18 Shtator 2020

Ministri Kuçi zotohet për liberalizimin e tregut për energji te ripërtëritshme

Prishtinë, 3 gusht - Sot në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit është mbajtur një punëtori virtuale me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Pjesë e kësaj punëtorie ishte ministri Blerim Kuçi me ekipin e tij të këshilltarëve dhe Departamenti i Energjisë në MEA, i kryesuar nga udhëheqësi i këtij departamenti, Luan Morina.

Tema e punëtorisë mes MEA-së dhe BERZH-it ishte asistenca për Ankandin Publik për Energji të Ripërtëritshme.

Udhëheqësi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Kosovë, Neil Taylor e ka hapur punëtorinë duke e vlerësuar se ky ankand është i rëndësishëm dhe ka treguar që ky proces do të jetë i suksesshëm, pas përvojës së njëjtë që kanë pasur në Shqipëri.

Taylor ka prezantuar edhe Andreas Gunst, ekspert i angazhuar për çështjen e Ankandit Publik për Energji të Ripërtëritshme.

Ministri z. Blerim Kuçi i falënderoi BERZH-in për këtë asistencë, teksa e konfirmoi angazhimin e tij për procesin e Ankandit Publik për Energji të Ripërtëritshme.

“Ky proces ka filluar nga ministrat paraprak dhe unë natyrisht që do ta vazhdoj. Për neve është shumë i rëndësishëm liberalizimi i tregut të energjisë dhe ne do të vazhdojmë me këto procedura."

"Ajo që neve na bën të ndihemi të sigurt, është përvoja e BERZH-it në një proces të njëjtë. Po e konfirmoj që do të bëjmë të gjitha punët për liberalizimin e tregut dhe tregun konkurrues për Energji dhe Ripërtëritshme”, ka thënë Kuçi.

Më tej, ministri Kuçi u ka bërë me dije BERZH-it dhe ekipit të konsulencës që duhet të bëhet një identifikim i shpejtë i bazës ligjore, pasi ndryshimet në bazë ligjore marrin kohë për ndryshim nëpërmes Kuvendit të Kosovës.

Pjesë e kësaj punëtorie ishte edhe Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).​

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 Shtator 2020

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit te Republikës së Kosovës. (Salla e Kuvendit, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Narqize Arënliu Hoxhaj, do të bëjnë përurimin e shtimit të katit të dytë dhe renovimit të katit të parë të Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Zhur. (Fshati Zhur, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e nëntë e Komiteti për Politik dhe Financa të Komunës së Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit në objektin e ri të administratës komunale të Rahovecit, ora 10:00)  

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi do të ketë nje vizitë një grupi të të rinjve të Kosoves, nga etni të ndryshme. (Kabineti i Ministres MKRS, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 13:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në mbledhjen komemorative për gazetarin Sulejman Gashi. (Salla “ 1 Tetori ”, ora 13:30)

- Banorët e fshatit Karaçevë të Kamenicës protestojnë pas vendimit për mbylljen e disa shkollave në këtë qytet. (Para objektit të Komunës së Kamenicës, ora 14:00)