19 Prill 2024

Nis “Dita e Pastrimit të Botës”, mbi 10 milionë vullnetarë bashkohen për pak orë

Prishtinë, 21 shtator - Aksioni më i madh global kundër mbeturinave “Dita e Pastrimit të Botës” ka nisur sot, më 21 shtator, në më shumë se 160 vende të ndryshme të botës me vullnetarë të shumtë, organizatorë dhe kompani përreth globit që i kanë bashkuar forcat për të pastruar planetin.

“Dita e Pastrimit të Botës” ka nisur me aksionet e pastrimit që u organizuan nëpër plazhe në Fixhi, pasuar nga Indonezia, nga ku është raportuar se po marrin pjesë 10 milionë vullnetarë në aksionet që po zhvillohen në gjithë vendin.

Vendi i radhës që ka nisur “Ditën e Pastrimit të Botës” është Hong Kongu me 55 mijë vullnetarë, ndërkohë që shteti i Bullgarisë ka kryer javën e kaluar të gjitha aktivitetet e parapara në kuadër të “Ditës së Pastrimit të Botës”, të cilave u janë bashkuar 433, 683 mijë vullnetarë.

Aksionet e pastrimit kanë nisur edhe në Laos, Vietnam, China, Japan, Bangladesh, Maldive dhe Butan. Këto aksione do të vazhdojnë gjatë tërë ditës në tërë planetin bashkë me lëvizjet e diellit, ndërsa do të përfundojnë në Hawaii, ku edhe perëndon dielli së fundmi.

Aksioneve të pastrimit, të organizuara nga shtetet që janë pjesë e Lëvizjes globale “Let’s Do It World” iu janë bashkuar mbi 18 milionë njerëz nga 157 shtete të ndryshme gjatë vitit të kaluar, duke e shndërruar në aksionin më të madh civil kundër mbeturinave në botë.

Qëllimi i kësaj lëvizje globale është që të rrisë vetëdijen për dëmet që i shkaktohen planetit tonë si pasojë e keq menaxhimit të mbeturinave, andaj është i domosdoshëm angazhimi i individëve, kompanive dhe organizatave për një botë më të mirë, më të shëndetshme dhe një mjedis më të sigurt.

Ideja pas aksioneve globale është e thjeshtë e veçantë. Çdokush mund të organizojë një aksion pastrimi, apo t’u bashkohet atyre që veçse janë organizuar, dhe natyrisht secili mund të zgjedh se çka, ku dhe sa shumë mbeturina do të mbledh.

Kryetarja e Lëvizjes globale “Let’s Do It World”, Heidi Solba ka thënë se “Lëvizja globale po rritet çdo ditë, dhe unë jam e sigurt se World Cleanup Day 2019 do të jetë më madhështore se secilën herë, me miliona qytetarë dhe qindra kompani e organizata që do t’i bashkohen aksionit. Të gjithë ne jemi pjesë e zgjidhjes së krizës klimatike me të cilën po përballemi dhe të gjithë do të kontribuojmë”.

“Dita e Pastrimit të Botës” ka tërhequr një numër jashtëzakonisht të lartë të njerëzve, të cilët e shohin këtë si mundësi që të japin kontributin e tyre për një planet më të pastër, përfshirë edhe qindra kompani dhe organizata. UNEP, UN, Habitat, Earth Day Network, Fridays For Future, Allianz, Toyota and Fujitsu janë duke pritur që t’u bashkohen aksioneve të pastrimit që do të ndodhin sot nëpër gjithë botën.

Të gjitha zhvillimet e fundit për “Ditën e Pastrimit të Botës” do të transmetohen në një program të drejtpërdrejt prej 12 orësh që ka nisur në orën 09:00 dhe do të shfaqet në Televizionin Publik të Kosovës (RTK4) dhe nëpër të gjitha rrjetet sociale.

Këtë vit, “Dita e Pastrimit të Botës” koordinohet nga shteti i Kosovës, andaj, në Prishtinë është lokacioni i qendrës së thirrjeve, përmes së cilës do të kontaktohen të gjitha shtetet e botës në të cilat është organizuar aksioni.  



Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)