19 Prill 2024

Lansohet projekti “Fuqizimi i veprimit lokal për klimën”

Prishtinë, 3 mars - Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, i mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), njësia operative e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim në Kosovë, dhe Komunat e Prizrenit dhe Suharekës kanë lansuar projektin “Fuqizimi i veprimit lokal për klimën” (SLCA) i cili synon të zvogëlojë emetimet e gazeve serrë (GS) dhe të kontribuojë në përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër.

Lansimi u bë në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren, në praninë e z. Niels Knudsen, Zëvendës Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së, znj. Sandra Horina, shefe e zyrës së ADA-së, z. Shaqir Totaj, Kryetar i Komunës së Prizrenit, znj. Mihrije Suka, nënkryetare e komunës së Suharekës dhe përfaqësues nga Universiteti. Përmes pjesëmarrjes virtuale morën pjesë edhe përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile, grupet rinore, komunitetet lokale, përfaqësues të biznesit privat dhe përfaqësues të komunave tjera.

Z. Niels Knudsen, Zëvendës Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së tha me këtë rast: “Ndryshimet klimatike janë sfida përcaktuese globale që mund të trajtohet në mënyrë efektive vetëm nëse ndërmarrim veprime të fuqishme në nivel lokal. Për më shumë se një dekadë, UNDP-ja me partnerë ka mbështetur Kosovën që të ndërmarrë veprime klimatike dhe të ndërtojë qëndrueshmëri të komunitetit. Bazuar në praktikat më të mira të nxjerra nga e gjithë bota, ne, në qendër të vemendjes, kemi mbështetjen e veprimit klimatik në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme ndaj gjinisë. Fokusi i veçantë do të jetë tek ata në situata të cenueshme, të cilët goditen më së rëndi nga ndikimi i ndryshimeve klimatike. Jemi krenarë që së bashku me partnerin tonë të vjetër ADA mund të vazhdojmë të mbështesim Kosovën në përparimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe veprimit lokal të klimës. Ne gjithashtu dëshirojmë të falënderojmë partnerët tanë nga komuna e Prizrenit dhe Suharekës, për përkushtimin e tyre drejt të ardhmes që do t’i rezistojë klimës dhe mirëpresim që do të punojmë ngushtë së bashku.”

Sandra Horina, Shefe e Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA), njësia operative e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim në Prishtinë theksoi se: “Është përgjegjësi e jonë kolektive dhe individuale të ruajmë dhe të kujdesemi për botën në të cilën jetojmë të gjithë. Rritja e ndërgjegjësimit për çështjet më urgjente mjedisore të kohës sonë është më e rëndësishme se kurrë. ADA është shumë e lumtur të mbështesë komunat e Kosovës në tranzicionin e tyre drejt zhvillimit me emetime zero duke u mbështetur në rezultatet e projektit të mëparshëm “Mbështetje për Prizrenin e Qëndrueshëm – Inicimi i NAMA-ve Urbane”. Me këtë projekt ne synojmë të zvogëlojmë emetimet e gazrave serrë dhe të kontribuojmë në zhvillimin neutral ndaj karbonit përmes një qasjeje të integruar dhe të ndjeshme ndaj gjinisë. Pikësynim do t’i kemi së paku 620 përfitues të drejtpërdrejtë nga institucionet publike dhe sektori privat nga të cilët të paktën 340 do të jenë gra përmes zhvillimit të kapaciteteve dhe aktivitete ndërgjegjësuese.”

Z. Shaqir Totaj, kryetar i Komunës së Prizrenit theksoi rëndësinë e projektit: “Në cilësinë e kryetarit të Komunës së  Prizrenit, kam kënaqësinë e veçantë që në fillim të mandatit tim, bashkë me partnerët tanë, të inicojmë një projekt shumë të rëndësishëm si “Fuqizimi i veprimit lokal për klimën”, projekt ky me fokus mbrojtjen e ambientit, rritjen e kualitetit të jetës së qytetarëve dhe ngritjen e kapaciteteve lokale për zhvillim të qëndrueshëm në zona urbane dhe rurale. Komuna e Prizrenit do të angazhohet me të gjitha kapacitetet që ka për të arritur implementimin e projektit dhe gjithashtu funksionimin e tij në periudhë kohore afatgjatë. Ne jemi të bindur se mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi i qëndrueshëm i qytetit dhe zonave rurale është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Prandaj domosdoshmërisht mbetet një ndër prioritetet tona e njëkohësisht një ndër sfidat e kësaj kohe, jo vetëm për ne por për gjithë botën.  Planet tona për Prizrenin e Gjelbërt përbëjnë projekte të shumta siç janë: projekte për mbrojtjen e mjedisit, zhvillimi i transportit alternativ, ndërtimi i shtigjeve për këmbësorë dhe biçikleta, pastrimi i ujërave nga ndotjet, menaxhimi më i mirë i mbeturinave, ndërtimi i hapësirave të gjelbra e mbjellja e drunjëve, prandaj ky projekt është pikënisje drejt zhvillimit të shumë projekteve të tjera. U jemi mirënjohës UNDP-së për përkrahjen e këtij projekti, poashtu falenderojmë donatorit Agjenciont Austriak për Zhvillim dhe gjithë partnerët e projektit, përfshirë Komunën e Suharekës.

Znj. Mihrije Suka, nënkryetare e komunës së Suharekës në fjalën e saj tha: Komuna e Suharekës dhe qytetarët e saj kanë mirëpritur fillimin e zbatimit të projektit: "Fuqizimi i veprimit lokal për klimën". Ne, gjatë viteve të fundit, kemi zbatuar shumë aktivitete në rregullimin e mjedisit jetësor, posaçërisht në mbrojtje të mjedisit, me një përfshirje të gjerë të qytetarëve, institucioneve publike, shkollore, atyre të mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe me biznese private dhe organizata ndërkombëtare. Ne kemi plane për zgjerimin e projekteve me fokus në mjedisin, prandaj ky projekt do të mundësojë që ne, me përkrahje të UNDP-së, të ndërmarrim veprime konkrete për  klimën dhe për një zhvillim të gjelbër. Ju jemi mirënjohës donatorit të projektit  Agjencionit Austriak për Zhvillim dhe partnerëve strategjik si Komuna e Prizrenit për bashkëpunim.

Gjatë viteve 2018-2021, UNDP dhe ADA, përmes projektit NAMA-të URBAN-e, mbështetën komunën e Prizrenit për të themeluar Qendrën e Rritjes së Gjelbër, e cila udhëhoqi inovacionet e rëndësishme në krijimin e Inventarit të GS-ve për ndërtesat publike në Prizren, hartuan një plan të ndërhyrjes ndërsektorale për ndryshimet klimatike dhe pilotoi zgjidhje të zgjuara për një qytet të gjelbër, duke mundësuar një zvogëlim të emetimeve të gazrave serrë (GS) dhe rrugëve drejt zhvillimit të gjelbër.

Projekti Fuqizimi i veprimit lokal për klimën do të zbatohet në komunat e Prizrenit dhe Suharekës. Qëllimi i projektit është të mbështesë komunat në tranzicionin e tyre drejt rrugëve të zhvillimit me emetim zero dhe kalimin në dinamikat e zhvillimit të qëndrueshëm urban-rural.

Kontributi i ADA-së në projektin “Fuqizimi i veprimit lokal për klimën” është një milion euro me bashkëfinancim të komunës së Prizrenit me 100,000 euro dhe komunës së Suharekës me 50,000 euro si dëshmi dhe përkushtim për të punuar së bashku në promovimin e zhvillimit rural dhe luftimin e ndryshimeve klimatike në nivel lokal.


  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)