20 Prill 2024

Përurohet projekti prej 5.4 milionë euro për një energji stabile në Mitrovicë

Mitrovicë, 19 qershor - Sot në qytetin e Mitrovicës respektivisht në lagjen Ilirida është bërë përurimi i nënstacionit 110/10 (20)kV dhe linjës nëntokësore transmetuese 110 kV i financuar nga KOSTT-i dhe BERZH-i.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm kryetari i komunës, Agim Bahtiri, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Ilir Shala, drejtori i zyrës së BERZH-it në Prishtinë, Neil Taylor, ambasadori i Shqipërisë, Qemaj Minxhozi, përfaqësues nga Ambasada Amerikane, përfaqësues nga Ambasada Gjermane, të KOSTT-it si dhe të BERZH-it.

Në fjalën e tij kryetari i komunës, Agim Bahtiri, tha se tani Mitrovica është ndër qytetet më stabile në Kosovë, falë punës dhe angazhimit tij të palodhshëm dhe të qytetarëve për një qytet me stabilitet dhe paqe.

“Mitrovica ka pasur nevojë për paqe dhe stabilitet, të cilën e kemi ndërtuar së bashku me qytetarët dhe për këtë gjë jemi krenar. Falë stabilitetit kemi bërë që investitorët të kthehen të investojnë në Mitrovicë për arsye se puna e tyre tashmë është e sigurt dhe këtë e dëshmojnë projektet e shumta që janë realizuar në Mitrovicë”, tha kryetari Bahtiri.

Po ashtu kryetari Bahtiri tha se ky trafostacion është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Mitrovicës, të cilët do furnizohen mjaftueshëm me energji elektrike, dhe projektet e tilla për qytetin e Mitrovicës po vazhdojnë edhe në këtë vit, ku  do të kemi investime qindra milionëshe në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike.

“Në qytetin e Mitrovicës do të ndërtohet parku energjetik ku do të prodhohen 105 MW energji elektrike përmes 30 turbinave me erë. Ky investim nga kompania "Sowi Kosovo LLC" planifikohet të bëhet në shifrën prej 169 milionë euro dhe do të jetë më i madhi i bërë që nga pas lufta në fushën e investimeve në energji alternative”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se është mirë kur bashkohemi në Mitrovicë për një vepër të tillë ekonomike në energji, kur dihet rëndësia e energjisë jo vetëm për jetën ekonomike por edhe për sigurinë.

“Kjo vepër që i dedikohet shërbimit me energji për konsumatorin, e rregullon gjendjen me energji për 50 vjetët që vijnë. Për të pasur stabilitet një vend duhet të investohet në energji”, tha ndër të tjerash kryeministri Haradinaj.

Vlera totale e këtij projekti arrin shumën 5.4 milionë euro. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)