18 Shtator 2019

Kosova fillon fushatën globale për pastrimin e botës

Prishtinë, 10 maj - Tashmë ka filluar Fushata Globale për Ditën e Pastrimit të Botës, që këtë vit do të drejtohet nga Kosova në më shumë se 150 shtete të ndryshme të botës dhe do të mbahet më 21 shtator.

Fushata ka filluar me një video promovuese, pjesë e së cilës është bërë edhe alpinistja nga Kosova me famë botërore, Uta Ibrahimi, e cila u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe më gjerë që t’i bashkohen Ditës së Pastrimit të Botës. 

Përmes kësaj videoje, e cila do të lansohet në më shumë se 150 shtete të ndryshme, do të shfaqen disa nga vlerat më të mira natyrore të shtetit të Kosovës, të cilat falë kësaj fushate do të promovohen në gjithë botën.

Në këtë video promovuese, përveç bukurive natyrore të Kosovës, shfaqet edhe ndotja si fenomen shqetësues, në mënyrë që të ngritët vetëdija për dëmin që u shkaktohet bukurive natyrore nga mbeturinat që hidhen.

Përmes mesazhit sensibilizues që transmetohet nga alpinistja nga Kosova që ka prekur katër nga majat më të larta në botë, kërkohet që secili prej nesh të ndaj pak minuta çdo ditë, dhe në këtë mënyrë ta bëjmë të mundur që të jetojmë në një planet të pastër.

Uta, është krenare që vie nga Kosova, nga shteti që tani po udhëheq një fushatë kaq të madhe të pastrimit, falë suksesit që “Let’s Do It Kosova” shënoi gjatë fushatës tre mujore “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila nisi me 15 shtator 2018 dhe përfundoi me 15 dhjetor 2018.

Rrjeti Global “Let’s Do It World” ka zgjedhur shtetin e Kosovës që për vitin 2019 dhe 2020 të drejtojë Ditën e Pastrimit të Botës në më shumë se 150 shtete, falë suksesit që ka treguar ndër vite me aktivitete për pastrimin e Kosovës dhe ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe mbajtjen pastër të tij.

Në Konferencën për Ditën e Pastrimit të Botës që u mbajt në Tallinn të Estonisë [24-27 janar 2019], shteti i Kosovës u prezantua si storie suksesi, për shkak të implementimit të një Fushate, të cilës iu bashkuan 10 për qind e popullsisë së Kosovës, e cila rezultoi me pastrimin e mbi 900 deponive ilegale të mbeturinave.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 shtator 2019

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti viziton Xhaminë e Çarshisë në Prishtinë. (Xhamia e Çarshisë në Prishtinë, ora 9:10)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, do të vizitojë Komunën e Kaçanikut ku do të takoj kryetarin e kësaj komune, Besim Ilazin, për të diskutuar rreth përgaditjes së Garës Nacionale të Sportit. (Objekti i komunës, ora 9:30)

- Specialistët stomatologë të papunë do të protestojnë para Ministrisë së Shëndetësisë. (Para Ministrisë së Shëndetësisë, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit ndërmjet qytetarëve dhe kandidatëve për deputetë nga subjektet politike lidhur me temën “Qasja e subjekteve politike rreth çështjes së gjinekologut në nivel komunal”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti viziton Kalanë e Artanës. (Kalaja e Artanës, ora 10:30)

- Ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala, mbanë konferencë për media, ku do të lansojë Fondin për Mbështetjen e Ndërmarrjeve Mikro të Vogla dhe të Mesme në vlerë prej 4 milionë euro. (ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme, kati i 3-të,  përballë New Born-it, ora 10:30)

- Oda e Afarzimit të Kosovës në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë në Tiranë dhe Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore organizojnë ngjarjen “Regional B2B Event”. (Holiday Inn në Shkup, 11:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mirëpret fituesit e medaljeve të Taekwandos. (Kabineti i Ministrit në MKRS, ora 11:00)

- Lëvizja FOL organizon diskutimin e tretë në kuadër të Forumit FOL Hapur me kandidatët për Kryeministër ku i ftuari i radhës do të jetë Nenad Rašić, Kandidat për Kryeministër nga koalicioni Slloboda. (Zyrat e Lëvizjes FOL, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Gjianit, Lutfi Haziri, nënshkruan kontratat me tetë përfituesit e nën-granteve, në kuadër të projektit "Te rinjtë në Agrobiznes- Regjioni Ekonomik Lindje". (Zyra e Kryetarit Haziri, ora 11:00)

- Punëtorët teknik te qendrës studentore do të protestojnë para drejtorisë së qendrës studentore. (Para drejtorisë së qendrës studentore, ora 11:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti viziton Ulpianën. (Ulpianë, ora 11:40)

- Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Zyren e Bashkimint Evropian në Kosovë organizon promovimi i shtegut për çiklistë, si fazë testuese. (Rruga Zagrebi në Prishtinë, ora 12:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti viziton Janjevën. (Janjevë, ora 12:20)

- Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Zyren e Bashkimint Evropian në Kosovë organizon tryezë diskutimi “Ecja, çiklizmi dhe transporti urban”. (Kolegji Tempulli, rr. Eduard Lir 156, ora 14:00)

- Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur bën promovimin e publikimeve dhe organizon panel diskutimin “ Njohja e Kosovës bashkëkohore”. (Swiss Diamond Hotel, ora 14:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e KQZ-së, ora 15:30)

- Iniciativa për Histori Gojore organizon lansimin e aplikacionit mobil Prishtina Ecë. (Kafe—librarinë dit’ e nat’, ora 17:00)

- Kandidati i PDK-së për Kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Kadri Veseli, merr pjesë në takimin e organizuar nga Gruaja Demokratike. (Hotel Venus, Magjistralja Prishtinë-Lipjan, ora 17:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! shpalos prioritetet qeverisëse. (Atelja e Sallës së Kuqe, ora 17:00)

- Federata e Piingpongut e Kosoves, organizon ndeshjet e ligës së parë, e ndeshja derbi pritet të jetë ajo ndërmjet Shkollës dhe Hasan Prishtinës. (Prishtinë, ora 18:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti mban tubim më banorë të fshatit Rufc. (Rufc, ora 19:30)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti mban tubim më banor në fshatin Gadime. (Gadime, ora 21:00)