29 Mars 2024

Nipi i Sami Lushtakut merrr tender 6 milionësh në KEK

Prishtinë, 28 shtator - Nipit të kryetarit të Skenderajt Sami Lushtaku, njeriut shumë të afërt të kryeministrit Hashim Thaçi po i ecën mirë biznesi, ai ka fituar me miliona euro tender publik që nga themelimi i firmës “Security Code” në vitin 2008. Pos që në komunën e Skenderajt ku nuk e ka problem me tender, ai tashmë i ka dyert e hapura edhe në nivelin qendror.

Kompania “Security Code” e themeluar katër vjet më parë, nuk guxon të eliminohet nga gara kur merr pjesë. Por kësaj here për një tender 6 milionësh, në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), dy ofertuesit e tjerë “Besa Security” dhe “Rojet e Nderit” kanë kërkuar publikisht që të mos nënshkruhet kontrata për shkak të shkeljeve në tender me kompaninë “Security Code” e cila është në konzorcium me WDG.

Por udhëheqësit e KEK-ut nuk duan t’ia dinë për ankesat, ata thonë se nuk do ta anulojnë as tenderin e as kontratën. Të premten këta dy ofertues të revoltuar kanë mbledhur mediat duke i shpalosur rregullat e tenderit dhe shkeljet që janë bërë për t’u shpallur fitues i tenderit, nipi i Lushtakut.

Sipas tyre, është shkelur Ligji i Shërbimeve Private të Sigurisë, Ligji për Prokurim Publik dhe Udhëzimi Operativ i Prokurimit. Drejtori gjeneral në kompaninë e sigurimeve “Besa Security”, Granit Hasani, ka thënë se konsorciumi ka fituar këtë tender në mungesë të dokumenteve kryesore përfshirë edhe licencimin.

Ai ka bërë me dije se me datën 27.07.2012, Destan Mustafa, udheheqës i Divizionit për Shërbime Private të Sigurisë në MPB, ka bërë me dije se kompania WDG nuk posedon ndonjë liçencë, kurse kompania “Security Code” nuk posedon certifikatën e dhomës së kontrollit për shërbimet e vëzhgimit elektronik të pronës. “Do t’i drejtohemi Gjykatës Supreme. Nuk do të ndalemi, për t’u ankuar edhe në institucionet e tjera përkatëse për drejtësi të cilat besoj se së shpejti me punën e tyre do të vijnë në realizimin e të drejtave tona si kompani”, ka thënë Hasani.

Skënder Sopjani, menaxher në kompaninë “Rojet e Nderit”, e cila ka qenë një nga kompanitë konkurruese, ka thënë se Organi Shqurtues i Prokurimit Publik këtë tender nuk e ka kthyer në rivlerësim. “Gjithë kjo histori e prokurimit besojmë se ka ardhur me qëllim të caktuar, për t’u arritur një nënshkrim kontrate në ndonjë interes të një personi apo individi të caktuar. Nëse kjo kontratë do të nënshkruhet ne do të vazhdojmë me procedura ligjore në të gjitha instancat”, ka thënë Sopjani.

Esat Tahiri, bashkëpronar me Milazim Lushtakun në kompaninë “Security Code” ka mohuar të ketë pasur shkelje në këtë tender. “Janë institucionet kompetente që janë marrë me këtë çështje, ata e kanë vlerësuar, nuk mundemi as ne fituesit as ata humbësit ta vlerësojmë tenderin. Na e kemi plotësuar dosjen sipas kërkesave të tenderit, komisioni e ka vlerësuar se nuk ka pasur shkelje”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa zyrtarë të KEK-ut kanë thënë se nuk e kanë ndërmend të kthehen pas me këtë tender, duke nënkuptuar se kontrata do të nënshkruhet nga drejtori Gjuka. “KEK-u sqaron se në tenderin për sigurimin fizik ka vepruar në përputhje të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP), me udhëzimet e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) dhe është duke përmbushur obligimin ligjor duke zbatuar pikë për pikë udhëzimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit”, ka thënë Viktor Buzhala, zëdhënës i KEK-ut.

Sipas tij, ky tender për shkak të kompleksitetit ka qenë me kriter të vlerësimit ekonomikisht më të favorshëm. “Fitues është shpallur oferta që ka marrë më së shumti pikë. Për më tepër, për t’u siguruar, KEK-u kishte pyetur edhe KRPP-në lidhur me këto, e cila me shkrim e ka udhëzuar korporatën të veprojë njësoj”, ka thënë ai. Sipas Buzhalës, në këtë tender kompania fituese i kishte të gjitha licencat e kërkuara në dosje të tenderit. “Pas shpalljes së fituesit, ofertuesi ‘Besa Security’ ishte ankuar në OSHP. Ky organ kishte vendosur në favor të vlerësimit të bërë nga Komisioni Profesional i KEK-ut.

Prandaj, korporata do të vazhdojë me procedimin e këtij tenderi, në bazë të vendimit të OSHP-së si organi më i lartë vendimmarrës, gjë që e ka edhe obligim ligjor”, ka përfunduar ai.

Javë më parë organizata “Preportr”, ka raportuar se kompania “Security Code”, pronë e nipit të Sami Lushtakut, e nisi punën me qarkullim vjetor gjysmë milioni euro në vitin 2008 dhe se tash është kompani shumëmilionëshe. Sipas informatave që “Preportr”e cila ka nxjerrë nga kontratat publike vetëm për vitin 2011, kjo firmë ka fituar gjithsej 11 tenderë me të hyra afër 3 milionë euro. “Security Code” nuk është letra e vetme me fat e Lushtakëve. Në lojën biznesore ata përdorin disa biznese të tjera.

Vlera e përgjithshme e kontratave publike që ka nënshkruar \"Secority Code\" është mbi 5.4 milionë euro. “Një kontratë afër gjysmë milionëshe e ka të nënshkruar edhe me Universitetin e Prishtinës ku për dy vjet parashihet të fitojë 450,411.36 euro me ruajtjen e të gjitha objekteve të këtij institucioni”, ka raportuar “Preportr”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)