19 Nëntor 2018

Nënshkruhet Udhëzimi Administrativ i Gjobave për hedhje të mbeturinave

Prishtinë, 17 tetor - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ Nr. 6/2018, i cili parasheh ndëshkime me gjoba mandatore për personat fizik dhe juridik të cilët hedhin mbeturina jashtë vendeve të caktuara për hedhjen e tyre.

Me këtë rast, ministri Matoshi, tha se qëllimi i këtij udhëzim është edhe eliminimin apo reduktimi i ndotjes, mbrojtja e mjedisit dhe shëndetit të njeriut, mbrojtja e sipërfaqeve publike dhe private nga ndotja përmes menaxhimit të mbeturinave.

“Krahas fushatës së pastrimit e cila po vazhdon me sukses, zbatimi i këtij udhëzimi do të ndikojë pozitivisht në vetëdijesimin e qytetarëve dhe parandalimin e ndotjes së mjedisit nga hedhja e mbeturinave në vende të pacaktuara dhe djegien e tyre”, tha ministri Matoshi.

I pari i MMPH-së, Matoshi tregoi se vlera e gjobës mandatore,  varësisht prej veprimit ndëshkues do të jetë prej 20 deri në 100 Euro, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve dhe mediave të raportojnë për ata që shkelin dispozitat e këtij udhëzimi.

“Ftoj të gjithë mediat dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, të raportojnë nëse shohin se ka hedhje të mbeturinave qofshin ato edhe nga deputetët, ministrat, të cilët mund të shkelin dispozitat e këtij udhëzimi”, deklaroi Matoshi.

Autoritetet që do të zbatojnë këtë udhëzim, sipas ministrit Matoshi,  janë MMPH-ja, Policia e Kosovës,  inspektoratet komunal të mjedisit  si dhe zyrtarët e tjerë të autorizuar.

Ministri Matoshi, gjatë konferencës për media, tregoi se ky Udhëzim Administrativ, parasheh që personi ndaj të cilit shqiptohet ndëshkimi me gjobë mandatore është i detyruar të bëjë pagesën në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e shqiptimit të gjobës ose në të kundërtën do të ballafaqohen me përmbarues.

Udhëzimi Administrativ Nr. 6/2018 parasheh që personi i cili hedh cigare në rrugë ose në sipërfaqe publike, do të gjobitet 20 euro; hedhja e mbeturina dhe ambalazhe të ndryshme, 30 euro; hedhja e mbeturinave komunale jashtë kontejnerit për mbeturina komunale 40 euro; personat që hedhin cigare apo mbeturina nga automjeti, 50 euro; personi i cili i hulumton, djeg, dëmton kontejnerët e mbeturinave komunale dhe u ndërron vendin e atyre, 50 euro; personi i cili hedhë çfarëdo lloj mbeturine nga ballkoni ose dritarja e objektit,  hedhë mbeturina në pusetat për kanalizim, 70euro; personi i cili hedhë mbeturina nga materialet ndërtimore jashtë vendeve ose kontejnerëve të caktuar, i cili hedhë mbeturina medicinale në sipërfaqe publike ose në natyrë ndëshkohet me 90 euro.

Me këtë udhëzim ndëshkimi me vlerë më të lartë prej 100 euro do të jetë për hedhjen e mbeturinave në lumenj, përroska, liqene, sipërfaqe publike, natyrë, rrugë dhe djegia e mbeturinave në veçanti gomave, plastikës dhe vajrave si dhe djegia e mbeturinave në ara të punueshme apo natyre.

Ky Udhëzim Administrativ do të hyjë në fuqi në afat prej shtatë (7) ditësh nga nënshkrimi i tij.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 nëntor 2018 - Kuvendi i Republikës së Kosovës shënon Diten e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve.(Ndërtesa e Kuvendit, salla C 405, ora 10:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli merr pjesë në Ditën e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 405, ora 10:00)

- Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare. (Ndërtesa e Kuvendit, salla  C-301, ora 11:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim do të përurojë impiantin i për trajtimin e ujërave të zeza në vise rurale në fshatin Kramovik, Komuna e Rahovecit. (Fshati Kramovik, ora 11:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza - moçalishtë e ndërtuar në Kramovik të komunës së Rahovecit. (Fshati Kramovik, ora 11:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me Kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu për avansimin e pozitës së të rinjve në sport, kreativitet kulturor dhe mendim kritik dhe në dituri. (Objekti i Komunës së Ferizajt, ora 11:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli merr pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

-  Mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Integrimit Evropian dhe Norvegjisë, me ç’rast nënshkruhet projekti përkrahës i Norvegjisë për ngritjen e kapaciteteve të shërbyesve civilë për zbatimin e MSA-së. (Ndërtesa e Qeverisë, salla e Konferencave P-32, ora 11:00)

- Mbahet sesioni informues i thirrur nga  Fondi i Ballkanit Perëndimor e cila është thirrja e dytë me radhë për propozimet e projekteve rajonale. (Ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ora 11:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli pret në takim të përbashkët ministrin e Financave, ministrin e Drejtësisë dhe kryeshefin e Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë. (Kabineti i Kryeparlamentarit, ora 13:00)

- Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, mban takim me të rinjtë e Nismës në Shtime. (Shtëpia e Kulturës në Shtime, ora 16:00)
 
- Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, mban takim me të rinjtë e Nismës në Lipjan. (Golden Day në Lipjan, ora 18:00)

- Galeria Kombëtare e Kosovës organizon hapjen e ekspozitës “Muzeu i tri pikave” të artistit Lulzim Zeqiri. (Galeria Kombëtare e Kosovës, ora 20:00)