29 Mars 2024

Pastrohen hapësirat afër shkollës "Model" dhe hekurudhës

Prishtinë, 12 nëntor - Mbi 100 thasë me mbeturina janë larguar sot në aksionin e radhës të pastrimit në Prishtinë, që u realizua në kuadër të Fushatës më të madhe për mjedisin “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Aksioni i sotëm u realizua përreth hapësirave të Shkollës “Model” si dhe afër hekurudhës që gjendet në afërsi të shkollës.

Përveç ekipit të Let’s Do It, aksionit iu bashkuan edhe rreth 100 nxënës të Shkollës “Model”, mësues si dhe drejtori i Shkollës.

Besnik Shabiu nga Let’s Do It ka thënë se mobilizimi i sotëm i nxënësve të Shkollës “Model” është shembull i mirë se si të gjithë duhet ta ruajmë mjedisin.

“E falënderoj drejtorin e shkollës “Model”, i cili bashkë me nxënësit dhe stafin po e jep një model të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, se si secili prej nesh mund të kujdeset për mjedisin. Është për t’u përshëndetur ky mobilizim i nxënësve të shkollës “Model“ sot të cilët po japin një mesazh të mirë për të gjithë neve."

"Let’s Do It është çdo ditë në terren duke luftuar një qasje armiqësore që është krijuar karshi mjedisit, dhe pasojat e asaj qasjeje jemi duke i  bartë çdo ditë. Është koha e fundit që të ndryshojmë këtë mendësi dhe të punojmë bashkë për ruajtje të mjedisit”, ka thënë Shabiu.

Ndërsa, drejtori i Shkollës “Model”, Liridon Maliqi ka thënë se Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën” po luan një rol të rëndësishëm për sensibilizimin e masës për ruajtjen e mjedisit.

“Jemi së bashku me zyrtarët e organizatës Let’s Do It Kosova, së bashku me kampanjën e organizuar “Ta Pastrojmë Kosovën”. Kjo kampanjë është duke luajtur një rol të rëndësishëm për sensibilizimin e masës për ruajtjen e ambientit. Besojmë që pas kësaj kampanje do na vie një mjedis më i pastër dhe do të kemi një ajër më të pastër. Duhet të kemi kujdes për ambientin, edhe për shkak të shëndetit tonë”, ka thënë Maliqi.

Mbeturinat e mbledhura sot u larguan nga Kompania “Pastrimi”.

Po ashtu, edhe sot vazhdoi aksioni me makineri për pastrimin e deponive ilegale të mbeturinave në Parkun e Gërmisë.

Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” përveç aksioneve të pastrimit, po organizohen edhe aktivitete të tjera me qëllim të ngritjes së vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit.

Në Istog dhe në Podujevë tashmë janë mbajtur trajnime me mësimdhënës “Ngritja e kapaciteteve të mësimdhënësve në fushën e mjedisit jetësor”, në bashkëpunim me MASHT-in, që synojnë rritjen e fokusit të mësimdhënësve në temat që lidhen me edukimin mjedisor si dhe zhvillimin e aktiviteteve konkrete që promovojnë rëndësinë e ruajtjes së mjedisit jetësor.

Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën” ka filluar më 15 shtator, ndërsa zgjat deri më 15 dhjetor.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)