20 Prill 2024

Më shumë se 109 mijë vullnetarë, largojnë 316 ton mbeturina

Prishtinë, 17 shtator - Mbi 316 ton dhe 46 mijë thasë me mbeturina kanë arritur nga largohen brenda dy ditëve nga më shumë se 109 mijë vullnetarë falë aksionit të madh "Ta Pastrojmë Kosovën", i cili filloi edhe zyrtarisht të shtunën, më 15 shtator, për të vazhduar deri  më 15 dhjetor të këtij viti.

Aksioni i nisur me iniciativë të Let's Do It Kosova dhe i mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës, arriti një mobilizim të jashtëzakonshëm të mijëra vullnetarëve, institucioneve qendrore e komunale, organizatave e qytetarëve të shumtë.

Let's Do It Kosova ju njofton se tani dy prej fokuseve kryesore të fazës së parë të fushatës "Ta Pastrojmë Kosovën" janë deponitë më të mëdha ilegale nëpër komuna dhe brezi rrugor.

Tashmë janë hartuar edhe plane bashkërisht me komunat, ku fillimisht do të intervenohet në deponitë më të mëdha që janë evidentuar në territoret e komunave, për të vazhduar pastaj me brezin rrugor, ku janë evidentuar mbi 136 deponi nga vullnetarët e Let's Do It Kosova.

Pas dy dite, aksioni do të vazhdojë në Regjionin e Prishtinës për largimin e deponive ilegale të mbeturinave dhe pastrimin e brezit rrugor, për të vazhduar më pas edhe në regjionet tjera.

Në konferencën e sotme për media ku u publikuan këto të dhëna, drejtori i Let's Do It Kosova, Luan Hasanaj ka thënë se ditët e para të fushatës kanë tejkaluar edhe pritshmëritë tona, falë mijëra vullnetarëve që iu përgjigjen pozitivisht thirrjeve të vazhdueshme për pjesëmarrje në aksione pastrimi.

Tutje, ai tha se problemi i deponive në Kosovë është mjaft i madh, andaj askush nuk mund të pres që ai të zgjidhet brenda ditës.

Fushata e iniciuar nga Let's Do It Kosova ka bërë bashkë Qeverinë, komuna, ambasada, KFOR-in, FSK-në, Policinë e Kosovës, Organizata Joqeveritare, shoqërinë civile, kompani private, nxënës të shkollave fillore e të mesme, studentë e qytetarë të shumtë gjithandej vendit, për një Kosovë më të pastër.

Let's Do It Kosova falënderon organizatat "Green Art Center" dhe "Centar za drustvena istrazivanja Kosova - CDIK" dhe kompanitë "Kawa Group" dhe "Meridian" për ndihmën e ofruar në organizimin e aksionit, si dhe të gjitha organizatat tjera lokale që kanë ofruar ndihmën e tyre për organizimin e aksionit në nivel lokal.

Po ashtu, Let’s Do It Kosova u njofton se aksioni i nisur më 15 shtator do të vazhdojë për tre muaj dhe do të zgjasë deri në eliminimin e të gjitha deponive ilegale të mbeturinave, me ç’rast është krijuar edhe Task Forcë nga Qeveria e Republikës së Kosovës me akterë tjerë relevant.

Meqë fushata do të vazhdojë, ne sërish ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që në mënyrë të organizuar të bëhen pjesë e aksioneve për pastrimin e Kosovës.

Për t’i prezantuar më detajisht të gjitha të dhënat e përmendura më lart në tabelë, do të mbahet një konferencë për shtyp me koordinatorët lokalë të të gjitha komunave, për çka do t’ju informojmë me kohë. 



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)