29 Mars 2024

PDK paditë anëtarët e Bordit të ZRRE-së për faturim me tarifa të shtrenjta

Prishtinë, 22 prill - Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar Kallëzim Penal për anëtarët e Bordit të ZRRE-së, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, për mos zbatim të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për pezullimin e zbatimit të vendimit për shtrenjtimin energjisë për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Bajrush Xhemajli në një konferencë për media pas dorëzimit të padisë tha se ZRRE, përkundër detyrimit ligjor për të zbatuar vendimin e gjykatës, dezinformoi opinionin publik, se gjoja ky vendim nuk mund të zbatohet pasi ata do të ankohen në Gjykatën e Apelit.

"Në cilësi të Sekretarit të Përgjithshëm të PDK-së, së bashku me përfaqësuesin e autorizuar, Avokatin Faton Fetahu, duke vepruar në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, parashtruam Kallëzimin Penal kundër Bordit të Zyrës për Rregullatorin e Energjisë, i cili nga data 8 prill i këtij muaji, dështoi të zbatoj Aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, i cili aktvendim pezulloi vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike deri në përfundim të procesit gjyqësor në Padinë e PDK-së, të cilën e kemi bërë kundër vendimit të ZRRE-së. Pasi ZRRE mori vendim në fillim të muajit shkurt për shtrenjtimin e energjisë elektrike, PDK duke vepruar në mbrojtje të interesit të qytetarëve të Kosovës, konsumatorëve familjarë të energjisë elektrike, ka parashtruar Padi për shfuqizimin e vendimit të ZRRE-së. Dhe krahas kësaj padie, ne kemi bërë edhe kërkesë për shtyrjen përkatësisht pezullimin e vendimit të ZRRE-së, deri në shqyrtimin dhe vendosjen meritore të Padisë, me qëllimin që të evitohen pasojat e mëdha dhe humbjet që ky vendim po u shkakton qytetarëve tanë.", tha Xhemajli. 

Përkundër që PDK ka bërë thirrje publike për zbatimin e këtij vendimi të gjykatës, ZRRE ka vazhduar të faturojë energjinë me tarifa të shtrenjta deri në 109%, duke u shkaktuar dëme financiare 350 mijë familjeve të Republikës së Kosovës.

"Krejt kjo paligjësi, po kalon në heshtje nga Kryeministri dhe tërë mazhoranca në Qeveri e Parlament, që tregon se janë në sinkron të plotë me ZRRE-në. Bordi i ZRRE, ka vendosur të veproj mbi ligjin e mbi vendimin gjyqësor, prandaj ne këtë nuk do ta tolerojmë dhe nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për qytetarët të cilët po plaçkitën.", shtoi Xhemajli.

Xhemajli tha se PDK mirëpret fillimin e hetimeve penale ndaj Bordit të ZRRE-së, sepse beson në shtetin ligjor dhe demokratik.

Ndërkaq, Faton Fetahu, avokat i PDK-së tha me këtë rast, nga ky muaj kur qytetarët e Kosovës t'i pranojnë faturat e energjisë me rritje të çmimeve, ata kanë të drejtë ligjore të bëjnë padi indiduale ndaj KESCO-s dhe ZRRE-së, për shkak se sipas tij, ky faturim tanimë është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, rrjedhimisht është pa bazë ligjore.

"Meqenëse operatori i shpërndarjes me udhëzime të anëtarëve të bordit të ZRRE-së nuk e respektuan aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, ky kallëzim penal ndaj secilit anëtar të bordit të ZRRE-së do të sjellë pasoja të rënda juridike për ta. Meqenëse ata i kanë konsumuar tashmë 4 vepra penale, baza e të cilave lidhet me mos zbatimit e vendimit gjyqësor dhe ata me dashje dhe me qëllim kanë dëmtuar interesin e qytetarëve, të cilët i ka mbrojtur Gjykata me vendimin e saj", tha avokati Faton Fetahu.


 


 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)