26 Prill 2024

Ndahen edhe 26.8 milionë euro për Termokosin

Prishtinë, 14 nëntor - Sot në Prishtinë u mbajt ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes për huadhënie, ndërmjet Komisionit Evropian, KfW-së dhe qeverisë së Kosovës, për projektin e ngrohjes qendrore në Prishtinë.

Ky projekt kap vlerën prej 26.8 milionë euro, ku Komisioni Evropian ka kontribuar me një grant prej 13.8 milion euro nga programi i tij instrumenti i përkrahjes i para-anëtarësimit, 6 milionë euro janë nga shteti gjerman, 5 milionë euro kredi nga Banka Gjermane për Zhvillim dhe Komuna e Prishtinës kontribuon me 2 milionë euro.

Khasoun Sinno, udhëheqës i Zyrës Ndërlidhëse të KE-së në Kosovë u shpreh i lumtur kanë kontribuuar në këtë projekt.

“Kjo tregon se si i përdorim sistemet ne mënyrën më të mirë, në bashkëpunim me te gjithë akterët që janë te interesuar dhe janë të përfshirë në Kosovë. Dobitë nga ky projekt, janë ajri me i pastër, një ngrohje me e sigurtë dhe energji elektrike më të sigurtë”, tha Sinno.

Sinno ka theksuar se projekti është pjesë e Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor, një iniciativë e përbashkët e Komisionit Evropian, Bankës Evropiane të Investimeve, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, për të mbështetur investimet për zhvillim socio-ekonomik të Ballkanit Perëndimor.

Korniza përfshinë asistencën teknike të financuar përmes granteve të KE-së, si dhe huadhëniet dhe grantet për të financuar projekte të cilat janë të përgatitura sipas kësaj asistence teknike.

"Komisioni Evropian së bashku me KfW-në dhe qeverinë e Kosovës kanë identifikuar projekte të rëndësishme në fushën e energjisë, ujit dhe mbeturinave, ndërsa fonde të konsiderueshme janë alokuar për këto fusha", ka theksuar Sinno.

Ky grant i shtohet kontributeve financiare të KfW-së Entwicklungsbank përmes një granti të kombinuar dhe një huadhënie në vlerë prej 11 milionë euro si dhe një granti prej 2 milionë euro të komunës së Prishtinës.

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka deklaruar se ky është një projekt i rëndësishëm, i cili do të kontribuojë në cilësinë dhe kualitetin e jetës së qytetarëve, por i cili do të ketë impakt edhe në zhvillimin ekonomik.

Ministria e Financave së bashku me Komunën e Prishtinës sipas tij ka pasur këtë si prioritet shumë të lartë dhe se ka bashkëpunuar shumë ngushtë me Komisionin Evropian, Qeverinë gjermane dhe Bankën Gjermane për Zhvillim.

Ai theksoi se projekti për ngrohtoren “Termokos”, ka dy komponent, rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemit të ngrohjes në Prishtinë dhe lidhjen e sistemit të ngrohjes me Termocentralin “Kosova B”, në mënyrë që të mundësohet bartja dhe shfrytëzimi i avullit për ngrohjen e qytetit.

“Ky projekt ka përfitime të shumta, siç janë ulja prej 50 për qind e shpenzimeve operative të Termokos-it dhe se me kalimin e sistemin e ngrohjes me avull, Termokos nuk do të varet nga ndryshimet e çmimit të mazutit në treg dhe do të ketë ulje të konsumit të energjisë elektrike për ngrohje dhe si rrjedhojë përmirësimin e furnizimit me energji elektrike”, tha Hamza.

Institucionet e Kosovës, sipas Hamzës kanë marrë disa obligime dhe gjatë gjithë kohës sa do të zgjasë projekti, do ta ndihmojnë Termokos-in të jetë ndërmarrje e qëndrueshme dhe të kontribuojnë përmes subvencionimin. Hamza tha se për vitin e ardhshëm, është planifikuar që nga buxheti i Kosovës për këtë qëllim ti ndajmë rreth 3 milionë euro.

Ernst Reichel, ambasador gjerman në Kosovë tha se kjo ditë shënon një ngjarje te rëndësishme në vazhdimin e angazhimit të Gjermanisë për zhvillimin e Kosovës, posaçërisht në zhvillimin e sektorit të energjisë dhe shërbimit publik.

“Eshtë me rëndësi që njerëzit të kenë jo vetëm ngrohjen e duhur, por ngrohja te behet ne mënyre që të jetë e qëndrueshme për mjedisin. Kur të përfundohet ky projekt, do te ketë ngrohje termale te siguruar nga Kosova B”, tha ai.

Drejtoresha e e zyrës rajonale Ute Rodrian të KFW-në së Kosovë, tha se ka qenë një rrugë e gjatë për të arritur deri këtu, por një gjë tillë është arritur me përkushtimin e Qeverisë së Kosovës, Komunës dhe Termokos-it. “Shpresoj se me përkushtim te tillë, do të jete një projekt i përshtatshëm”, u shpreh Rodrian.

Ndërsa drejtori i Termokos-it, Arsim Janova tha se ky është një projekt shumë i rëndësishëm, jo vetëm për Termokos-in, qytetarët e Prishtinës, por edhe për Kosovën.

Si parapërgatitje për këtë projekt, sipas Janovës Komuna e Prishtinës dhe qeveria po subvencionojnë në mënyrë që Termoko-i të jetë sa më funksional dhe operativ dhe ta pret i përgatitur realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm për Prishtinën.

“Zotohem se do të ketë bashkëpunim të mirë KFW-në, ministrinë, komunën dhe të gjitha institucionet relevante për implementimit të këtij projekti, që ky projekt të realizohet në afatin e paraparë dhe në mënyrë sa më cilësore”, tha ai.

Projekti do ta rinovoj edhe rrjetin e ngrohjes qendrore i cili aktualisht është duke pësuar humbje të mëdha të ujit për shkak të sistemit të vjetër të gypave.

Në përgjithësi, qytetarët e Prishtinës do të përfitojnë shërbime të ngrohjes më të mira, ndërsa shfrytëzimi i energjisë për ngrohje do të ulet dhe kjo energji do të jetë në dispozicion për furnizim të rajoneve të tjera të Kosovës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)