20 Prill 2024

Një krizë energjetike po godet edhe Kinën

Pekin, 4 tetor - Çmimet e larta të gazit natyror dhe energjisë elektrike në Evropë kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare gjatë javëve të fundit, por një krizë energjetike e lidhur me pandeminë po godet edhe Kinën, ku rezervat e qymyrit janë në nivele shumë të ulta.

Problemi energjitik në Kinë do të ketë pasoja më të mëdha për ekonominë globale sesa mungesat energjitike në Evropë, paralajmërojnë ata.

Disa rajone kineze po racionojnë energji për fabrikat dhe dy të tretat e vendit përjetuan ndërprerje javën e kaluar, ndërsa Kina po përballet me mungesat më të rënda energjitike në një dekadë.

Mediat qeveritare kanë ruajtur një ton optimist, por madje edhe Global Times, gazeta në gjuhën angleze e Partisë Komuniste të Kinës, kohët e fundit e pranoi se, “kishte disa boshllëqe që mund të kenë shkaktuar kolapsin e rrjetit elektrik (verilindor), i cili shtoi mungesat rajonale të energjisë”.

Sikurse në Evropë dhe SHBA, rikthimi i kërkesave për energji ka tendosur kapacitetet e prodhimit të energjisë në Kinë, dhe për shkak të kushteve të motit, burimet e rinovueshme kanë prodhuar më pak energji se sa ishte parashikuar, thonë analistët e industrisë së energjisë.

Ata thonë se problemi është komplikuar me futjen e masave ndëshkuese nga qeveria komuniste kineze në përpjekjen e saj për të përmbushur objektivat e reduktimit të energjisë nga lëndët djegëse fosile të përcaktuara nga Pekini për të përmbushur angazhimin e Kinës për të ulur emetimet e karbonit me 65% para vitit 2030.

Në shtator, zyrtarëve rajonalë të Partisë Komuniste iu tha se do të mbaheshin përgjegjës për çdo dështim për të përmbushur objektivat e reduktimit të karbonit.

Sipas Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës, i cili ka kontroll të gjerë të planifikimit të ekonomisë së Kinës, 20 provinca nuk kanë arritur të arrijnë objektivat e tyre të karbonit për vitin 2021. Mes provincave janë dhe Guangdong dhe Jiangsu, të cilat përbëjnë më shumë se një të tretën e prodhimit ekonomik të vendit.

Fabrikat e prekura

Në Kinë çmimet e energjisë janë dyfishuar këtë vit, mes kërkesës së madhe të energjisë elektrike nga fabrikat dhe prodhimit më të ngadaltë se sa pritej nga minierat e qymyrit në vend.

Njëzet nga 31 provincat e Kinës tani po racionojnë energjinë elektrike, duke ndikuar në prodhimin e aluminit, çelikut, çimentos dhe plehrave për bujqësi.

Kompanitë furnizuese u kanë thënë konsumatorëve të mëdhenj të energjisë që të zvogëlojnë konsumin gjatë ditës dhe fabrikat në qendrat industriale verilindore të Kinës të bëjnë mbyllje alternative disa ditore.

Javën e shkuar, banka japoneze Nomura paralajmëroi mbi mundësinë e "një goditje tjetër të madhe të furnizimit (ekonomik global)", duke thënë se rreziqet "janë nënvlerësuar ose madje nuk janë vënë re."

Bankat Nomura dhe Goldman Sachs, kanë ulur parashikimet e rritjes ekonomike për Kinën dhe tani parashikojnë që ekonomia e atij vendi të tkurret me 0.2% këtë tremujor me rritje të dobët më pas, më të ulët se sa pritej.

Nëse ky skenar bëhet realitet kërcënon të ngadalësojë rimëkëmbjen ekonomike globale pas pandemisë dhe mund të shkaktojë inflacion më të lartë, paralajmërojnë ekonomistët.

Problemi energjetik i Kinës "do të ketë efekt në të gjithë botën" nga Azia në Evropë, sipas Howie Lee, ekonomist në Bankën OCBC të Singaporit.

Shifrat zyrtare qeveritare sugjerojnë se muajin e kaluar aktiviteti i fabrikave kineze u tkurr në nivelin më të ulët që nga shkurti 2020, kur bllokimet nga koronavirusi gjymtuan ekonominë.

Bloomberg-u raportoi javën e kaluar se Zv/Kryeministri Han Zheng, i cili mbikëqyr sektorin e energjisë në Kinë, ka urdhëruar kompanitë shtetërore të energjisë të sigurojnë furnizime me gaz dhe qymyr për centralet elektrike, të cilat sigurojnë më shumë se 50% të prodhimit të energjisë elektrike në vend, për të siguruar prodhimin bazë të energjisë dhe për të mbajtur të qëndrueshme zinxhirët e furnizimit.

Urdhëri erdhi gjatë një takimi urgjent javën e kaluar ndërsa zyrtarët ngritën alarmin për mundësinë e ndërprerjeve të vazhdueshme deri në mars.

Pavarësisht se Kina është prodhuesja më e madhe e qymyrit në botë, të hënën ai vend kishte në gjendje vetëm 14 ditë rezerva qymyri për të furnizuar me elektricitet vendin dhe do të duhet të rrisë importet e qymyrit.

Por gjetja e burimeve të importit të qymyrit do të jetë e vështirë dhe e kushtueshme, pjesërisht për shkak të embargos kineze të vendosur vitin e kaluar ndaj importeve të qymyrit nga Australia, eksportuesi më i madh i qymyrit në botë. Pekini vendosi embargon në shenjë hakmarrjeje pasi Canberra bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar mbi origjinën e koronavirusit.

Ndërsa Pekini urdhëroi kompanitë shtetërore të energjisë për të siguruar furnizime, tregjet globale të energjisë ka të ngjarë të kenë një luftë ofertash për furnizime me qymyr dhe gaz natyror, duke shkaktuar rritjen e çmimeve në të gjithë botën.

“Capital Economics”, një firmë konsulence për kërkime ekonomike me qendër në Londër, u tha klientëve javën e shkuar se: “Mungesat e energjisë duket se nuk kanë gjasa të lehtësohen për njëfarë kohe”.

“Mungesat e energjisë në Kinë reflektojnë tendosjen globale të tregjeve energjitike dhe nuk do të zgjidhen brenda natës”, tha Julian Evans-Pritchard, ekonomist i lartë i firmës “Capital Economics” për Kinën.

"Racionimi i energjisë do të kufizojë aktivitetin industrial derisa të bjerë kërkesa në atë shkallë që të vërë në ekuilibër tregun e brendshëm elektrik”, shtoi ai. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)