25 Prill 2024

“Limak” ashpërson reduktimet e rrymës

Prishtinë, 14 qershor - Konsumatorëve të energjisë elektrike, të klasifikuar në kategorinë A, tashmë iu janë kthyer sërish reduktimet. Edhe pse tash jemi shumë pranë stinës së verës, në shumë vende të Kosovës, KEDS-i po vazhdon me ritmin e reduktimeve energjetike, sikurse në stinën e dimrit.

Afërdita Pllana nga lagja “Kolovicë” e Prishtinës ka thënë për “Zërin” se reduktime të ashpra të energjisë kanë qe një kohë në këtë pjesë. “Nuk e di arsyen se përse po e ndalin, vërtet jemi parapagues të rregullt. Kjo nuk është në rregull, nuk ke as ku të ankohesh”, ka thënë ajo.

Nazmi Shala nga lagja “Hajvali” e Prishtinës e ka quajtur të papërgjegjshme këtë korporatë, të cilët, sipas tij, derisa qytetarët janë në rregull me kryerjen e detyrimeve të tyre pse duhet ta ndalin. “Nuk ka mbetur gjë tjetër vetëm se të shkojmë dhe mos t’ua lëshojmë derën këtyre hajnave. Me ndal rrymën në pikë të verës pa asnjë arsye, pa pasur prishje as asgjë kjo është vetëm të bëjnë hajgare”, ka thënë ai.

Në terr për orë të tëra kanë mbetur edhe shumë fshatra të komunës së Gjakovës. Ismet Isufi nga fshati Duzhnje i kësaj komune, ka thënë se një gjë e tillë nuk po ndodh vetëm ditët e fundit, por që një muaj.

“Qëkur kanë filluar këto reshjet e shiut ne probleme kemi edhe me rrymën. Si të fillojë një erë e lehtë, apo shi, menjëherë ndalet dhe nuk vjen me orë të tëra. Nuk besoj se ka prishje, por është vetëm arsye e KEK-ut që të na lërë në terr”, ka thënë ai.

Ndërprerje të kohëpaskohshme ka edhe në rajonin e Mitrovicës, duke përfshirë edhe komunën e Vushtrrisë. Masar Haziri nga Mitrovica ka thënë se ndërprerjet e rrymës nuk janë të gjata, por të shpeshta. “Po kemi probleme me ndërprerje të energjisë, edhe pse nuk ka ndërprerje të gjata ato janë të shpeshta dhe nga një gjysmë ore ose 20 minuta. Kjo nuk po na ndodh vetëm neve, kam informata se edhe në komunën e Vushtrrisë po ndodh e njëjta gjë”, ka thënë ai.

Ndërsa zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka bërë të ditur për “Zërin” se së fundmi, janë shfaqur disa probleme që kanë ndikuar në ndërprerjen e energjisë elektrike në disa zona për shkak të disa avarive të shkaktuara nga kushtet e motit dhe nga rritja e konsumit.

”Nga sot pritet stabilizim i furnizimit me energji elektrike. Per fund lusim të gjithë qytetarët të kenë durim dhe të ndihmojnë KEDS dhe zyrtarët e saj në rrugën drejt përmirësimit të furnizimit me energji elektrike”, ka pohuar Buzhala, duke shtuar se janë në fazat fillestare të përmirësimit të distribuimit të energjisë elektrike, andaj, siç thotë ai, probleme të tilla mund të shfaqen.

“Jemi të përkushtuar të bëjmë minimizimin e këtyre problemeve, në mënyrë që qytetarët të kenë qasje në energji elektrike”, ka përfunduar Buzhala.

/Zëri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)