal. Madhështinë e shënimit të kësaj dite e rrisin edhe më shumë dy projektet që sot po i përurojmë. Qytetarët e kryeqendrës së Republikës së Kosovës dhe së shpejti edhe qytetarët e të gjitha qendrave të tjera, do të kenë mundësinë që në çdo çast përmes ekranit, t’i shohin të dhënat për shkallën e ndotjes, të dhënat për motin, matjen e metaleve të rënda si dhe parametra të tjerë meteorologjik”.

“Po ashtu sot po fillon së implementuari edhe një projekt shumë i rëndësishëm - Riciklimi i Mbeturinave të Llërës dhe Plastikës, projekt ky i cili fillon në institucionet e vendit për t’u zgjeruar shumë shpejt në mbarë vendin tonë”, tha në fjalën e tij ministri Yagcilar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 nëntor 2019

- Save the Children në bashkëpunim me Minstrinë e Arsimit dhe Institutin Pedagogjik organizojnë konferencën ndërkombëtare ‘Fuqizimi i Kujdesit, Zhvillimit dhe Edukimit në Fëmijërinë e Hershme’ që ka për qëllim të ofrojë mundësi për hartuesit e politikave, ofruesit e shërbimeve, përfaqësuesit nga akademia dhe akterë të tjerë, për t’u informuar dhe ndarë praktikat më të mira mbi rëndësinë e investimeve në kujdesin dhe zhvillimin e fëmijërisë së hershme. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit lidhur me dy projekte të mëdha të Ministrisë së Infrastrukturës siç janë, rehabilitimi i rrugës Prishtinë - Pejë dhe Prishtinë - Mitrovicë ku edhe do të bëhet edhe publikimi i hulumtimit mbi arsyet e vonesave në punime në këto dy rrugë, i titulluar “Rrugë pa fund”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Organizata "Voice of Roma, Ashkali and Egyptians" VoRAE organizon Festivalin Multikulturorë i pari i këtij lloji në Kosovë. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon tryezën e diskutimit me temë “Roli i vendimeve të Gjykatës Supreme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit: Një thirrje për disiplinim të gjyqtarëve që marrin vendime të kundërligjshme”. (Qendra e konferencave Orion, ora 10:30)

- Në kuadër të fushatës “Jo drogë tek të rinjtë”, Task Forca Anti Drogë tek të rinjtë dhe siguri në Shkolla do të organizoj pritje për student, ku do të shfaqin prezantimet me njohurit e tyre lidhur me narkotikët, si dhe do të bashkëbisedojnë me Shefin e Task Forcës Anti Drogë. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 11:00) 

- Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prizrenti, Visar Shehu, do të mbajë konferencë për shtyp për ta njoftuar opinionin publik me më të rejat nga fusha e shëndetësisë. (Zyret e Shërbimit Urgjent, rruga Tirana në Prizren, ora 11:00)

- Ambasada e Francës në Kosovë mban konferencë për media në të cilën do të prezantojë edicionin e 19 - të Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë i cili organizohet në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike të Zvicrës, Belgjikës dhe Luksemburgut, Aleancën Franceze, Ministrinë e Punëve të Jashtme, si dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës. (Salla e konferencave në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ora 12:00)

- Teatri i Qytetit te Mitrovicës "Muharrem Qena" shfaq premierën teatrore “Kur treni vonohet”, me autor Osman Goranci dhe me regji të Artan Tmavës. (Qendra e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, ora 19:00)