29 Mars 2024

Kosova mbështet implementimin e agjendës e SEE plus

Tiranë, 7 Nëntor - Qeveria e Republikës së Kosovës e mbështet fuqishëm Iniciativën e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal  për Evropën Juglindore Elektronike dhe është e përkushtuar se plani i veprimit të  eSEE Agjenda Plus do të implementohet në Kosovë në bazë të afateve të rishikuara, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj në takimin e organizuar në Tiranë nga Këshillit për Bashkëpunim Rajonal për Evropën Juglindore Elektronike.

Në këtë takim të nivelit të lartë për zhvillimin e shoqërisë teknologjike, ku po marrin pjesë ministrat nga rajoni që mbulojnë fushën e Teknologjisë Informative, i pranishëm ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, përfaqësues të KE-së, UNDP-së, drejtes të Zyrës së Zhvillimit të Telekomunikacionit të ITU-së, etj.

Në momentin kur ministri Beqaj ka marrë fjalën, në shenjë proteste për pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës si palë e barabartë në këtë forum të nivelit rajonal, sallën e kanë braktisur përfaqësuesit e Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës.

Ministri Beqaj, duke theksuar se zhvillimi i Teknologjia Informative dhe Komunikuese është sektor thelbësor për zhvillim ekonomik dhe social, tha se për më tepër TIK-u është bërë infrastrukturë mundësuese për ekonominë në rritje të informacionit.

“Informacioni kategorizohet si një nga faktorët fundamental të produktivitetit, së bashku me kapitalin dhe resurset njerëzore. Informacioni kontribuon ndjeshëm në GDP në ekonomitë me industrializim të ri dhe sektorët modern të vendeve në zhvillim”, tha ministri Beqaj.

Kreu i MZHE-së tha së në ditët tona, ekziston një pajtueshmëri e mjaftueshme që teknologjia e informacionit dhe komunikimit siguron komponentët kyçe të zhvillimit ekonomik, kontribuon në integrimin global duke ndihmuar në ruajtjen e identitetit nacional dhe duke avancuar efektivitetin, efikasitetin dhe transparencën e sektorit publik.

Ai theksoi se qasja në informacione dhe TIK-u trajtohen si kyçe për reduktimin e qëndrueshëm të varfërisë, kryesisht duke rritur efikasitetin dhe konkurrueshmërinë globale të ekonomisë, mundësimin e shërbimeve me kualitet të lartë në edukim dhe shëndetësi dhe krijimin e burimeve të reja të të ardhurave.

“Duke qenë plotësisht të vetëdijshëm se Teknologjia Informative dhe Komunikuese nuk mund të zhvillohet ndaras dhe si e veçuar nga rajoni në të cilin gjendemi, Kosova që nga fillimi e ka mbështetur Iniciativën e ish-Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore elektronike-eSEE fillimisht dhe më pastaj edhe  iniciativën brezgjerë të EJL-së”, tha Beqaj për të shtuar se këto iniciativa dhe trendët e zhvillimit të teknologjive dhe shërbimeve të reja mbështetur në këto teknologji në Evropë dhe në botë në përgjithësi do të sjellin kualitet të ri në rajon si nga aspekti i bashkëpunimit rajonal gjithashtu edhe nga aspekti i zhvillimit të mëtutjeshëm të këtyre teknologjive dhe shërbimeve të shoqërisë së informacionit.

Sipas tij, institucionet e Kosovës e posaçërisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik i kanë marrë me seriozitet përmbushjet e zotimeve nga eSEE agjenda Plus, me ç’rast  janë krijuar dhe po vazhdojnë të krijojnë bazën ligjore në përputhshmëri të plotë me legjislacionin në këto fusha të Bashkimit Evropian (acquis communautaire).
 
Miratimi i Strategjisë Nacionale për Shoqëri të Informacionit, Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Qeverisje Elektronike, Strategjisë për mësim elektronike si dhe dokumentit të Politikave për sektorin e Telekomunikacionit kanë krijuar mundësi për zhvillim të mëtutjeshëm të Shoqërisë së Informacionit në Kosovë, tha ministri i zhvillimit ekonomik.

Ai theksoi se fushat prioritare të eSEE Agjendës plus janë - Hapësirë e Vetme e Informacionit në Evropën JugLindore, Risi dhe Investime në Hulumtim dhe Edukim në TIK, dhe Shoqëri Gjithëpërfshirëse e Informacionit  si dhe objektivat dhe aktivitetet konkrete që duhet bërë për arritjen e këtyre objektivave

“Sikurse që është shkruar në dokumentet tona të aprovuara, synimet tona politike në aspektin e krijimit të ambientit të favorshëm për zhvillim të shërbimeve dhe përdorim të TIK-ut do të jenë - hapja e tregjeve për ofrues të shërbimeve/operator të ri dhe konkurrencë, pjesëmarrja e sektorit privat, zhvillimi i mundësive atraktive për biznes, zhvillimi i kapacitetit rregullator, zvogëlimi (ngushtimi) i ndarjes zhvillimore, realizimin e qasjes/shërbimit universal, garantimin e përdorimit optimal të burimeve të kufizuara, menaxhimi i procesit të reformimit të administratës Publike, Korniza Arkitektonike për TIK në Qeverinë e Kosovës, përdorimi i TIK në sistemin e edukativo-arsimor, qeverisja elektronike, krijimi i një sistemi ligjor më efektiv për monitorimin dhe mbikëqyrjen e sektorit të TIK-ut, që ndihmon në qeverisje efikase dhe transparente, mbrojtje të konsumatorit, dhe shpërndarje të shërbimeve dhe teknologjive të reja e moderne për plotësimin e nevojave të përdoruesve”, ka vënë në dukje Beqaj.

Ministri Beqaj theksoi se për arritjen e këtyre synimeve do të bashkëpunohet më ngushtë me vendet e rajonit, me qeveritë e vendeve të BE-së, Komisionin Evropian, UNDP-në, UNECE-n, Sektorin Privat, OJQ-të, Institucionet akademike etj.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)