29 Mars 2024

MZHE obligon KEK-un të bëjë një rivlerësim të detajuar

Prishtinë, 9 shkurt - Ministria e Zhvillimit Ekonomik pas konsultimeve në nivel Qeveritar ka marrë vendim që të kërkojë nga KEK-u që deri më 16 shkurt të bëjë një rivlerësim detajuar të gjendjes së krijuar deri më tani dhe të sjellë të gjithë dokumentacionin relevant për mënyrën e faturimit, mënyrën e leximit të njehsorëve dhe efektet e ndërrimit të njehsorëve, ka deklaruar ministri Besim Beqaj.

Këto komente ministri Beqaj i bëri sot gjatë konferencës për media të ftuar enkas për të sqaruar gjendjen e krijuar së fundi lidhur me faturimet e KEK-ut, me ç’rast ka siguruar të gjithë qytetarët se Qeveria do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të gjitha rastet të cilat mund të identifikohen si shkelje të çfarëdo autorizimi nga ana e kujtdo qoftë në KEK apo institucion tjetër.

Ai ka ritheksuar se Qeveria është e përkushtuar ta zbatojë Strategjinë e Energjisë e cila ka tri parime themelore: furnizim të rregullt me energji; faturim të përballueshëm për qytetarët dhe ngritje të kapaciteteve të reja gjeneruese konform standardeve mjedisore.

“Dua të bëjë me dije se asnjë lëvizje në çmime të energjisë deri më tani nuk ka pasur. Vendimi për rritje ka qenë vitin e kaluar dhe faturimet kanë qenë tërë vitin sipas kësaj. Askush nuk mund të arsyetohet që ka pasur një rritje të tillë”, tha Beqaj, për të shtuar se situata e cila është krijuar i ka shtyrë që të marrin disa masa si përgjigje ndaj shqetësimit të qytetarëve.

Ai tha se MZHE ka kërkuar dhe ka obliguar KEK-un që për të gjitha ato ankesa që më janë ngritur deri tani të shtyhet afati i pagesave deri në momentin kur ato verifikohen.

Pra për të gjithë qytetarët që kanë ndonjë shqetësim lidhur me faturimin, pagesa do të shtyhet deri në qartësimin e plotë të gjendjes e cila nënkupton që do të shihen masat e nevojshme në bazë të gjendjes e cila mund të krijohet.

“Njëkohësisht MZHE ka formuar një komision i cili do ta mbikëqyrë këtë proces dhe ky komision do të përbëhet nga MZHE nga ZRRE, MTI, e cila që ka të bëjë me Njësinë për bazhdarimin e orëve, pra Njësia për Meteorologji dhe Shoqata e Konsumatorëve, të cilët do të ulen së bashku dhe do të bëjnë vlerësimin e secilit rast veç e veç dhe do të vijnë me rekomandime adekuate”, tha ministri Beqaj.

Numri një i MZHE-së ka paralajmëruar se në rast se evidentohet çfarëdo lloj shkelje në këtë proces, atëherë do të merren masat e duhura për të gjithë personat apo institucionet të cilat kanë bërë shkelje, qoftë në faturim, lexim, bazhdarim, bllok të tarifave, apo çkado.

“Edhe një herë dua t’i inkurajojë të gjithë qytetarët, të gjithë ata që mendojnë se kanë çfarëdo lloj padrejtësie në çështjen e faturimeve të shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore për ta kontestuar atë dhe për të marrë hapa të nevojshëm në baza ligjore”, tha ministri, duke siguruar qytetarët e Kosovës që asnjë qytetar nuk do të paguajë më shumë sesa ka shpenzuar.

Ndryshe, Ministri Beqaj ka nënvizuar se është evidente që në dy vjetët e fundit ka furnizim shumë më të mirë me energji elektrike, është harruar zhurma e gjeneratorëve, dhe njëkohësisht ka një prodhim shumë më cilësor dhe tërë kjo është bërë me angazhimin e institucioneve, por edhe angazhimin e punonjësve të KEK-ut.




Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)