20 Prill 2024

Kuvendi shqyrton Strategjinë për Energjinë 2009-2018

Prishtinë, 18 mars - Kuvendi i Kosovës, po shqyrton sot, në seancë plenare, Propozim-Strategjinë e Energjisë për periudhën 2009-2018. Ministrja e Energjisë, Justina Pula, tha se Strategjia e Energjisë, bazohet në projektin Qeveritar për sektorin e energjisë.

Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Pula-Shiroka, duke prezantuar strategjinë, tha se ajo bazohet në Programin e Qeverisë për sektorin e energjisë, si dhe në platformën e politikës energjetike të Kosovës, përgatitur së bashku me Bankën Botërore dhe Departamentin Amerikan të Shtetit, e dokumentuar kjo në letrën e datës 6 korrik 2009.

Sipas ministres Pula, kjo platformë ka marrë edhe përkrahjen e Komisionit Evropian dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare. “Strategjia synon stimulimin e përdorimin racional të energjisë dhe rritjen e efiçiencës së përdorimit te saj, shfrytëzimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë, futjen e teknologjive të reja dhe zbatimin e standardeve mjedisore, siç parashikohen me ligj”, theksoi ajo.

Sipas ministres së Energjisë, plotësimi i obligimeve qe rrjedhin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë dhe procesi i integrimeve evropiane është një tjetër dimension i rëndësishëm i kësaj Strategjie. Pula tha se zbatimi i qasjes evropiane sa i takon energjisë, mjedisit dhe konkurrencës, është ne vëmendjen e kësaj Strategjie, gjë që do të mundësojë integrimin e sektorit energjetik të vendit tonë në sistemet energjetike evropiane. Vëmendje e veçantë, tha ajo, i kushtohet mbrojtjes se mjedisit nga emetimet ndotëse prej stabilimenteve energjetike.

Ministrja Pula-Shiroka theksoi se strategjia synon përgatitjen e një kuadri të plote ligjor dhe rregullator, që do të mundësonte tërheqjen e investimeve të konsiderueshme private në sektorin tonë energjetik. Korniza regullatore e sektorit energjetik të Kosovës synohet të jetë e plotë dhe e qartë, në mënyrë që të arrihet besimi i investitorëve të huaj në të. Ministrja bëri të ditur se kjo strategji parasheh rivitalizim të TC Kosova B me investime private, kur këtij rivitalizmi t’i vijë koha, pasi të futet në operim blloku i parë i TC Kosova e Re, rreth vitit 2016.

Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion, i ka dhënë mbështetje strategjisë, me kërkesën që të përfshihen rekomandimet e tij. Ky komision, qëndrimin e të cilit e prezantoi kryetarja Myzejene Selmani, ka rekomanduar mbështetjen në parim të strategjisë, duke kërkuar që TC Kosova B të mos përfshihet në pakon ë tenderimit të TC Kosova e Re. Ndërkaq, ka shfaqur qëndrimin që ky i fundit të ndërtohet në lokacionin e TC Kosovës A.

Në vazhdim të seancës, qëndrimet e tyre i kanë prezantuar grupet parlamentare, të cilat kanë dhënë qëndrime të ndryshme sa i përket strategjisë. Deputetë të partive politike në pozitë kanë dhënë vlerësime pozitive, më sugjerime dhe rekomandime të caktuara. Ata kanë vlerësuar se strategjia paraqet një shteg të ri për Kosovën, siguron kornizë përmes së cilës Kosova mund të shfrytëzojë këtë për të mirën e të gjithë qytetarëve të saj. Deputetë të opozitës, ndërkaq, kanë kritikuar strategjinë duke dhënë vërejtje rreth saj. Opozitarët kanë vlerësuar se strategjia është dokument i vjetër dhe nuk korrespondon me situatën reale ku gjendet sektori i energjisë në vendin tonë.

Gjatë diskutimeve, deputetët janë fokusuar edhe në kapacitetet prodhuese të termocentralit të ri, ndërtimi i të cilit parashihet në këtë strategji, në çështjen e lokacionit ku duhet të ndërtohet, në eksploatimin e linjitit, në çështjen e mbrojtjes së ambientit etj. U vlerësua se Kosovës i duhen kapacitetet e saj energjetike, si parakusht të zhvillimit ekonomik të saj.

Në fund, u vendos që Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion, bashkërisht me qeverinë, me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, mbi bazën e debatit të sotëm, ta plotësojë strategjinë me rekomandime, në mënyrë që të votohet në një seancë të ardhshme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)